Fokus

Festat fetare bllokojnë Kosovën (DOKUMENT)

Autori: Xhejlane Kaçiu 12:40 | 22 April 2019

Neni 8 i Kushtetutës së Kosovës thotë se Kosova është “është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.

E, megjithëse konsiderohet shtet laik më kushtetutë, në Republikën e Kosovës ka më shumë festa fetare sesa shtetërore.

Nga njëmbëdhjetë festat zyrtare të parapara për këtë vit, gjashtë janë festa fetare, ndërsa pesë janë festa shtetërore, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi është edhe dita pasardhëse e punës, ashtu siç ndodhi edhe këtë të hënë pasi festa e Pashkëve Katolike ishte të dielën më 21 prill.

E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe javën e ardhshme, pasi më 28 prill gjithashtu është festë zyrtare, pasi Ortodoksët festojnë Pashkët.

Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse dhe Bajrami i Vogël janë festat fetare që megjithëse me datë janë të dielën, ditë pushimi është e hëna.

Gjatë këtyre ditëve asnjë institucion shtetëror nuk punon.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës konsiderojnë që Ligji për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës duhet të ndryshojë, pasi me këtë ligj, festat fetare dhe ato shtetërore llogariten njësoj.

Deputeti Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës, pati thënë se PDK-ja ka kërkuar ndryshimin e ligjit me rekomandimin për të zvogëluar numrin e festave zyrtare dhe harmonizimin e ligjit me standardet e Bashkimit Evropian.

“Tani kemi festat fetare te cilat janë shndërruar në festa shtetërore. Festat fetare duhet të jenë festa fetare e jo shtetërore, sepse Kushtetuta e përcakton shtetin laik e jo fetar”, pati thënë Hasani.

E, deputetja Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu ka thënë se ligji duhet të ndryshohet.

Ajo theksin e vuri në faktin se institucionet pushojnë edhe një ditë pas festave, duke thënë se po shfrytëzohet rasti që institucionet të pushojnë duke i vazhduar ditët e pushimit edhe pas festave.

“Ligji duhet të rishikohet, nuk është e arsyeshme të kemi një numër kaq të madh të ditëve të pushimit dhe sidomos të shfrytëzohen rastet e tilla për shtimin e ditëve kur nuk punohet në institucione publike, qoftë duke i lidhur festat, siç ka pasur raste jo të rralla, pra kur festa ta zëmë bie ditën e enjte, institucionet pushojnë edhe të premten, apo nëse festa bie të martën, nuk punohet as të hënën”, pati thënë Nagavci.

Në bazë të ligjit për festat zyrtare ditët e festave zyrtare janë ditë të lira me pagesë për të gjithë punëtorët e Kosovës, përveç kur është e rregulluar ndryshe me ligje tjera.

Një ditë pune gjatë festave zyrtare kompensohet me një ditë e gjysmë pushimi ose në kundërvlerë në para, shkruan gazeta inFokus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera