Sport

Feronikeli nuk e respekton vendimin e FFK-së, i lë lojtarët pa paga

Autori: Erion Maliqaj 17:18 | 01 June 2021

Tre yjet e futbollit kosovar që ia siguruan çdo trofe të mundshëm klubit futbollistik ‘Feronikeli’, për më shumë se një vit nuk i kanë marrë pagat.

Gazeta inFokus ka mësuar se ish-lojtarët e klubit nga Drenasi, Mevlan Zeka, Arbër Prekazi dhe Astrit Fazliu edhe pse kanë fituar të drejtën e tyre në Komisionin Disiplinor të FFK-së ndaj Feronikelit, nuk po mund t’i nxjerrin rrogat e tyre të papaguara nga klubi.

FFK e ka obliguar klubin e Feronikelit që brenda dy jave t’i kryej obligimet ndaj ish-futbollistëve.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi ish-kampioni i Kosovës nuk i ka paguar borxhin këtyre lojtarëve as pas vendimit të federatës.

Gazeta inFokus po ashtu mëson se ‘Nikli’ i ka borxh rreth 3-4 mijë euro futbollistëve në fjalë.

Në rast se Feronikeli nuk i kryen obligimet ndaj ish-lojtarëve, ata pritet ta dërgojnë lëndën edhe në FIFA.

Klubi nga Drenasi po përballet me krizë të madhe financiare dhe largim të lojtarëve, pasi me mund të madh arriti ta siguronte mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.

Megjithatë, këta nuk janë të vetmit që po përballen me situatë të tillë.

Shumë futbollistë në Kosovë përveç̧ kushteve jo të mira në fusha e zhveshtore, problem të madh kanë edhe me pagat e tyre, të cilat nuk i marrin me kohë e nganjëherë̈ nuk i marrin fare, shkruan Gazeta inFokus.

Pjesa më e madhe e klubeve në Superligë kanë telashe financiare dhe nuk arrijnë t’i paguajnë me kohë rrogat e lojtarëve, madje disa klube edhe i mbesin borxh futbollistëve.

Kësisoj lojtaret detyrohen ti drejtohen organeve ligjore për ti nxjerrë pagat e tyre të papaguara nga klubet ku kanë luajtur./Gazeta inFokus/

 

Të tjera