Lajme

Familjarët e Artan Zymberit: Serbia nuk na la me marrë kufomën, duan t’i fshehin faktet

Autori: Gazeta inFokus 15:40 | 06 December 2022

Artan Zymberi, ishte i arrestuar e po mbahej në burgun e Sremska Mitrovica. Brenda burgut ra një zjarr. Artani vdiq vetëm disa ditë pas kësaj.

Familja e Artan Zymberit dyshon se djali i tyre, u mbyt në burgjet e Serbisë, e sot kur do të duhej ta mernin kufomën, Policia serbe nuk e ka lejuar njërin nga familjarët e Artanit, të futet në Serbi. Ata janë nisur sërish për herën e dytë, drejt Beogradit. Kësaj rradhe babai i Artan Zymberit. Nacionale sjellë detaje.

Kufoma ende në Serbi

Ndonëse incidenti në burgun e Sremska Mitrovicës, kishe ndodhur më 22 nëntor të këtij viti, e për vdekjen e Artanit, familjarët, kishin mësuar vetëm disa ditë më pas, trupi i tij gjendet ende në duart e institucioneve serbe.

-Advertisement-

Një familjar i Zymberit, në kushte anonimiteti i ka thënë Nacionales, se sot kanë shkuar për ta marrë trupin e pajetë të Artanit, por se Policia serbe, i ka kthyer mbrapsht. Por siq mer vesh Nacionale, ata janë nisur sërish për në Serbi.

“Neve na kthynë, nuk na lanë me hy në Serbi. Kinse për mungesë dokumenti, por Serbia na ka qitë afate. Nuk po dojnë me na dhanë trupin, sepse po dojnë me fsheh fakte. Kemi frikë se e kallin kufomën. E kemi një avokat norvegjez. Qëllimi jonë është ta marrim trupin dhe t’a bëjmë obduksionin”, Megjithatë ne jemi nis prapë, sepse kemi frikë se e djegin trupin e tij. ka thënë ky familjar në kushte anonimiteti për Nacionalen.

Artani ka qenë shumë i lidhur me Kosovën. E kemi “amanet” prej tij ta varrosim në Kosovë, ka thënë tutje familjari.

Dyshimet e familjes: I ndjeri e kishte tatuazh Adem Jasharin

Dyshimet kryesore të familjes Zymberi janë se ai u mbyt në burg sepse mbante në gjoks tatuazh Adem Jasharin, e në krahëror Skënderbeun.

“Ngjarja që u kallë burgu ka ndodhë me 22 nëntor. Aty është raportu vetëm se janë lëndu 4 gardianë. Neve na kanë thënë në fillim se ka vdekë prej zemrës, pastaj prej lukthit. Atë raport Serbia ja ka dërgu Norvegjisë. Por ne nuk e kemi pranu raportin, se Artani ka vdekë prej shkaqeve natyrore, sepse pra, pak ditë më herët ka pasë shpërthim në burg. Kemi kërku, obduksionon me bë në Norvegji, për me i ditë shkaktarët”, tregon njëri nga familjarët.

Tutje familjarët tregojnë se kur e kanë vizituar Artanin në burg, ai ka qenë i maltretuar.

“Kur ka shkuar nëna e Artanit në vizitë aty në burg, e ka pa se djali është malltretuar. Madje ai është frikësu me bë muhabet të lirë, me nënnë e tij. Siq tregon vetë nëna e Artanit, gjatë vizitës në burg, Artani tërë kohën e ka kthyer kokën mbrapa, duke u frikësuar se dikush po i vjen nga mbrapa”

Familjarët e Artanit thonë se për krejt këto arsye, ata kanë vendosur që ta kërkojnë ekstradimin e djalit të tyre, për në Norvegji.

“E kemi kërku për me ekstradu në Norvegji. Në Serbi e malltretojshin, e rrahnin. E pamë se djali i ka punët keq. Por qe tash, në proces të ekstradimit jemi kanë, por Artani vdiq. Ne jemi të bindur se e kanë mbyt, veqse ka pasë tatuzhat me Adem Jasharin e me Skënderbeun, edhe kur e kanë arrestu ka qenë me veturë, me një shqiponjë të madhë përpara” deklaron ky familjar. Madje për këto pretendime, familjarët pretendojnë se e kanë një dëshmitar, i cili gjindej në burg me Artanin, e që është nga Siria.

Pse u arrestua Artani?

Burimi i Gazetës Nacionale, ka thënë se Artan Zymberi, u arrestua në kufi me të hyrë nga Kosova në Serbi, para një viti.

Arsyet e arrestimit të tij, gjithmonë sipas burimit, ishin sepse Artanit iu gjetën disa medikamente, të cilat ai po i merrte me vetë për në Norvegji.

Për Artan Zymberin u nis edhe procesi gjyqësor, për çka ai u dënua, me 3 vjet e gjysmë burgim, thotë burimi.

“E kanë dënu, 3 vjet e gjysmë. Tash ka pasë me u ekstradu këtu ne Norvegji.”

Çka raportuan mediat Serbe?

Mediat serbe, raportuan për zjarrin i cili “ra” në burgun e Sremska Mitrovica. 6 ishte bilanci i të lënduarëve sipas, Kuririt serb.

4 roje e 2 të burgosur, u lënduan, u dogjën dyshek, e tymi mbase ua zuri frymën. Thuhej ndër të tjera në raportimet e mediave serbe.

“Gjithsej katër roje dhe dy të burgosur janë lënduar mbrëmë në një zjarr që ka ndodhur në IEVP në Sremska Mitrovicë. Sipas informacioneve jozyrtare, mbikëqyrësi kujdestar i burgut në orën 23:20 ka lajmëruar zjarrfikësin në Sremska Mitrovicë. dhe raportoi se kishte rënë zjarr në katin përdhes të njërit prej pavioneve. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë pasi janë thirrur, por në momentin që kanë mbërritur rojet e burgut kanë arritur të shuajnë zjarrin”, thuhej në raportimin e mediave serbe.

“Gjatë asaj ndërhyrjeje janë plagosur katër gardianë, me gjasë nga thithja e tymit, si dhe dy të burgosur të tjerë. Ata u ndihmuan nga ekipi i urgjencës – sipas një burimi të mirëinformuar. Gjithsej gjashtë zjarrfikës të cilët kanë arritur në Institucionin Korrektues Sremska Mitrovica me një automjet kanë kryer kontrollin e vendit të zjarrit. Dyshohet se nga zjarri janë djegur disa dyshekë. Nuk dihet ende se si ka rënë zjarri, por do të përcaktohet nga një hetim i detajuar.” shkruanin mediat serbe.

Siq duket njëri nga dy të burgosurit e “lënduar” ishte vetë Artan Zymberi, por që më pas, për vdekjen e tij nuk u raportua askund në Serbi.

Mediat e Norvegjise, e raportuan vdekjen

Sipas mediumit norvegjez vg.no, Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka qenë në dijeni që një shtetas norvegjez ka vdekur në Serbi.

Kështu i kishte thënë mediumit këshilltari i lartë i ministrisë, Lars Gjemble.

Përveç ndarjes së informacionit se janë informuar të afërmit e tij, Ministria e Jashtme nuk ka mundur të jap më shumë detaje.

Reagon KMDLNj, kërkohet drejtësi

KMDLNj, ka reaguar në lidhje me vdekjen e Artan Zymberit, duke kërkuar që të sqarohen detajet.

“Të drejtat e personave të privuar nga liria, si grup i cenueshëm garantohet me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare e që zbatimi i këtyre të drejtave mbikëqyret në mënyrë efektive nga organizatat e pavarura për të drejtat e njeriut apo mekanizmat e tjerë të pavarur siç janë Avokati i Popullit dhe Mekanizmat për Parandalimin e Trajtimit Degradues.

Vdekja e një të burgosuri pavarësisht rrethanave dhe shkaktarit, gjithmonë ngre dyshime sidomos në familje por edhe në opinion. Më 30 nëntor 2022 është raportuar në mediat norvegjeze se në rrethana të pasqaruara në Burgun e Sremka Mitrovicës në Serbi ka vdekur Artan Zymberi , shtetas norvegjez, shqiptar nga Peja, i dënuar me 3 vite burg dhe në mbajtje të dënimit mbi 1 vit.

KMDLNj merr vesh se pas viti të ri, i ndjeri Artan Zymberi do të transferohej në një institucion korrektues në Norvegji ku do të mbante dënimin e mbetur.

Familja dhe miqtë e të ndjerit ngrejnë dyshime se ai mund të jetë vrarë.

KMDLNj rekomandon familjen e të ndjerit që pas tërheqjes së kufomës së të ndjerit Artan Zymberi të kërkojë që të bëhet përsëri obduksioni dhe ekspertizë shtesë për të hequr dilemat apo vërtetuar dyshimet e vdekjes.

Shtetasit e Kosovës që janë në vuajtje të dënimit në Serbi por edhe shqiptarët që janë shtetas të shteteve tjera ndihen të pasigurt në Serbi andaj është domosdoshmëri që sa më parë të nënshkruhet (në kuadër të bisedimeve) Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për transferimin e të dënuarve në vendet e origjinës në përputhje me standardet ndërkombëtare.” thuhet në reagim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera