Lajme

Fëmijët marshojnë për të drejtat e tyre, udhëheqin edhe kuvendin

Autori: Gazeta inFokus 15:38 | 20 November 2017

Me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Zyra e UNICEF në Kosovë, Save the Children dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, organizuan marshin e fëmijëve për të drejtat e tyre.

120 fëmijë filluan marshin nga Sheshi Zahir Pajaziti deri tek Sheshi Skenderbeu. Fëmijët mbartën me vete pankarta të shtypura me mesazhe adresuar prindërve, qeverisë, deputetëve dhe gjithë shoqërisë mbi promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Mesazhet e tyre ishin: “Politikanë vetëm një punë e keni, na bëni të lumtur”, “Mos merrni vendime për ne, PA NE!”, “A po i rregulloni tekstet, e lehtësoni cantat tona, apo po e leni krejt këtë punë?”, “Ju nuk po e shihni, por dhuna është kudo mes nesh, Na ndihmoni mos ta përjetojmë!”.

Pas Marshit, fëmijët vazhduan në kuvend, për të mbajtur një Seancë plenare të drejtuar nga vetë fëmijët, me mesazhin “Fëmijët udhëheqin kuvendin”. Hapja e seancës plenare u bë nga Trina Hoti, Kryesuese nga rradhët e fëmijëve.

-Advertisement-

Fëmijët u pritën në kuvend nga Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe deputetët, bën të ditur një njoftim për media.

Fëmijët u deklaruan për prioritetet, shqetësime dhe rekomandimet, sikurse rëndësinë e të pasurit Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës; Shëndetin dhe mirëqenien; Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës; Fëmijët me aftësi të kufizuara; Fëmijët e riatdhesuar; Pjesëmarrjen e fëmijëve në vendimmarrje etj.

Në fund të seancës plenare fëmijët paraqitën dhe votuan rezolutën, ku të njejtën ia dorëzuan Kryetarit të Kuvendit.

Për të gjithë fëmijët, pa dallim, të garantohet:

• Arsim cilësor e gjithëpërfshirës, zhvillim dhe edukim që nga mosha e fëmijërisë së hershme, dhe në të gjitha nivelet e arsimin parauniversitar;
• Mjedis shkollor i sigurtë dhe miqësor për fëmijët, ku të gjithë janë të barabartë dhe me mundësi dhe qasje të barabartë, me mësues të përgatitur mirë për edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm;
• Shëndet, dhe zhvillim të duhur, parandalim të sëmundjeve ngjitëse dhe të transmetueshme, që përfshin kujdes mjekësor të një cilësie të lartë, barna dhe vaksina falas për fëmijë;
• Mbështetje dhe fuqizim të familjeve me fëmijë që jetojnë në varfëri, pa dallim, rritje ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme;
• Mbrojtje më të madhe institucionale përmes programeve sociale për të gjithë fëmijët në nevojë, përfshirë ëmijët e braktisur dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët përdorues të drogave, fëmijët në konflikt me ligjin etj.
• Ligj i veçantë dhe të zbatueshëm me sistem të qartë, të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe me buxhet adekuat për mbrojtjen e fëmijëve;
• Që ligjet dhe praktikat të mos diskriminojnë asnjë fëmijë apo grup fëmijësh, të përmbushen nevojat dhe të drejtat e të gjithëve, me theks të veçantë të fëmijëve me aftësi të kufizuar;
• Riatdhesim sa më të lehtë dhe me shërbime të integruara për fëmijë;
• Mbrojtje nga çdo formë e dhunës, ndalimi i ndëshkimit trupor në të gjitha ambientet dhe mekanizma funksional për parandalim dhe mbrojtje;
• Përfshirje aktive, konsultime dhe pjesëmarrje aktive në vendimmarrje për të gjitha çështjet që kanë të bejnë me ta dhe familjet e tyre.

Pas përfundimit të seancës plenare, përfaqësues të fëmijëve bashkë me UNICEF, Save the Children dhe KOMF, u pritën nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj. Fëmijët adresuan pikat e rezolutës drejt kryeministrit duke kërkuar angazhimin e tij në avancimin e mbrojtës së të drejtave të tyre.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera