Lajme

Fakulteti Juridik dhe Presidentja Osmani nderojnë jetën dhe veprën e prof. Asllan Bilallit

Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 25 April 2025

Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës u mbajt sot mbledhja komemorative në nder të jetës dhe veprës së profesorit të njohur, prof. dr. Asllan Bilalli. Me këtë rast, u përcollën fjalë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin dhe shkencën juridike.

Në shenjë respekti, edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, dërgoi një telegram ngushëllimi për familjen Bilalli, në të cilin theksoi: “Profesor Bilalli dha kontribut të çmuar në mësimdhënie, kërkime shkencore, angazhimin institucional, si dhe në fushën e të drejtës ndërkombëtare private dhe të drejtës romake. Qoftë i përhershëm kujtimi për profesor Asllan Bilallin!”.

Profesor Asllan Bilalli, i lindur më 9 nëntor 1952, diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës më 1975 dhe vazhdoi studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit dhe Prishtinës. Ai ndoqi gjithashtu seksionin e të Drejtës Ndërkombëtare Private në Akademinë e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare.

-Advertisement-

Pas një periudhe pune në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë si bashkëpunëtor profesional, në vitin 1984 ai iu bashkua Fakultetit Juridik të UP-së, ku për afro katër dekada shërbeu si profesor, studiues, mentor dhe udhëheqës institucional. Gjatë kësaj kohe, ligjëroi lëndë nga e drejta ndërkombëtare private dhe e drejta romake, dhe publikoi një numër librash universitarë, monografishë dhe artikujsh shkencorë.

Prof. Bilalli dha gjithashtu një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut, duke qenë dekani i parë i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës dhe më vonë dekan dhe nënkryetar i bordit në Universitetin e Evropës Juglindore.

Në karrierën e tij, ai shërbeu si anëtar dhe kryetar i komisioneve për hartimin e ligjeve të rëndësishme si Ligji për Arsimin e Lartë në Maqedoni dhe Ligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private në Kosovë, dhe si arbitër në Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës.

Në mbledhjen komemorative, fjalime mbajtën dekani i Fakultetit Juridik, prof. dr. Avni Puka, bashkëpunëtori i tij i ngushtë, prof. dr. Hajredin Kuçi, dhe djali i tij, Bilall Bilalli, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësuan lart trashëgiminë e profesorit Bilalli në fushën akademike dhe institucionale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh sjell programin XL: 10% zbritje gjatë gjithë vitit!
-Advertisement-

Të tjera