Kulturë

Filmi i animuar me produksion kosovar pjesë e festivalit amerikan

Autori: Gazeta inFokus 12:15 | 20 March 2021

“Clara with a mustache” ose “Clara me mustaqe”, një film animacion i metrazhit të shkurtër me produksion kosovar, është përzgjedhur zyrtarisht për të shfaqur premierë botërore në festivalin e njohur amerikan të filmit “Santa Barbara International Film Festival”. Por rrugëtimi i këtij filmi nëpër festivale të mirënjohura veç sa ka filluar. Ai po ashtu është përzgjedhur zyrtarisht në një tjetër festival të mirënjohur amerikan, atë të “Clevland Interantional Film Festival” edicioni i 45-të. Të dy këto festivale, filameve fitues u japin mundësinë të kualifikohen për pjesëmarrje në akademinë e çmimeve “Oscar”.

Frymëzimi për këtë film të animuar me metrazh të shkurtër, erdhi nga vet përvoja e luftës së fundit në Kosovë. Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyve është paraja. Që nga viti 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane, për këtë arsye atë e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre të 1998-1999.

Historia e kësaj vepre filmike fillon me personazhin e saj kryesor – një njëqind deutchmark  dhe portretin e saj të bukur të Clara Schumann me një palë mustaqe të vizatuara përmbi buzë. Kjo kartëmonedhë udhëton nga një person në tjetrin, duke zbuluar historitë e tyre dhe perspektivat. Duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Ajo mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.

-Advertisement-

Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmiu. Dhe animacioni është vegla e cila mundësoi që kjo imagjinatë të shpaloset, në mënyrën më të duhur.

Pasojat e luftës dhe përvojat e njerëzve janë pak a shumë të njëjta kur flasim për luftë dhe konflikt. Për këtë arsye ky film aspiron të prekë një audiencë globale, duke treguar një histori universale pa dialogje, të bashkuar në një mënyrë shumë artistike. Filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna, sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. E mesazhi për ta është që ëndrrat dhe shpresat për një të ardhme më të mirë asnjëherë mos të ju shuhen.

Produksioni është realizuar nga “Molos”, me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori dhe mbikëqyrëse e animacionit Vala Blakçori; master e animacionit të karakterit në Animation Mentor Kaliforni, e cila solli një risi në formën e animacionit në Kosovë. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante e cila u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra” në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vet kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellur në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.

TRAILER: https://vimeo.com/514204489

Detaje me te hollësishme: http://molosgroup.com/clara-with-a-mustache/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera