Lajme

Faruk Mujka i VV-së e krahason KTV-në me Sputnikun, reagon AGK

Autori: Gazeta inFokus 22:54 | 04 December 2024

Kryshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, e ka sulmuar gazetare Mimoza Koprani-Muçaj dhe mediumin Kohavision duke e krahasuar me mediat e kontrolluara nga shteti i Rusisë.

Pas kësaj ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK-ja e ka dënuar gjuhën linçuese të Faruk Mujkës kundër gazetares së KTV-së, Mimoza Koprani Muçaj.

-Advertisement-

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon sulmin që kryeshefi ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka ka bërë kundër gazetares, Mimoza Koprani Muçaj, autore e emisionit Konfront në KTV.

Duke reaguar për pyejtet e gazetares në intervistë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Mujka mes tjerash e ka quajtur zhvillimin e pyetjeve si diçka “skajshmërisht e poshtër dhe keqpërdorim ekstrem i mediumit publik me qëllim të përhapjes së gënjeshtrave dhe denigrimin e personave që ju pengojnë qëllimeve të tyre, pra qëllimeve të grupit të Stanishiqit”.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ish-zyrtari i Vetëvendosjes e ka krahasuar televizionin KTV me Sputnikun dhe Russia Today, makina propaganduese të regjimit të Putinit.
“AGK-ja konsideron se kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme ndaj gazetares dhe mediumit ku punon ajo.”, thuhet tutje në reagim.

Sipas AGK-së, Mujka dhe zyrtarë të tjerë publikë duhet të ballafaqohen me të gjitha pyetjet që ngriten për interesin e publikut dhe të ndalojnë së përdoruri gjuhë denigruese.

Mujka ka sulmuar me një gjuhë të vrazhdë mediumin Kohavision. Ai ka thënë se në emisionin Konfront që transmetohet aty, janë thënë shumë pasaktësi dhe të pavërteta rreth Ibër Lepencit dhe infrastrukturës së saj nga moderatorja Mimoza Koprani-Muçaj.

“Ajo tha se unë pasna deklaruar se riparimi i dëmit të shkaktuar pas eksplodimit në Varage do të kushtoj 1 mln€ dhe se kështu unë do të provoj të përfitoj diçka. Realisht unë kam thënë kujtdo që më ka pyet se vlerësimi i dëmit nuk mund të bëhet derisa aquadukti është nën regjim të ujit. Pra vetëm kur të zbrazet uji nga aquadukti mund të bëhet vlerësimi”, ka shkruar Mujka, anëtari i VV-së në Facebook.

Ai madje ka shkuar edhe më tutje duke e krahasuar KTV-në me mediumet propagandistike qeveritare ruse, Sputnik dhe Russia Today.

“Kur ke këso media nuk të duhet fare Sputnik dhe Rusia Today. Ka kush kryen punën e tyre”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova lanson Kredinë për Ekonominë Qarkore – e para dhe e vetmja e këtij lloji në Kosovë
-Advertisement-

Të tjera