Ekonomi

Fakte për Ujmanin: Ja pse Kosova nuk mund të ekzistoj pa këtë liqe

Autori: Gazeta inFokus 09:49 | 07 September 2018

Kosova rrezikon të përjetojë kolaps energjetik, nëse në kuadër të dialogut përfundimtar me Serbinë, liqeni i Ujmanit (Gazivodës) do të mbetet jashtë territorit të Kosovës.

Në fakt vetëm tetë orë dritë mund të prodhojnë termocentralet e Kosovës A dhe Kosovës B në rast të ndalimit të furnizimit me ujë nga Ujmani, shkruan Gazeta inFokus.

Uji nga ky liqen përdorët për ftohje të dy termocentraleve.

-Advertisement-

Ndalja e rrjedhës së ujit nga ky liqe artificial drejt jugut të vendit do të bënte të pamundur operimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës në Obiliq.

Pa ujë të Ujmanit vështirë se do të funksionalizohet edhe termocentrali i ri Kosova e Re, procedurat për ndërtimin e të cilit tashmë kanë filluar.

Afër liqenit në veri të vendit ndodhet edhe Hidrocentrali i cili prodhon deri 35 megawat për orë energji elektrike, gjë që Kosova nuk do të mund ti gëzoj nëse kufiri mes dy vendeve vendoset të jetë më në jug të Gazivodes.

Ujmani është liqeni më i madhi në Kosovë me sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë dhe ka një kapacitet prej 370 milionë kub ujë, shkruan Gazeta inFokus.

Uji i akumuluar në të shërben edhe për ujitje të tokave bujqësore në disa rajone të Kosovës.

Nga veriu drejt jugut Kosova ka të shtrirë edhe kanalin e Ibër-Lepencit me gjatësi prej 49 kilometra.

Përmes këtij kanali mund të ujiten 12 mijë hektarë tokë bujqësore, shkruan inFokus.

Në rast të thatësisë si ajo e vitit 2014 uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve afër Prishtinës, atij të Batllavës dhe Badovcit.

Madje pa ujin e Ujmanit nuk mund të operoj as Feronikeli në Drenas.

Realisht Liqeni i Gazivodës, 75 për qind e të cilit ndodhet në Kosovë shtrihet në anën veriore përkatësish në komunën e Zubin Potokut dhe ai është projektuar dhe ndërtuar me kredi ndërkombëtare, për nevojat e qytetarëve dhe zhvillimin e Kosovës.

Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984.

Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër Lepenc” më seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002 por shteti i Kosovës e konsideron të paligjshme, shkruan inFokus.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, kanë thënë se liqeni i Ujmanit (Gazivodës) i takon shtetit të Kosovës dhe kushdo që pretendon ta përvetësojë atë, do të bëjë “një agresion” ndaj Kosovës. / Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera