Fitorja e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus
16:19 | 26 September 2023
Shkruan: Ben Blushi
Kosova mori një fitore të papritur, por të merituar, kur ishte në një ditë të keqe për shkak të lodhjes së Perëndimit që nuk po e zgjidh dot ngërçin mes saj dhe Serbisë. E izoluar dhe e lënë vetëm nga aleatët e vet natyralë, Kosova gjeti aleatë aty nuk e priste: tek kundërshtarët e saj.
Ata i bënë një dhuratë që ajo do ta shijojë për një kohë të gjatë. Serbët i dhuruan Kosovës provën e padiskutueshme se e kanë sulmuar pabesisht ndërkohë që ajo ishte ulur në tryezë për të biseduar. Në asnjë kod lufte, ai që pranon të bisedojë, nuk sulmohet pas shpine dhe serbët e shkelën këtë kod.
Qëllimi i atyre që e sulmuan ishte i qartë: të krijonin në Kosovë një vatër konflikti të armatosur, e cila do t’i jepte mundësi Serbisë të fitonte avantazh në bisedime. Dekori i këtij zjarri, tymi i të cilit do arrinte menjëherë në Washington dhe Moskë, ishte perfekt: disa serbë të sulmuar nga policia që fshihen në një manastir, aty rezistojnë bashkë me priftërinjtë dhe pelegrinët e pafajshëm, për t’i dhënë mundësi gjithë botës të shikojë sesi Qeveria Shqiptare e Kosovës trajton pakicat etnike dhe fetare.
Ky operacion konsiderohej një spastrim etnik.
Meqë manastiri ishtë në mes të fshatrave, nuk përjashtohej që dhjetëra fshatarë serbë, të mblidheshin aty për të mbrojtur vëllezërit e rrethuar nga shqiptarët, në territorin e shenjtë të Banjskës. Nga krahu tjetër i kufirit, në Serbi, thirrjet për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë do ktheheshin në ulërima dhe Presidemti lunatik i Serbisë, do ia shiste shtrenjtë Perëndimit përpjekjen e tij të mundimshme, për të qetësuar popullin e revoltuar serb. Në shkëmbim, do kërkonte dicka më shumë në tavolinën urgjente të bisedimeve, ku ai do shkonte si viktimë dhe Kosova si agresor. Ndoshta autonominë e Veriut të Kosovës, çka do ishte një hap më shumë se asosacioni i komununave serbe që diskutohet sot. Republika Serbska e Kosovës do ishte themeluar në atë manastir, të djelën e 24 shtatorit 2023.
Kjo Republikë kishte dëshmorët e vet të vrarë nga shqiptarët, priftërinjtë ortodoksë do ta pagëzonin,ndrësa ndërkombëtarët do ta negocionin në pushimin mes dy sulmeve ruse në Ukrainë.
Nëse ky ka qenë plani që ka dështuar, do të thotë se Kosova ka qenë me shumë fat. Horoskopi i historisë së popujve njeh ditë me fat për ata që janë në krahun e të drejtës, siç është edhe rasti i Kosovës.
Megjithatë kjo fitore nuk është vetëm një fitore e fatit, por edhe e shtetit të Kosovës. Jo vetëm ata që e kanë sulmuar Kosovën, por edhe ata që e kanë dashur dhe e duan, kanë dyshuar gjithmonë në aftësinë e saj për t’u mbrojtur. Ky dyshim i kthyer në bindje ishte arsyeja që 40 serbë të armatosur u sakrifikuan në atë mënyrë, duke besuar se ata mund ta mundnin lehtësisht mbrojtjen e një Republike të vogël dhe pa përvojë ushtarake siç është Kosova.
Por ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme. Pa patur nevoëjn e Kforit, Kosova i neutralizoi serbët e armatosur me një operacion kirurgjikal, të denjë për manuale të ndërhyrjes së shpejtë. Republika e Kosovës bëri atë që do bënte cdo republikë tjetër kur sulmohet me armë :ajo të ndjek, të gjen, të rrethon dhe të vret. Në këtë betejë të fituar me gjak ajo la një të vrarë, por vrau më shumë nga pala tjetër.
Një ditë më parë, kjo ndërhyrje kaq efikase, as mund të imagjinohej. Dyshimet se Kosova ka aftësi të mbrohet dhe të vetëqeveriset kanë qenë armiku i saj kryesor. Nga dita e djelë ato janë fashitur. Serbët, që kur nisen në Kosovë sillen sikur po shkojnë në një gjueti lepujsh, do mendohen mirë nëse hyjnë më në përplasje fizike me forcat e shtetit të Kosovës.
Në 25 vitet e fundit, Kosova ka fituar mbi serbët si një popull, por asnjëherë si shtet. Në vitin 1999 shqiptarët u ngritën si popull kundër shtetit serb dhe me ndihmën e Perëndimit i mundën. Ndërsa të djelën, Kosova i mundi serbët si shtet dhe për më tepër i mundi vetëm, pa ndihmën e askujt. Prandaj Kosova ka arsye ta festojë këtë ditë si një fitore të Republikës së vet. Atëherë kur duhej Republika e Kosovës funksionoi dhe mbrojti territorin e saj, çka përbën detyrën e parë të cdo Republike.
Tani Kosova mund të shkojë në bisedime më e fortë dhe më e pavarur. Natyrisht që kurthet e historisë nuk kanë mbaruar këtu. Ato vazhdojnë. Kundërshtarët e saj kanë marrë një goditje, por nuk janë tërhequr. Diplomacia është terreni ku duhet mundur Serbija. Në këtë fushë, Kosova ka kufizimet e veta, si çdo Republikë e re, e vogël, e varfër dhe pa përvojë.
Megjithatë fitorja e Banjskës që u arrit me gjuhën e armëve do tia lehtësojë edhe gjuhën e diplomacisë dhe këtë kosovarët e dinë mirë.
Por tani edhe serbët e dinë shumë mirë.
Anëtarësohu në grupin e Infokus në Viber: GAZETA INFOKUS – VIBER – ANTARËSOHU
Dhe në grupin e Infokus në Facebook: GAZETA INFOKUS – FACEBOOK – ANTARËSOHU

Të tjera
-
Lajçak njofton se po përgatitet për raundin e ri të bisedimeve me Bislimin dhe Petkoviqin
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak,...
-
Ky është viktima e tentim vrasjes në Pejë
Në orët e hershme të së dielës ka ndodhur një tentim vrasje në Pejë. Rrugës p...
-
Mediat britanike: Bandat shqiptare ‘oferta’ për festa, 5 mijë funte për kalim në Angli
Emigrimi i paligjshëm i emigrantëve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe vijon ...
-
Kurti në Berlin: Mërgata jonë mbetet motor kryesor për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka takuar sot bashkatdhetarët tanë në Berlin të Gjer...
-
Diplomati holandez: Serbia të përcaktohet se cilën rrugë do ta zgjedhë
Diplomati holandez, Pieter Feith, ka kritikuar politikën e Serbisë. Ai thotë ...
-
“Përkeqësimi i ambientit për të bërë biznes”, edhe Ministrja Hajdari i reagon Avdullah Hotit
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari i ka reaguar deputetit të Lidhjes Demokr...
-
Kështu duket kryeqyteti në fundvit
Sheshet e kryeqytetit kanë marrë pamje tjetër në prag të festave të fundvitit...
-
Murati i reagon Hotit që tha se ambienti i të bërit biznes në Kosovë është përkeqësuar
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar dep...
-
VV: S’ka asnjë shpjegim që komunat e drejtuara nga PDK, LDK e AAK nuk ua falën qytetarëve 100 eurot e tatimit në pronë
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një postim lidhur me “100 eurot e tatimit në pro...
-
Blinken: Izraeli duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët e Gazës
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i kërkoi Izraelit të bëjë më s...
-
Qeveria Kurti, në tre vjet asnjë njohje ndërkombëtare
Në tre vite qeverisje nga Albin Kurti, Kosova nuk ka mundur të realizojë asnj...
-
Reshje bore në Shqipëri, probleme në një pjesë të Rrugës së Arbrit
Ditën e sotme janë rikthyer reshjet e borës në disa pjesë të Shqipërisë, teks...