Lajme

Favori i Infrakosit për firmën “Petrol Company”

Autori: Gazeta inFokus 18:59 | 21 February 2020

Një nga të paktat hapësira gjelbëruese përgjatë rrugës “Tirana” të Prishtinës, u dëmtua gjatë muajit shkurt të këtij viti nga ndërhyrja e biznesit privat “Petrol Company”. Hapësira është pronë në menaxhim të ndërmarrjes publike Infrakos, e cila ka nënshkruar këtë vit një kontratë komerciale me biznesin që merret me tregtinë e derivateve.

Një nga të paktat hapësira gjelbëruese të Prishtinës, përgjatë rrugës “Tirana” në afërsi të Stacionit të Trenit, u dëmtua gjatë muajit shkurt të këtij viti nga ndërhyrja një biznesi privat.

Degradimi i zonës ngjalli reagimin e banorëve, të shqetësuar me zvogëlimin e hapësirave të gjelbra dhe mundësinë e kontaminimit të tokës dhe ajrit nga ndërtimet që planifikoheshin të ndërtoheshin aty.

-Advertisement-

Kjo hapësirë është pronë e Infrakosit, ndërmarrjes publike të hekurudhave dhe ndodhet ngjitur me Stacionin e Trenit në Prishtinë.

Pikërisht kjo ndërmarrje i dha dritën e gjelbër një kompanie private për shfrytëzimin e tokës.

Kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, i tha Insajderit se për lejen e shfrytëzimit komercial që ndërmarrja i ka lëshuar një biznesi privat në afërsi të Stacionit të Trenit, nuk detyrohet t’u japë shpjegime banorëve.

“Ne nuk u japim llogari banorëve”, u shpreh kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, dukshëm i pa shqetësuar për kritikat e banorëve. “Është politike e ndërmarrjes, sikurse çdo ndërmarrje tjetër, për të krijuar strategji për të krijuar të hyra për Infrakosin”.

Kryeshefi Thaçi konfirmoi se Infrakosi i ka hapur rrugë komercializimit të pronës dhe i ka dhënë leje të përkohshme një biznesi privat. Mirëpo, pavarësisht insistimit të gazetës, Thaçi nuk ka përmendur emra të përveçëm.

“Shikoni, ne pronën e komercializojmë. I japim leje të përkohshme për komercializim, për krijimin e qirave dhe konkretisht krijimin e të hyrave në Infrakos. Sipas shprehjeve të interesit, ne i pajisim të gjithë ata që janë të interesuar – kur kemi shprehje të interesit si ndërmarrje”, i tha Thaçi, Insajderit, në një bisedë telefonike të mërkurën.

Për lëshimin e lejeve të përhershme, Thaçi tha se është përgjegjëse Komuna e Prishtinës.

“Ne japim pëlqim paraprak të përkohshëm, dhe në qoftë se komuna i pajisë me leje – varësisht prej planit rregullativ – atëherë ne vazhdojmë me raporte kontraktuale për qiradhënie”, tha kryeshefi i Infrakosit.

Bazuar në informacionet që ka siguruar Insajderi, bëhet e ditur se ndërtimet në këtë zonë i ka filluar firma që merret me tregtinë e derivateve, “Petrol Company”, e cila është nën pronësi të biznesmenit Shkëlzen Jusaj.

Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë përmes telefonit me Jusajn të enjten dhe të premten, por biznesmeni ka qenë i pa qasshëm.

Megjithatë, kompanisë “Petrol Company” planet ia prishi Komuna e Prishtinës, e cila të mërkurën ndërhyri në zonën e dëmtuar të gjelbërimit në afërsi të Stacionit të Trenit në Prishtinë.

Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Adonis Tahiri, njoftoi se Komuna gjobiti me 1 mijë e 500 euro kompaninë që dëmtoi gjelbërimin.

“Nga data 25 janar, Drejtoria e Inspekcionit ka në procedurë rastin e ndërhyrjes në gjelbërim pranë hekurudhës. Nga Hortkultura kemi marr bilancin e dëmeve të shkaktuara në gjelbërim, me ç’rast palës i kemi shqiptuar gjobën maksimale prej 1,500.00 eurosh, dhe me procesverbal e kemi obliguar që ta kthejë terrenin në gjendjen e mëparshme”, u shpreh Tahiri.

Tahiri njoftoi se kompania që mori pëlqim paraprak për punime të karakterit “montazhë” nga Infrakosi, nuk ka aplikuar për leje ndërtimi në Komunën e Prishtinës.

“Vlen të theksohet se deri tani nuk ka as aplikim për leje ndërtimi nga askush”, u shpreh drejtori Tahiri, duke u zotuar se “kjo zonë është e destinuar për gjelbërim, dhe do të mbetet e tillë”.

Gjatë kësaj jave, edhe kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka konfirmuar se nuk do të ketë leje ridestinimi të gjelbërimit të asaj hapësire.

“Ajo është tokë e Hekurudhës (Infrakos) e cila është ndërmarrje Publike Qendrore dhe ne nuk kemi qasje në qoftë se i kanë dhënë tokën dikujt. Askush ska aplikuar për leje dhe nga inspekcioni janë vendos shirita. Nuk do të ketë leje ridestinimi i gjelbërimit”, u shpreh kreu i Komunës së Prishtinës, përmes një shkrimi në Facebook.

Ahmeti tha se pret nga Qeveria e Kosovës që mos lejojë dhënie të tilla të pronave nga ndërmarrjet publike, siç është Infrakosi. /Insajderi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera