Lajme

Falsifikohet betimi i ushtarit të UÇK-së?!

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 16 October 2020

Vlerë e mbrojtur e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është teksti i Betimit të ushtarit të UÇK-së. Kështu thuhet në projektligjin për Mbrojtën e Vlerave të Luftës së UÇK-së, që tash e sa muaj nuk po e merr besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Teksti i plot i betimit të ushtarit të UCK-së është vendosur në shtojcën e këtij projektligji bashkë me stemën e elementet tjera.

Por ky version i betimit të ushtarit të UCK-së, nuk është dëgjuar asnjëherë gjatë ceremonive solemne të betimit të ushtarëve të UÇK-së.

-Advertisement-

Versioni i tekstit të betimit të ushtarit të UCK-së që është vendosur në projektligj, është i ngjashëm me disa versione të dhënë nga ushtarët por asnjëherë i njëjtë.

Në projektligj ekziston ky version: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtarë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.

Betohem, Betohem, Betohem”.

Në këtë version, krahasuar me atë në të cilin gjatë luftës janë betuar ushtarët e UCK-së shihet se mungojnë disa elemente ose janë zëvendësuar disa fjali.

Betimi i ushtarit të UÇK-së

Betimi i ushtarëve të UÇK-së në Bllacë, më 11 qershor të vitit 1998 është betimi për të cilën thuhet të ketë qenë betimi zyrtarë i ushtarëve të UCK-së. Nga ky betim besohet se është përpiluar edhe betimi i ushtarit të UCK-së që është vendosur në shtojcën e projektligjit.

Në betimit e thënë nga usharët e UCK-së në Bllacë në qershor të vitit 1998, ushtarët e rijnë zotohen para flamurit kombëtarë se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, version ky që është hequr në tekstin e propozuar.

Ushtarët e UCK-së në atë ditë solemne janë betuar se: ”Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm, që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem më ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM!”

https://www.youtube.com/watch?v=yh1p2FPQL8w

I njëjti betim është thënë edhe më 7 shtator të vitit 1998 në Rugovë ku shumë të ri rugovas dhanë betimin përpara Komandantit të tyre Smajl Hajdaraj.

Betimin solemn do ta gjeni në këtë link.

https://www.youtube.com/watch?v=fjIdu63J0WI

Rregullorja e përkohshme për organizimin e jetës së brendshme të ushtarit të UCK-së

Gazeta inFokus ka gjetur se kjo çështje ishte e rregulluar edhe në kohën e luftës.

Sipas rregullores së përkohshme të UCK-së ku flitet për Organizimin e jetës së brendshme në ushtri, betimi ushtarak ka qenë një akt solemn një ngjarje e shënuar në jetën e çdo ushtari me vlera të mëdha njerëzore e kombëtare, morale dhe politike.

Përmbajtja e Betimit Ushtarak ishte kjo: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që më çdo kohe, pa kursyer as jetën time të luftojë për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftë, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM”.

Sipas kësaj rregulloreje, betimi ushtarak bëhej gjatë muajit të parë të shkuarjes në ushtri, pasi më parë të jetë dhënë urdhri nga komandanti i njësisë (repartit).

“Betimi i ushtarit është më se një akt me rëndësi të veçantë në jetën e çdo ushtari. Andaj në këtë ditë duhet të organizohet një ceremoni modeste me pjesëmarrjen e udhëheqësve ushtarak dhe politikë (nëse lejojnë kushtet e luftës edhe prindërit). Betimi bëhet para flamurit”, thuhej në rregullore.

Me këtë përcaktoheshin edhe kriteret tjera.

“Në kohën e caktuar, kur në njësi vjen përfaqësuesi i komandës eprore, komandanti i njësisë jep komandën: “Gatitu! Nderimi në qendër (majtas, djathtas), për nder armë!” dhe i raporton: “Zoti gjeneral, efektivi i Kompanisë së (I ose të II) të këmbësorisë, me rastin e ceremonisë së betimit ushtarak, është rreshtuar. Komandanti i kompanisë, kolonel Çeliku”. I deleguari pasi kalon gjithë efektivin, ndalon në qendër të rreshtimit dhe uron:
“Me rastin e ditës së betimit ushtarak, ju uroi!” Efektivi i përgjigjet me tri “URRA” të zgjeruara.
Pas përshëndetjeve, komandanti i kompanisë ose i ndonjë tjetër, del në qendër të rreshtimit dhe jep komandën: “Për betim!” Me këtë komandë flamuri kombëtar dhe 10-15 hapa përpara”, thuhet në këtë rregullore.

Krahas këtyre betimeve, ekziston edhe një verzion tjetër që përdorej në vitin 1998 nga një pjesë e ushtarëve të cilët ishin nën kompandën e ish-komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi.

Betimi i ushtarit të FARK-ut

10 ditë pas betimit solemn të ushtarëve të UCK-së në Bllacë, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK-u) ka mbajt një ceremoni betimi të ushtarëve. Më 21 qershor të vitit 1998, brigadat 131, 134 dhe 133 kanë dhënë betimi para komandantit Tahir Zemaj. Në këtë betim ka qenë prezent edhe komandanti i shtabit të përgjithshëm të Forcave të armatosura të republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi. Ky betim është krejtësisht më ndryshe nga ai i ushtarëve të UCK-së në Bllacë. Ndërkaq, teksti i betimit të FARK-ut ishte publikuar 6 ditë më herët, më 15 Qershor 1998 kur edhe është lëshuar komunikata nga Drejtoria Informative e FARK-ut me tekstin e betimit.

Kjo është komunikata:

Në bazë të urdhërit nr.3/10 të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

REPUBLIKA E KOSOVËS
FORCAT E ARMATOSURA
DREJTORIA INFORMATIVE Kosovë, 15 Qershor 1998

Komunikatë Nr.6
Në bazë të urdhërit nr.3/10 të Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Drejtoria Informative njofton se në të gjitha njësitë do të përdoret një tekst i betimit. Teksti i betimit është ky :

TEKSTI I BETIMIT

Unë ……………………………ushtari i popullit tim BETOHEM në emër të ATDHEUT dhe KUSHTETUTËS, përpara ZOTIT dhe FLAMURIT kombëtar, se do të jem besnik dhe i pakursyer në luftën për çlirimin e Kosovës, kundër pushtuesit dhe tradhtarëve të vendit, deri në pikën e fundit të gjakut tim.

Do të jem ushtarë i bindur dhe i disiplinuar, dhe do të zbatojë me korrektësi urdhërat dhe detyrat e komandave eprore që lidhen me luftën çlirimtare, ushtrinë dhe sekretin ushtarak.

BETOHEM

https://www.youtube.com/watch?v=n8UMx3CKKbs

Ushtarët e UÇK-së me versione të ndryshme të betimit

Nëse pak hulumtohet në video incizimet e asaj kohe, shihet qartës së ushtarët e UCK-së kanë përdorur versione të ndryshme të betimit. Një njërin nga betimet masovike që kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë, ku prezent ishin struktura të larta të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së është përdorur ky version: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, BETOHEM,  se do të jem kurdoherë ushtarë besnik i popullit të Kosovës luftëtar i denjë, trim dhe i disiplinuar, i gatshëm dhe me jetën time të mbroj qëllimin e lartë, fisnik të drejtë të popullit tim, për një Kosovë të pavarur. Ndëshkimi më i rëndë le të më jepet në qoftë se shkelë këtë betim solemn. Betohem, Betohem, Betohem

https://www.youtube.com/watch?v=f8z8iMMn7zY

Një betim më të përafërt me atë të prezantuar në ligjin për vlerat e UCK-së është thënë në më 28 nëntor të vitit 1998 në Prekaz. Por edhe ky betim është më ndryshe dhe në këtë betim është thënë “se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare”, që në propozimi në ligj fjala pushtim nuk ekziston.

(Versioni origjinal i thënë në 28 nëntor të vitit 1998 në Prekaz që do ta gjeni në link)

Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre dhe do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm, që në çdo kohë, pa kursyer edhe jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM

https://www.youtube.com/watch?v=atN_EogyrME

Versione të shkurtuara të betimit të ushtarit të UÇK-së

Një version më ndryshe i betimit të ushtarëve të UCK-së është thënë në Brigadën 128 Sulmuese të UÇK-se para komandant Enver Rrustemi. Prezent në ketë betim ka qenë edhe ndihmës ministri i Mbrojtjes së Kosovës, z Hajdin Abazi. Eprori i kësaj brigade ishte Fazli Berisha.

“Unë, ushtari i ushtrisë çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtarë besnik, luftëtar i denjë i lirisë. Betohem Betohem Betohem”.

https://www.youtube.com/watch?v=2YRKeVSpZow

Version i shkurtër i betimit është bërë nga qindra ushtarë të UCK-së më 8 nëntor të viti 1998 në Shkabaj të Drenasit në Brigada 114.

“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se do të luftoj Do të jem përherë ushtarë besnik, luftëtar i denjë i lirisë. Dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. Betohem”

https://www.youtube.com/watch?v=cjjOAW4XHlc

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera