Lajme

Fillon aplikimi për ndërtimin e serrave në Malishevë

Autori: Gazeta inFokus 11:17 | 19 March 2018

Këtë javë fillon aplikimi i bujqve për ndërtimin e serrave në Malishevë.

Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e ka drejtuar nënkryetari i Komunës, Hajdin Berisha.

Përmes një komunikate dërguar mediave, bëhet e ditur se drejtorët komunalë kanë raportuar për aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar dhe për planifikimet për këtë javë.

-Advertisement-

“Sipas drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, tashmë fillon edhe realizimi i projektit të parë për këtë vit në sektorin e bujqësisë, e që ka të bëjë me ndërtimin e serrave. Fillimisht bujqit do të aplikojnë për ndërtimin e serrave, e më pas, në bazë të numrit të aplikuesve dhe atyre që i plotësojnë kriteret, do të bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve. Drejtori Hoxha, gjithashtu tha se janë në përfundim të procedurave edhe për subvencione në bletari”, thuhet në komunikatë.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, ka njoftuar për aktivitetet e inspektoratit, që ka të bëjë me disa inspektime gjatë javës së kaluar, dhe si rezultat janë ndaluar punimet në ndërtimet pa leje, pastaj janë kontrolluar lokalet-kafiteritë, ku kanë hasur në mos zbatim të ligjeve dhe aktivitete tjera të inspektoratit.

“Inspektimet do të vazhdojnë edhe këtë javë dhe këto inspektime do të jenë të vazhdueshme”, tha Kastrati.

Edhe drejtori i arsimit, Blerim Thaçi, ka njoftuar për disa takime me zyrtarët e MASHT-it, dhe sipas tij, gjatë këtij viti pritet që MASHT ta përkrahë Malishevën me disa investime në shkolla.

Ndërsa drejtori i emergjencave, Valon Gashi, ka bërë të ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, është duke e monitoruar situatën nga reshjet atmosferike, si dhe rastet tjera emergjente, e që sipas tij, në disa raste ka rrëshqitje të dheut, si në fshatin Turjakë, dhe kjo rrëshqitje po paraqet problem, pasi dheu po bie në rrugë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera