Sport

Fitim Llapashtica flet para duelit me Dritën dhe zbulon se a do të qëndroj deri në fund te Vushtrria

Autori: Erion Maliqaj 21:38 | 20 February 2020

Klubi i Vushtrrisë është duke kaluar nëpër një periudhë jashtëzakonisht të keqe, pasi e ka kapluar kriza financiare, krizë kjo që i largoi nga skuadra të gjithë futbollistët senior, shkruan Gazeta inFokus.

Vushtrria kampionatin do ta vazhdoj me junior dhe me disa transferime që kanë zbarkuar së fundmi në stadiumin ‘Ferki Aliu’.

Këtyre djelmoshave të ri po iu prinë trajneri, Fitim Llapashtica, i cili po mundohet që të bëjë më të mirën për skuadrën e tij.

-Advertisement-

Skuadra e Vushtrrisë nesër e luan duelin e javës së 19-të në Superligë ndaj Dritës, skuadër kjo që është në super formë pas triumfit në derbin ndaj Gjilanit.

Për para këtij takimi në një prononcim për Gazetën inFokus ka folur trajneri Fitim Llapashtica, i cili ka treguar kushtet e rënda në kampin vushtrrias.

Ai ka thënë se janë përgatitë për Dritën dhe edhe pse do të jetë shumë e vështirë ata do të japin maksimumin për tu kthyer te rezultatet pozitive.

“Na jemi mundu mu përgatitë edhe me ju kthye rezultateve pozitive, sepse i luajtëm dy lojë ndaj Prishtinës edhe i morëm dy humbje. Tash po presim diçka pozitive, kemi me tentu me fitu lojën, por sa do të ia dalim mbetet të shihet”, tha fillimisht Llapashtica.

Fotografia e Samir Asllani

Tutje 34 vjeçari shtoi se Drita ka super ekip dhe pret përkrahjen e tifozëve për ta arritur të pamundurën ndaj gjilanasve.

“Luajmë në shtëpi, luajmë para tifozëve tonë, presim mbështetjen e publikut, e dimë që nuk jemi në situatë të mirë. Drita është favorite ka super ekip, me përvojë me eksperiencë, gjithçka është në favor të tyre, por na do të punojmë fort që të paraqitemi me maksimumin tonë që ta bëjmë të pamundshmen”, pohoi tekniku vushtrrias për inFokusin.

Llapashtica tregoi edhe për gjendjen e 7-të futbollistëve të huaj të ardhur ditëve të fundit në Vushtrri.

‘Ekipa jonë është me lojtar të ri, këta lojtarët e huaj tash kanë ardhur krejt, dy nuk kanë të drejtë me lujtë akoma, ndërsa të tjetër po, por nuk është e lehtë, sepse këta kanë ardhur vonë, këta u dashtë me kanë në dhjetor në Vushtrri me fillu me fazë përgatitore dhe me u komponu me skuadrën”, vazhdoi tutje trajneri i Vushtrrisë.

Fotografia e Fitim Llapashtica

Ai tregoi se të gjithë lojtarët e huaj gjatë ditës së mërkurë dhe enjte kanë zbarkuar në ‘Ferki Aliu’

“Lojtarët e huaj kanë ardhur dje dhe sot të gjithë, gjithçka është e vështirë, por po mundohemi dhe shpresojmë të na përcjellë fati për ta nxjerrë më të mirën e mundshme nga ta”, pohoi 34 vjeçari.

Tekniku vushtrrias shpreson në futbollistët e huaj, por thotë se nuk i njeh mirë ata.

“Nuk është që nuk shpresojmë në ta, por puna është që nuk i njohim shumë ata, ata nuk e njohin grupin e lojtarëve, grupi i nuk i njeh ata, qaty është problemi se ne e kemi ndërruar komplet ekipin, sepse 25 lojtarë janë largu. Për të kompunu këtë ekip është e rëndë, kjo don mrekulli e don kohën e vet dhe ky është problemi se nuk është që ata skanë vlerë”, potencoi Llapashtica për Gazetën inFokus.

Për fund ai tha se do të vazhdoj të qëndroj në stolin e Vushtrrisë deri në fund të kampionatit.

Vushtrria pas 18-të xhirove të zhvilluara renditet e 11-ta me 15-të pikë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera