Opinione

Falënderimi i takon inteligjencës së NATO-s

Autori: Gazeta inFokus 16:17 | 26 September 2023

Kosova deri në vitin 1999 ishte e pushtuar nga Serbia dhe gjatë tërë kësaj kohe ishte nën ombrellën e sigurisë (terrorit) së Serbisë së mbështetur nga Rusia. Nga viti 1999 Kosova ka 24 çlirim dhe vetëm 15 shtetësi. Viti 1999 e gjeti Kosovën pothuajse të shkretuar nga terrori pushtues serb që kulmoi me gjenocid ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare. Dhe më pas, në Kosovë çdo gjë duhej të fillonte nga zero duke filluar sigurimi i kafshatës së gojës, kulmit mbi kokë e deri te ndërtimi i institucioneve për shtetin që po vinte.

Përderisa pas luftës çlirimtare të Kosovës BE ishte e interesuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës në tërësinë e tyre, NATO dhe SHBA ishin specifikisht të interesuara në ndërtimin e institucioneve të sigurisë. E pritshme kjo, ngase BE është organizatë politike dhe ekonomike, ndërsa NATO e sigurisë. Përgatitja profesionale e institucioneve të sigurisë i atribuohet ekskluzivisht kontributit të jashtëzakonshëm të NATO-s në përgjithësi dhe SHBA-së në veçanti. E përgatitja e institucioneve të sigurisë përfshinte: shkëmbime informatash, ndërtim politikash, hartim legjislacioni, pajisje me armë e IT, ndërtim dhe zhvillim i kapitalit njerëzor, etj. Nuk është e rastësishme që Kosova – edhe pse me vetëm 15 vite shtetësi – ka institucione të sigurisë, nëse jo më të mira, së paku të nivelit me vendet e rajonit.

Ja vetëm një shembull i ndihmës amerikane në siguri: Për të rritur sigurinë e hyrjeve dhe daljeve në Kosovë, SHBA menjëherë pas lufte – në vazhdën e luftës së saj kundër terrorizmit – i kishte dhënë Kosovës Skanerin PISCES (Personal Identification Secure Comparison and Evaluation System), i cili ishte vendosur në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kosovës. Ky Skaner ka qenë i lidhur me Agjencinë e Regjistrit Civil që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshm për të vërtetuar të dhënat e pasaportave dhe letërnjoftimeve.

-Advertisement-

Në të ardhmen Skaneri PISCES pritej të lidhej në mënyrë elektronike së paku edhe me Gjykata, Prokurori, Administratë Tatimore, Dogana, Agjenci të Veterinarisë dhe Ushqimit, Ministri të Drejtësisë (burgje dhe bashkëpunim juridik ndërkombëtar), Ministri të Punëve të Jashtme (seksioni i vizave) dhe me Qendrën e Regjistrimit të Veturave për t’i lexuar në mënyrë elektronike targat e veturave nëpër të gjitha pikëkalimet kufitare. Ka edhe shumë raste tjera ku NATO dhe SHBA fokusin e kryesor e kanë pasur në siguri. Fundja ishte SHBA ajo që në vitin 2018 i kishte dhënë dritën e gjelbër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Po pse NATO e SHBA investuan në siguri?

Që nga kohërat e lashta e deri me sot, në çdo perandori, mbretëri apo shtet, siguria nacionale ka qenë dhe do të jetë primare. Fundja edhe kafshët ashtu sikurse edhe vetë njeriu luftojnë para se gjithash për siguri. E logjika e SHBA-së është prej Superfuqie: një vend që s’ka siguri, s’ka para se gjithash as jetë, e aq më pak zhvillim e prosperitet. Kush ka informatën, sundon botën. E informatat nuk mund të sigurohen po institucione të fuqishme të sigurisë. Kur ke institucionet e sigurisë, siguron informatat, kur ke informatat, projekton masat e nevojshme që parandalojnë rrezikun. Superfuqitë investojnë shumë më shumë në parandalim të rrezikut sesa në luftim.

Prandaj, shumë më të fuqishme në SHBA janë institucionet e sigurisë sesa vetë institucioni i Presidentit. Nuk është e rastësishme që investimet e SHBA-së në siguri peshojnë pothuajse investimin e të gjitha shteteve të botës të marra së bashku. SHBA është i vetmi shtet që ka baza ushtarake pothuaj në çdo cep të botës. E bazat ushtarake shërbejnë para se gjithash për sigurinë nacionale të SHBA-së.

SHBA ka dy mure të mëdha që i mban nën infrastrukturën e saj të sigurisë: muri lindor i saj është Evropa e integruar nën infrastrukturën e sigurisë së NATO-s që i ruan sigurinë nacionale të SHBA-së në Atlantik; dhe muri perëndimor në Pacifik që përbëhet nga Japonia, Tajvani, Koreja Jugore, Azia Juglindore, Australia dhe Zelanda e Re, të cilat të marra së bashku janë të integruara në infrastrukturën e sigurisë së SHBA-së për t’ia ruajtur SHBA-së sigurinë nacionale në Pacifik.

Dhe meqë SHBA përpos ajrit është e cenueshme dhe nga uji, pra në lindje, nga Atlantiku dhe në perëndim, nga Pacifiku, atëherë pikërisht në këta dy krahë ajo investon pafund para se gjithash në siguri. Ndërkohë që në Oqeanin Indian që lidh Atlantikun me Pacifikun, SHBA mban baza të fuqishme ushtarake për të siguruar lirinë e navigimit si dhe për të parandaluar daljen e Rusisë në ujëra të nxehta (në Oqeanin Indian) nga ku do të rrezikoheshin rrugët kryesore të transportit detar në glob. Ndërkohë që në brendi të saj, SHBA është autostradizuar dhe hekurudhizuar duke e pasur parasysh para se gjithash sigurinë nacionale të saj, sepse në rast lufte përmes autostradave dhe hekurudhave të mund t’i lëvizë me shpejtësi trupat ushtarake nga lindja në perëndim dhe anasjelltas.

Ndërtimi i infrastrukturës së sigurisë së Kosovës

Kosova pas çlirimit qe futur nën infrastrukturën e sigurisë së NATO-s. KFOR-i, pra NATO, vazhdon të jetë përgjegjës për sigurinë e Kosovës. Shkëmbimet e informatave të nevojshme mes KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës s’janë kurrfarë sekreti. Askush më mirë sesa KFOR-i s’e skanon gjendjen e sigurisë brenda dhe përreth kufijve të Kosovës. Të gjitha institucionet e sigurisë së Kosovës janë ndërtuar dhe zhvilluar nga SHBA dhe NATO. Dy autostradat e Kosovës Prishtinë-Tiranë dhe Prishtinë-Shkup qenë ndërtuar para se gjithash për sigurinë nacionale të Kosovës si kundërpërgjigje ndaj Qendrës ‘Humanitare’ Ruse në Nish të Serbisë, nga ku Rusia përmes Serbisë vazhdon të projektojë destabilizim e kaos në Ballkan.

Futja e befasishme e trupave ruse në vitin 1999 në Aeroportin e Prishtinës e kishte rritur nevojën për ndërtimin sa më të shpejtë të autostradave Kosovë-Shqipëri dhe Kosovë-Maqedoni. Fakti që autostradat ishin ndërtuar nga një kompani gjigante amerikane e inxhinierisë civile, flet më së miri për përkushtimin amerikanëve për aspektin e sigurisë në Kosovë. Dhe nëse në vitin 1999 një zbarkim i NATO-s në Kosovë (përmes Maqedonisë dhe Shqipërisë) ishte tepër i vështirë ngaqë s’kishte ndonjë rrugë adekuate, sot kjo mund të ndodhë brenda një apo dy orëve. Futja në NATO e Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi ishte në funksion të futjes së rajonit nën infrastrukturën e sigurisë së NATO-s. SHBA e sheh tërë Kontinentin e Evropës nga prizmi i sigurisë, ndaj as Kosova s’përbën kurrfarë përjashtimi. Lufta në Ukrainë po mbështetet nga SHBA pikërisht për ta siguruar Evropën, e me këtë vetë krahun lindor të SHBA-së, pra Atlantikun.

Është pikërisht kjo infrastrukturë e sigurisë së NATO-s që vazhdon të kontribuojë në parandalimin dhe minimizimin e përpjekjeve të Serbisë dhe Rusisë për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit. Po të mos kishte qenë infrastruktura e sigurisë së NATO-s do të kishim këto zhvillime: ish-Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, do të ishte i vrarë sot nga shërbimet e fshehta serbo-ruse në vitin 2016 dhe Mali i Zi do të shembej së brendshmi, pastaj si Mali i Zi ashtu sikurse edhe Maqedonia e Veriut nuk do të kishin mundur të futeshin në NATO e aq më pak ta njihnin pavarësinë e Kosovës, Shqipëria pastaj do të vazhdonte të kishte prezencë të theksuar ruse në territorin e saj, si dhe gjendja në veri të Kosovës do të ishte shumë më e keqe sesa që është sot; me një fjalë rajoni i Ballkanit do të ishte shumë më keq sesa që është sot.

E shembulli më i mirë i fuqisë së infrastrukturës së sigurisë së NATO-s përballë Serbisë vërehet më së miri në Kosovë. Derisa Qeveria aktuale e Kosovës dërgonte njësitë policore në Veri të Kosovës pa u koordinuar me NATO-n, Kosova menjëherë qe futur nën sanksione të Perëndimit. Sapo Kosova më 25 shtator 2023 u koordinua plotësisht me NATO-n për t’i dërguar njësitë speciale në Veri, në më pak se 24 orë shënoi fitore të rëndësishme politike kundër Serbisë duke e parandaluar kështu një sulm paramilitar terrorist të Serbisë që për synim kishte destabilizimin e Veriut të Kosovës për llogari të Serbisë dhe Rusisë.

Fakti që NATO vazhdon t’i qëndrojë afër Policisë dhe vetë shtetit të Kosovës, jep mjaftueshëm të kuptosh që shkëmbimi i informacioneve mes strukturave të sigurisë së NATO-s dhe atyre Kosovës kishte funksionuar siç ishte më së miri, ndaj edhe mbështetja e aksionit të Policisë së Kosovës nga NATO e BE ishte evidente. Do të ishte e paparamendueshme dhe për më tepër e pandershme vetëm ta mendosh që NATO s’i kishte ndihmuar Policisë së Kosovës me informacione për ta parandaluar kështu një sulm brutal të formacioneve paramilitare terroriste serbe në veri të Kosovës.

Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të qartë se pa koordinim e bashkëpunim me NATO do të futet në masa edhe më të rënda ndëshkuese. Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se Kosova sa herë që është koordinuar me NATO-n ka fituar përballë Serbisë duke filluar nga çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi, prandaj nuk duhet ta helmojë opinionin publik me gjuhë anti-SHBA, anti-NATO dhe anti-BE.

Në qoftë se duam shtrirje të autoritetet në veri të Kosovës, atëherë patjetër që duhet të koordinohemi me Perëndimin, sepse sapo dhamë shenjat se nuk po koordinoheshim me NATO-n, Serbia menjëherë bëri agresion për ta shfrytëzuar këtë situatë në favor të saj. Prandaj, krahas inteligjencës së NATO-s, edhe institucionet e sigurisë së Kosovës ishin në nivel detyre përballë agresionit paramilitar terrorist të Serbisë. A.H.



Anëtarësohu në grupin e Infokus në Viber: GAZETA INFOKUS – VIBER – ANTARËSOHU

Dhe në grupin e Infokus në Facebook: GAZETA INFOKUS – FACEBOOK – ANTARËSOHU

Festa nuk ka përfunduar në Viva FRESH – KULMI I ZBRITJEVE po vazhdon

Të tjera