Lajme

Ferizajt i shtohet edhe një hekurudhë

Autori: Gazeta inFokus 10:35 | 15 February 2018

Treni do të vazhdoi të kaloj përmes qytetit të Ferizajt. Hekurudha nuk do të hiqet nga aty. Por këtij qyteti që po lufton tash e sa vite me binarët e trenave, do ti shtohet edhe një hekurudhë e re.

Përgatitjet e para tashmë kanë filluar. Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari i ri i Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërkaq drejtori i Infrastrukturës në këtë komunë, Arbër Bytyqi ka treguar për Infokusin se janë në fazën fillestare të projektit që parasheh zhvendosjen e transportit hekurudhor të mallrave nga qyteti në periferi.

-Advertisement-

Sipas Bytyqit, hekurudha e re do të ndërtohet përgjatëautostradës,  dhe se pjesa në mes të qytetit do të jetë në dispozicion vetëm për udhëtarët.

“Projekti parasheh zhvendosjen e hekurudhës përreth rrugës se autostradës, ngase aty janë të kryera edhe shpronësimet dhe nuk ka nevojë të bëhen pagesa për shpronësim. Ndërsa pjesa në mes të qytetit parashihet të jetë në dispozicion vetëm transportin e udhëtarëve, kurse pjesa jashtë qytetit do të jetë për transportin e mallrave”, ka theksuar Bytyqi.

Për këtë kanë filluar konsultimet  me donatorët.

Të pajtimin për zhvendosjen e kësaj hekurudhe janë edhe pjesëtarë nga shoqëria civile në këtë komunë, të cilët e mirëpresin zhvendosjen e hekurudhës, ngase sipas tyre do të shërbente si preventivë për të mbrojtur qytetarët nga rreziku.

Megjithatë, duket se nuk e kanë kuptuar mirë projektin. Ata shpresojnë që përfundimisht të hiqen të gjithë binarët nga qendra e qytetit.

Albulena Nrecaj, drejtoreshë e Organizatës INPO në këtë komunë, ka thënë për Infokusin se kjo organizatë e vlerëson këtë iniciativë si të mirëseardhur.

“INPO vlerëson se ndalimi i qarkullimit të trenave në linjën hekurudhore aktuale, e cila përshkon qendrën apo zemrën e qytetit është e mirëseardhur. Kjo për faktin se trenat në këtë arterie të qarkullimit, kanë shkaktuar aksidente fatale më pasoja të mëdha. Dhjetëra qytetarë të Ferizajt, kanë humbur jetën nga trenat”, ka thënë Nrecaj.

Hekurudha identitet i Ferizajt

Pavarësisht se kjo hekurudhë po vlerësohet që paraqet rrezik për qytetarët, dikush mendon se zhvendosja e saj do tëhiqte një pjesë të identitetit të këtij qyteti të krijuar ndër vite.

Historiani Agim Zogaj ka vlerësuar se kjo hekurudhë për qytetin e Ferizajt paraqet me tepër sesa një kujtesë historike, dhe se zhvendosja e kësaj hekurudhe do të humb një pjesë të madhe të historisë së këtij qyteti, shkruan Infokusi.

“Vendndodhja e tanishme e hekurudhës e cila shpreh një traditë dhe një histori është më tepër sesa një kujtesë historike për qytetarët e Ferizaj. Është një imazh, një pamje, një traditë dhe histori, mirëpo një zhvendosje e tillë mund të ketë arsyetim vetëm nëse në planin urbanistik është e pa evitueshme dhe ka arsye të thella për atë zhvendosje, atëherë duhet të pajtohemi. Përndryshe kjo zhvendosje nuk duhet të bëhet, ngase qyteti i Ferizajt do të humbet një pjesë të madhe të historisë së qytetit”, ka vlerësuar historiani Agim Zogaj.

Lidhur me pjesën e simbolikës së kësaj hekurudhe nuk është e mendimit të njëjtë, drejtoresha e organizatës INPO, Albulana Nrecaj. Ajo ka thënë se kësaj pjese mund ti bëhet një zgjidhje.

“Sa i përket simboleve identitare, Komuna do të mund të kujdesej që të konservonte objektin e stacionit të trenit, si dhe binarët e trenit, në shenjë të kujtimit të identitetit të qytetit. Mirëpo, është jetike për sigurinë e qytetarëve dhe krijimit të hapësirave të mirëfillta urbane që qarkullimi i trenave në këtë pjesë të ndalohet përfundimisht”, ka shtuar Nrecaj.

Sipas saj kjo ide në këtë komunëështë e kamotshme, mirëpo deri në këtë mandat të kryetarit Aliu, asgjë nuk është ndryshuar me pjesën kryesore të qytetit. V.K/Infokusi.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera