Faton Bislimi jep dorëheqje nga kryesia e LDK-së, rendit një varg pakënaqësish
Autori: Gazeta inFokus 10:22 | 24 May 2023
Faton Bislimi ka dhënë dorëheqje nga kryesia e LDK-së.
Dorëheqjen ai e ka bërë publike vet me anë të një postimi në Facebook.
Bislimi ka renditur një varg pakënaqësish me partinë.
“Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplot në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë). Moskonsiderata e personalizimi i skajshëm i udhëheqjes së partisë ka vazhduar. Jo më! Jo me mua, të paktën”, thuhet ndër të tjera në letrën që ai i ka dërguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ky është postimi i plotë i tij ku ai njofton dorëheqjen:
Dashnia e kontributi për vendin e interesin kombëtar kanë qenë dhe mbeten rruga ime e vetme e angazhimit politik. Rugovizmi si djathtizmi autentik kombëtar është fanari im. Kësaj rruge nën dritën e këtij fanari nuk do t’i ndahem.
Më poshtë keni tekstin e plotë të dorëheqjes sime nga Kryesia e LDK-së:
Lumir Abdixhiku, Kryetar
Anëtarëve të Kryesisë së LDK-së
24 Maj 2023
I nderuar Kryetar,
Të nderuar kolegë të Kryesisë,
Po ju shkruaj për t’ju njoftuar me vendimin tim për të dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, efektivisht nga sot. Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit. Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesëve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve fallso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poena politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, qëndroj i palëkundur edhe tash e tutje!
Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm. Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplot në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë). Moskonsiderata e personalizimi i skajshëm i udhëheqjes së partisë ka vazhduar. Jo më! Jo me mua, të paktën!
Data e sotit koincidon me Ditën e Presidentit, një celebrim demokratik që Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, e kishte institucionalizuar. Është pikërisht kjo figurë emblematike e kombit tonë që më ka dhënë e vazhdon të më jep frymëzim për të ardhmen dhe politikën. Janë urtësia e vizioni i palëkundur politik që shpërfaqte Presidenti Rugova si virtyte të politikës që do duhej të lartësoheshin sot. Dhe, pikërisht, për ta bërë këtë, unë lirohem nga këto pozita partiake, ashtu që me secilin që beson në LDK-në autentike rugoviste, në vizionin djathtist kombëtar, bazuar në urtësi politike, të mund të punojmë bashkërisht për interesin e kauzën kombëtare, e jo për tekamendjet e dikujt që pozitën personale e sheh si qëllim politik e nënshtrimin e përdorimin oportunist të të tjerëve si virtyt politik.
Nga thellësia e zemrës falëmnderoj secilin aktivist e aktiviste të LDK-së, secilin anëtar besnik të LDK-së, e secilin votues anekënd Kosovës dhe nga mërgata jonë (të cilët janë gurthemel i shtetit tonë)! U jam përjetësisht mirënjohes për nderin jetësor që me keni dhënë të isha Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe Anëtar i KP dhe Kryesisë së LDK-së së fundi. Nuk ua harroj asnjëherë këtë besim dhe nuk po ndahem nga ju assesi. Andaj, me gjithë kapacitetin tim do vazhdoj angazhimin tim për kauzën tonë kombëtare, për idealet e ruajtjes dhe sforcimit të shtetit të Kosovës – sidomos në këtë kohë kritike për vendin – në bashkëpunim të ngushtë me miqët tanë të njëmendtë në Ëashington, DC. Përvoja ime në Capitol Hill tash e mbi dy dekada më ka mësuar shumëcka, por një është e vecantë (e thënë nga Presidenti Abraham Lincoln): “nuk mund t’i ikësh përgjegjësisë të së nesërmes duke i bishtruar asaj sot!” .
Të tjera
-
O’Brien: SHBA do t’i kushtojnë vëmendje nevojave të Kosovës që të ketë sukses në aspiratat e saj
Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazi...
-
Pas tri javësh, rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në rastin “Thaç...
-
Gjendja e rrugëve drejt pikave kufitare e kalueshme, por pajisjet dimërore të domosdoshme
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur gjendjen e rrugëve që ...
-
Arrestohet një i dyshuar për dhunë në familje në Gjakovë
Një person është arrestuar në Gjakovë për dhunë në familje. Ai dyshohe...
-
Vazhdon periudha e aplikimit për akreditimin e mediave dhe vëzhguesve- Si bëhet aplikimi?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha e apli...
-
Ia gjetën një snajper në shtëpi, Policia e arreston e më pas e liron burrin në Deçan
Një person është arrestuar e më pas është liruar pasi në shtëpinë e tij është...
-
Arrestohen dy persona në Lipjan, dyshohen për shitje narkòtikësh
Dy persona janë arrestuar pasi njërit i janë gjetur 10 qese të vogla me marih...
-
PDK sot mban tubim elektoral në Ferizaj
Pas hapjes së fushatës zgjedhore, Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbaj...
-
Moti sot: I vranët dhe me reshje të borës, temperaturat deri në 0 gradë Celsius
Ko Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se sot do të mbajë mot...
-
Dervishaj: Më nuk ka kthim pas, vetëm përpara
Kandidati nga diaspora me numrin 77 nga Partia Demokratike e Kosovës, Shahin ...
-
Aksidentohet autobusi në Gjermani, dy persona vdẹsin e katër lëndohen rëndë
Dy persona humbën jetën dhe katër u lënduan rëndë kur një autobus u përmbys n...
-
Parashikimi i motit për të dielën
Për të dielën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore të intens...