Opinione

Financimi bujqësor si qëllim domethënës afatgjatë

Autori: Gazeta inFokus 15:55 | 06 June 2018

Shkruan: Petrit Balija

Financimi bujqësorë në Kosovë ka shënuar përmirësime të dukshme, por rritja e kreditimit në këtë sektor akoma mbetet larg parametrave të dëshiruar.

Në mars të vitit 2018, vlera nominale e kredive për bujqësi, të lëshuara nga sektori bankar në Kosovë,  arriti në 63.8 milion euro.

-Advertisement-

Kjo paraqet një pjesëmarrje prej 4% në gjithsej kreditë për biznese të lëshuara nga bankat në Kosovë. Një ndër përmirësimet më domethënëse në financimin bujqësor në vitet e fundit ka qenë ulja e normave të interesit për kreditë bujqësore, nga nivele dyshifrore të interesit sa ishte para vitit 2015 në normë efektive të interesit rreth 7%.

Megjithatë, përkundër këtyre përmirësimeve nga ana e institucioneve bankare,  përqindja e pjesëmarrjes së kredive bujqësore në gjithsej kreditë mbetet relativisht e pandryshuar ndër vite dhe mund të konsiderohet si stagnim apo ngecje në rritjen e kreditimit në këtë sektor. Natyrisht që institucionet bankare do të preferonin të zgjerojnë kreditimin edhe në këtë sektorë por duhet parë se cilat janë pengesat në këtë drejtim.

 

Viti

Pjesëmarrja e Agro-kredive në Përqindje
2010 3.7%
2011 3.5%
2012 3.7%
2013 3.8%
2014 4.0%
2015 4.5%
2016 4.2%
2017 3.6%
Mar-2018 4.0%

Pjesëmarrja e kredive për bujqësi në gjithsej kreditë për biznes në Kosovë.

Burimi: BQK

 

Kosova, si edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë, karakterizohet me kushte të përshtatshme gjeografike dhe klimatike për bujqësi. Popullata është në përqindje të lartë rurale dhe njëkohësisht trashëgon një traditë të mirë të aktiviteteve bujqësore. Megjithatë, ky sektor nuk po arrin të zgjerohet dhe kontribuoj në  aspekte të rëndësishme të ekonomisë siç është reduktimi i deficitit tregtarë, reduktimi i papunësisë, apo edhe vetë pjesëmarrja në GDP-në e vendit. Sipas studimit të fundit të OECD-së për konkurrueshmërinë e vendeve të Evropës Juglindore, Kosova renditet në vendin me përqindjen më të ulët të kontributit të bujqësisë në eksporte. Sigurisht që çështja e financimit nuk është faktori i vetëm që e përcakton zgjerimin dhe produktivitetin e sektorit bujqësorë, por megjithatë është një ndër kontribuesit e shëndetit dhe zhvillimit të këtij sektori. Ajo që shpesh diskutohet në platformat e diskutimeve për çështjet financiare është se ‘A është kjo ngecje në kreditim si rezultat i mungesës së kërkesës fizibile nga ana e sektorit bujqësorë apo mungesë e përshtatjes së produkteve apo ofertës nga ana e institucioneve bankare?’.  Në një tryezë të bashkë organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës për këtë temë, një bankier i është përgjigjur kësaj pyetje me mjaftë rezonancë kur kishte thënë se “Bankat janë si luledielli, ato ndjekin kërkesën” duke aluduar se kërkesa fizibile apo kapacitetet për zgjerim mungojnë në sektorin e bujqësisë dhe se nuk mungon oferta nga ana e bankave.  Megjithatë, kur pyeten fermerët, ata thonë se e vlerësojnë shumë pozitivisht uljen e normave të interesit por shtojnë se bankat duhet t’i përshtatin më mirë produktet bankare për të mundësuar afate më të gjata të kreditimit si dhe greis periudha adekuate sipas ciklit të biznesit dhe rreziqeve të ndërlidhura me këtë veprimtari. Ata kërkojnë më pak burokraci dhe procedura më të përshpejtuara të aprovimit të kredisë. Natyrisht që bankat kanë edhe kufizime rregullative që kanë të bëjnë me ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar dhe nuk mund të anashkalojnë këto rregulla të cilat megjithëse mund të jenë burokratike por kanë për qëllim të zvogëlojnë rreziqet e kreditimit dhe në fakt mbrojnë edhe vetë kredimarrësin potencial nga zhytja në borxhe të papërballueshme për kapacitetet e tij.

Por ekzistojnë edhe disa sfida tjera të cilat janë identifikuar në studime të ndryshme për bujqësinë në Kosovë siç janë  fermat e fragmentuara me parcela më të vogla se 0.5 ha, produktiviteti i ulët, përdorimi i teknikave dhe teknologjive të vjetërsuara, niveli i ulët i investimeve, infrastruktura e pazhvilluar, informaliteti i lartë dhe mungesa e sigurimit të produktit agrar dhe mungesa e kolateralit. Këto sfida paraqesin barriera edhe në aspektin e kreditimit pasi që përbëjnë rreziqe të cilat ndikojnë në uljen e kërkesës fizibile. Por çfarë po ndërmerret nga akterët relevant për të tejkaluar këto probleme? Në fakt janë një numër i masave që janë duke u marrë të cilat duhet t’i mbështesim të gjithë në mënyrë që të prodhojnë efektet e duhura. Disa nga më të rëndësishmet përfshijnë iniciativat e reja nga ana e bankave për të krijuar produkte të veçanta për agro-kreditim,  themelimi dhe funksionalizimi i Fondit për Garanci Kreditore dhe hapja e dritares për garancitë për agro-kreditim, inicimi i rregullores për produktet financiare të Faktoring (financimi i të arkëtueshmeve),  grantet qeveritare për bujqësi dhe zhvillimi i produkteve për sigurimin e produkteve agrare. Këto janë disa nga veprimet që janë ndërmarrë në bashkëpunim të palëve me interes të cilat mund të zhvillojnë bujqësinë duke i hapur rrugë edhe kreditimit më të hovshëm të këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë dhe stabilitetin e vendit.  Bankat në Kosovë gjithsesi kanë për synim rritjen e partneritetit me sektorin e bujqësisë për të siguruar që të plotësojnë të gjitha kërkesat fizibile që mund të kenë fermerët dhe njëkohësisht të ruajnë shëndetin e portofolit kreditorë dhe stabilitetin e sektorit financiar. Mbase të gjithë akterët e cekur më lartë duhet të veprojnë më shpejtë dhe më qartë për të eliminuar këto barriera në sektorin e bujqësisë dhe kjo do të rriste kapacitetet dhe kualifikimet e fermerëve për të hyrë në marrëveshje kreditore me kushte të favorshme për zhvillim dhe zgjerim të mëtutjeshëm. Gjithsesi mbesim në pritje të rritjes së kreditimit në këtë sektor duke shpresuar për norma dyshifrore të pjesëmarrjes së kredive bujqësore në gjithsej portofolin e kredive por gjithnjë duke ruajtur performancën e portofolit kreditorë.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera