Lajme

Fetoshi: Ujdia e arritur për targat, pasojë e një gabimi të rëndë taktik të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 21:24 | 24 November 2022

Profesori Universitar Arben Fetoshi ka thënë se marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe është pasojë e një gabimi të rëndë taktik të Kosovës.Fetoshi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se marrëveshja e mbrëmshme për targat ka shkaktuar një zmbrapsje serioze të pozicionit të Kosovës në procesin e dialogut.

“De-eskalimi i situatës në veri është lajmi i mirë, përndryshe ujdia e arritur mbrëmë në Bruksel nga dy kryenegociatorët është pasojë e një gabimi të rëndë taktik të Kosovës që ka shkaktuar një zmbrapsje serioze të pozicionit tonë në procesin e dialogut që ka vështirësuar pozicionin në këtë proces dhe që ka paralajmëruar një fazë shumë të vështirë dhe të komplikuar të dialogut në kuptim të adresimit të kornizës së përgjithshme për marrëveshje finale. Ne do të vihemi në vështirësi së pari me atë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe kjo do të jetë sfida kryesore për Kurtin”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, po të respektohej rekomandimi i SHBA-së për shtyrje të afatit për targa, Kosova do të ishte komod karshi Serbisë.

“Nuk mund t’i thuhet arritje një ujdie e cila është prapakthim serioz… Kurti do të përpiqet që me gjuhën utilitariste ta arsyetojë atë çfarë ka bërë në Bruksel. Në qoftë se do të respektohej rekomandimi amerikan për shtyrje të afatit për targat besojë që ne do të ishim shumë komod si vend me pozicion karshi Serbisë dhe të gjithë presionin ndërkombëtar sa i përket adresimit të çështjes marrëveshje kornizë do të kalonte në Beograd dhe ne do të ishim në avantazh pastaj”, tha tutje Fetoshi.Kosova dhe Serbia të mërkurën mbrëma kanë arritur marrëveshje për targat.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk do lëshojë targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, e Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

Të tjera