Sport

FBK-ja: Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 09 June 2018

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) shpreh ngushëllime të thella dhe të sinqerta për vdekjen e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe legjendës së futbollit dhe sportit shqiptar në përgjithësi, Fadil Vokrri, shkruan infokusi.

E nderuara familje e z. FADIL VOKRRI!

Të nderuar drejtues e punëtorë të Federatës së Futbollit të Kosovës!

-Advertisement-

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), z. Fadil Vokrri.

Në emër të Kryetarit të FBK-së z. Arben Fetahu, Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, znj. Elvira Dushku, si edhe të gjithë anëtarëve të Bordit të FBK-së, komuniteti i basketbollit në Kosovë i përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithçka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të futbollit në Kosovë.

Kontributi i z. Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithëpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe futbollit të saj, në Evropë dhe në Botë.

Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit, në veçanti lojës të cilës Vokrri ia kushtoi një jetë, futbollit.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe jo vetëm për futbollin kosovar, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.

Lamtumirë miku ynë Fadil!

Prehu në paqe legjenda e sportit kosovar!

Me respekt,

Arben Fetahu

Kryetar

Federata e Basketbollit të Kosovës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera