Fjala e Buzhalës në New York: Fatkeqësia e Hashim Thaçit, mund të jetë fati i tij – ai quhet Jack Smith
Autori: Gazeta inFokus 21:42 | 09 November 2024
Fjala e plotë e Berat Buzhalës në darkë me bizneset shqiptare në New York për të ndihmuar financiarisht Presidentin Hashim Thaçi:
Ishte dhjetori i vitit 2010. Së bashku me Hashim Thaçin dhe Bekim Çollakun, ishim në një restorant në Prishtinë të quajtur “Imixh”, duke parë një ndeshje futbolli, kur na treguan se në gazetën The Guardian kishte dalë një artikull ku përmendej një senator zviceran me emrin Dick Marty. Artikulli përmbante pretendime se kryeministri i Kosovës ishte i dyshuar për trafikim organesh.
Nuk e di se si e kemi parë pjesën tjetër të ndeshjes.
Kjo ngjarje ndodhi mes qeverisë Thaçi I dhe Thaçi II.
Pa e lexuar mirë raportin, pa e shqyrtuar burimin e tij, filluan reagimet nga udhëheqës të organizatave joqeveritare dhe politikanë të ndryshëm, duke kërkuar që Thaçi të largohej nga skena politike, duke thënë se nuk ishte më i përshtatshëm për të qenë figura kryesore politike e shtetit të ri.
U tha se Thaçi, me të gjitha këto akuza mbi supe, po i bëhej barrë shtetit të njomë.
E mbaj mend mirë se atë kohë, në një konferencë për gazetarët në Bruksel, Thaçi shprehu gatishmërinë e tij që pretendimet e senatorit zviceran të hetoheshin nga organe të pavarura.
Pretendimet e senatorit zviceran ishin diçka mes filmave horror dhe fantastiko-shkencor. Thuhej se krerët e UÇK-së u kishin marrë organet pengjeve serbe në një shtëpi të verdhë në Shqipëri dhe i kishin shitur ato.
Sot, ju garantoj se operacione të tilla mjekësore, ku bëhen transplante organesh, siç pretendonte Dick Marty, nuk mund të kryhen as në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjithsesi, kur shumë njerëz fillojnë të besojnë një gënjeshtër, edhe mendjet e arsyeshme fillojnë të dyshojnë.
Ah, të mos harroj, i pari që foli për këto krime ishte një deputet rus në Këshillin e Evropës, i quajtur Konstantin Kosachev. Ky deputet, dy vjet më parë kur filloi lufta në Ukrainë, akuzoi forcat ushtarake të Ukrainës për marrjen e organeve të rusëve të zënë peng. Gjithashtu, kur filloi lufta në Siri, ai akuzoi forcat që luftonin kundër Bashar Al-Asadit se po ua merrnin organet civilëve dhe po i shisnin.
Ajo që dua të them është kjo: akuzat për trafikim të organeve kanë qenë pjesë e luftës speciale ruse, kudo që ata kanë marrë pjesë, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi.
Në rastin e Kosovës, përmes këtyre akuzave u njollos i gjithë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Thaçi. Duke qenë se Rusia dhe Serbia e kishin humbur betejën për të ndalur pavarësinë e Kosovës, atëherë filluan përpjekjet për delegjitimimin e saj. Delegjitimimi bëhet duke i paraqitur ata që kanë luftuar për pavarësi si kriminelë dhe banditë të rrezikshëm.
Thaçi i hapi rrugë hetimeve. Ai miratoi në Kuvend të gjitha ligjet dhe ndryshimet kushtetuese që kërkoheshin për hetimin e këtyre akuzave, duke e ditur se po krijonte një rrugë për hetimin e vetes.
Kundërshtarët politikë shpifnin se Thaçi po e bënte këtë sepse besonte se nuk do të arrestohej. Kur u arrestua, ata thanë se nuk e dinte, ose se e kishin mashtruar, duke ngritur lloj-lloj insinuatash.
Ajo që është fakt i pakontestueshëm është se Thaçi e vuri veten në dispozicion të drejtësisë.
Pasuan hetime shumë të gjata. Një prokuror amerikan me emrin Schwendiman u mor me këtë çështje. Pas dy vitesh, ai tha se nuk kishte bazë për ngritjen e një aktakuze, por atëherë e larguan dhe emëruan një prokuror tjetër, Jack Smith, i cili deklaroi se mund të ngrinte një aktakuzë.
Besoj që e keni dëgjuar emrin Jack Smith.
Jack Smith urdhëroi arrestimin e Thaçit një vit para se ta kishte të gatshme aktakuzën. Ai e urdhëroi arrestimin e Thaçit në kohën kur ky i fundit po përgatitej të shkonte në Shtëpinë e Bardhë për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Donald Trump.
Pasi e ngriti aktakuzën, nuk vonoi shumë dhe Jack Smith u kthye në Washington, tash me një aktakuzë kundër Donald Trump.
A kanë lidhje këto dy raste? Analizojeni vetë.
Edhe një gjë tjetër për të nënvizuar paradoksin e këtij rasti.
Neni i parë i ligjit për themelimin e Dhomave të Specializuara thotë se aktakuza duhet të bazohet në raportin e Dick Marty-t. Aktakuza nuk ka asnjë lidhje me raportin e Dick Marty-t.
Ajo aktakuzë nisi për trafikim organesh, por përfundoi me raste të gjykuara më parë në Hagë, nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Thaçi po gjykohet për raste për të cilat janë shpallur të pafajshëm Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa dhe secili komandant tjetër.
Asnjë fjalë aty nuk thuhet për trafikim organesh. Asnjë. Ndërsa pjesa më e rëndësishme e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohet për krim të organizuar. Jo si individë, por si strukturë.
Dhe nëse ka krim të organizuar në këtë rast, atëherë krim të organizuar kanë kryer ata që kanë orkestruar këtë tribunal.
Atje po gjykohet lufta e UÇK-së, po delegjitimohet pavarësia e Kosovës.
Nuk e di, nuk kam përgjigje, pse ka ndodhur një gjë e tillë. Nuk e di, nuk kam përgjigje, se si ndodhi që interesat e luftës speciale ruse u përputhën me interesat e aleatëve perëndimorë.
Thaçin e kam takuar para një muaji.
Trajtimi i tij atje është johuman. Nuk ka privatësi. Në takim, përveç meje, ishin edhe një polic dhe një përkthyes.
Pavarësisht këtyre rrethanave, ai mbante moralin dhe buzëqeshte. Diskutuam për atë natë kur ishim bashkë në restorant dhe doli lajmi për të.
Ai shpresonte dhe unë shpresoja që rrethanat politike do të ndryshonin në Amerikë dhe drejtësia do të fitonte.
Mbase diçka e tillë ndodhi dje.
Raportet e mia me Thaçin nuk kanë qenë gjithmonë të mira. Binduni që, nëse nuk do të isha i sigurt për ato që po them, nuk do të dilja këtu për të kërkuar ndihmën tuaj për Hashim Thaçin.
Duke ndihmuar Thaçin, nuk ndihmoni vetëm individin Hashim, por luftën e UÇK-së dhe historinë e Kosovës, e cila është sulmuar dhe është vënë në rrezik.
Të tjera
-
Sinani: Shqiptarët e Luginës fitojnë të drejta pronësore në Kosovë
Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani ka njoftuar se sot kanë hyrë në fuqi ndry...
-
Kurti kërkon nga BE insistim për Marrëveshjen e Ohrit: Kallas është në vendin e duhur në momentin e duhur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me Kallasin ka diskutuar për çësh...
-
Edhe këtë dhjetor “superheronjtë” vizitojnë fëmijët në pediatrinë e QKUK-së
Edhe në këtë dhjetor, fëmijët që ndodhen në pediatri do të vizitohen nga supe...
-
Deklarohet edhe Kallas: Autorët e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit të përballen me drejtësinë
Kallas në takimet e para me Kurtin e Vuçiqin ua përmend Marrëveshjen e Ohrit-...
-
Jasharaj takohet me Nagavcin, SBASHK: Takimi përfundoi pa rezultat, ministrja s’qe e gatshme të bisedojë për kërkesat tona
SBASHK ka njoftuar se sot Rrahman Jasharaj, Vjollca Shala dhe Ymer Ymeri janë...
-
Kurti pas takimit me Kallas: Kërkuam dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për mediat pas takimit me...
-
Zbardhet dosja e Prokurorisë për shpërthimin në Ibër-Lepenc, ja si e realizuan shpërthimin vëlllezërit Viqentijeviq
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kërkesën për caktimin e masës ...
-
Vuçiq: Nëse shpëṛthimi është kryer nga dikush i kombësisë serbe dhe ndodhet në territorin që e kontrollojmë e arrestojmë në sekondë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi është i gatshëm t...
-
Presidenti i Koresë së Jugut shpall gjendje të jashtëzakonshme
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli ligjin ushtarak të m...
-
Kearns reagon për sụlmin në Ibër-Lepenc, thotë se lënia e lirë e Radojcicit nga Serbia inkurajon të tjerët
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar për sulmin e ndodhur në ka...
-
Dosja e Prokurorisë: Vëllezërit Viqentijeviq dyshohen se kryen veprën terrọriste duke përdorur eksplọziv në kanalin e Ibër-Lepencit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kërkesën për caktimin e masës ...
-
Kamberi: Serbia vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve në Luginë
Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka akuzuar Beogradin zyrtar për shkelje të va...