Fokus

Fajdexhinjtë e pamëshirshëm – Dosja e fajdeve në Pejë zbardh detaje për rrëmbịmin dhe detyrimin e vịktimave

Autori: Sylejman Sylejmani 20:00 | 08 July 2024

Veprimtarinë ilegale dyshohet se e ushtronin familjarisht.

Sikur në dhënien e fajdes, tre anëtarë të familjes Pakashtica, ishin bashkë edhe kur u kapën në një aksion të gjerë të organeve të rendit në Pejë.

Anes Pakashtica bashkë me dy prindërit, babanë Irfan Pakashtica e nënën Valbona Pakashtica, përfunduan në pranga të Policisë.

-Advertisement-

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Pejës të siguruar nga Infokus, që të tre dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajde”, “Detyrim” dhe “Rrëmbim”.

Bashkë me ta, është arrestuar Idriz Hajrizi, i cili dyshohet vetëm për veprën penale të “Detyrimit”.

Familja Pakashtica, bashkë me Idriz Hajrizin, ishin nën vëzhgimin e organeve të rendit për një kohë të gjatë.

Por si erdhi deri tek arrestimi i tyre?

Dosja e Prokurorisë Themelore të Pejës e siguruar nga Infokus është mjaft voluminoze.

Në të janë të përfshira përgjime që u janë bërë të pandehurve, videoincizime, deklarata të dëshmitarëve, e raporte mjekësore të njërit prej viktimave.

Rasti për të cilin u arrestuan të pandehurit, ka të bëjë me një borxh që ata ia dhanë një personi që kishte hapur një biznes për kriptovaluta.

Y.D. kishte pësuar një humbje financiare në vlerë prej 25 mijë eurove dhe për t’i mbuluar këto humbje, ai i kishte marrë nga familja Pakashtica 120 mijë euro.

Sipas dosjes së prokurorisë pasi ia dhanë paratë, të pandehurit nisën t’ia kërkojnë viktimës 240 mijë euro.

Arsyetimi i tyre ishte se edhe ata kanë marrë fajde dikund tjetër, prandaj u duhet kjo shumë e parave.

E nëse viktima nuk do t’i siguronte 240 mijë euro, të dyshuarit e kanosën atë se do t’ia gjuanin një bombë në shtëpi, e se do ta vrisnin.

“Takimi i datës 20.06.2024 në mes të viktimave me të pandehurin Anes Pakashtica dhe Idriz Hajrizi ku ndër të tjera i pandehuri e pranon se investimi i tyre është 120 mijë euro, mirëpo nga të dëmtuarit kërkon që t’ia paguaj 240 mijë euro, në të kundërtën do të ju gjuaj bombë në shtëpi dhe i kërcënon në mënyra të ndryshme. Po ashtu në këtë takim i pandehuri Idriz i kërcënon dy të dëmtuarit me fjalë të ndryshme dhe kërkon që të paguhet një shumë prej 240 mijë euro sepse do të kenë problem me të dhe i drejtohet me fjalët “unë jau q* at non” “nuk ni për korkond hiç keni me i bo paret” dhe fjalë të tjera. Po ashtu i pandehuri Irfan e pranon se e kanë angazhuar personin “Ragip Daja” përmes të cilit e kanë rrëmbyer të dëmtuarin Y.D”, theksohet nw Dosjen e Prokurorisw.

Kërcënimi i vazhdueshëm i viktimave nga të pandehurit, konfirmohet nga zbatimi i masave të fshehta, të cilat janë realizuar nga organet e rendit.

Në një prej raporteve nga përdorimi i masave të fshehta, theksohet se nga 240 mijë eurot e pretenduara, 40 mijë do t’i takonin Idriz Hajrizit, si pagesë për punën e kryer.

Përgjimet kanë zbardhur gjithë skemën të cilën tashmë të arrestuarit synonin ta përdornin për t’i marrë paratë.

“I pandehuri Anes është duke planifikuar krijimin e kartelave elektronike që me tërhek para nga bankat. Poashtu ceket se si i pandehuri Idriz është angazhuar në këtë vepër penale dhe si do t’i detyroj të dëmtuarit të kryejnë këtë pagesë. Këtë e vërtetojnë edhe trankriptet e datës 01.02.2024, 02.02.2024, 06.02.2024, 07.02.2024, 12.02.2024, 12.02.2024, 13.02.2024. Raporti mbi monitorimin e fshehtë të bisedave në vende publike dt. 05.01.2024 ku është biseda mes të dëmtuarit Y. dhe të pandehurit Anes. Në këtë bisedë i pandehuri Anes i thotë të dëmtuarit “ti vet ke marrë pare me fajde”. Po ashtu këtu i dëmtuari i thotë të pandehurit se 240 mijë euro është e rritur, ndërsa i pandehuri i drejtohet se është e tejrespektueshme, me të njofshëm, tashti kur të hynë te njerëzit e fortë ai nuk t’vet. Irfani dhe Valbona t’kanë kallxu që është një pazar për një tokë 120 mijë euro”, thuhet nw Dosjen e Prokurorisw

Viktima e këtij rasti të fajdes, ishte takuar në disa raste me të pandehurit.

Një monitorim i bisedave në vende private, i datës 16 maj 2024, tregon për një takim që i dëmtuari e zhvilloi me Anes dhe Valbona Pakashticën. Në këtë takim e pandehura Valbona e kishte pranuar se borxhi është 120 mijë euro, mirëpo duhet paguar 240 mijë euro. Ajo gjithashtu e ka pranuar se e kanë angazhuar Idriz Hajrizin që ta rrëmbej të dëmtuarin Y.D.

Këtë takim e kishte përcjellë më vëmendje Idriz Hajrizi, i cili sipas Prokurorisë ishte konsultuar me bashkë të pandehurit e tjerë para takimit.

Gjithë këtë presion, i dëmtuari Y.D e kishte përjetuar rëndë. Në një rast kishte tentuar të bënte vetëvrasje…

“Procesverbali i marrjes në pyetje për të dëmtuarin Y.D dt. 13.12.2023 i cili ndër të tjera deklaron se si është rrëmbyer nga personi Ragip Daja dhe si të pandehurit Anes, Valbona dhe Irfan Pakashtica janë duke e detyruar që për shumën 120 mijë euro t’u paguaj shumën 240 mijë euro. Procesverbali i marrjes në pyetje për dëshmitarin H.D dt. 13.12.2023 i cili ndër të tjera deklaron se si Y.D kishte tentuar të bëjë vetëvrasje dhe si e pandehura Valbona i kishte shkuar në shtëpi. Procesverbali i marrjes në pyetje për dëshmitarin S.D dt. 13.12.2024 i cili ndër të tjera deklaron se si Ylli kishte tentuar ta mbys veten, se është kërcënuar nga Ragip Daja, Valbona Pakashtica dhe të tjerët. Poashtu cek se Valbona Pakashtica, Irfani dhe Anesi e kanë rrëmbyer të dëmtuarin Yll dhe e kanë dërguar tek Ragim Daja dhe për një shumë më të vogël ia kërkojnë 240 mijë euro”, thuhet nw dosjen e Prokurorisw.

Me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Pejës, për këtë rast, katër të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nga Gjykata Themelore në Pejë.

Megjithatë, përgjimet kanë zbardhur edhe disa prej formave që të pandehurit përdornin për t’i joshur viktimat.

“Transkripti i përgjimeve i datës 13.04.2024 në mes të të pandehurës Valbona dhe Irfan ku ky i fundit kërkon nga e pandehura se si të përqafoj një person-biznesmen se si të shtiret kishe po i shkojnë lotët, si ta puth dhe pastaj t’i thotë se mu kërkush nuk më ka puthë e as nuk më ka prek në trup. Kur po më bjen mend Irfani, jam mundu me harru, kam fillu një simpati ndaj teje … po mundohna me ndi diçka ndaj teje”, theksohet nw dosjen e Prokurorisw.

Në këtë bisedë, sipas dosjes së Prokurorisë, Irfan Pakashtica i drejtohet të pandehurës tjetër, Valbona Pakashtica, se “ne kemi pasuri miliona në Dubai”.

Përveç Pejës, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione kundër fajdes edhe në dy qytete të tjera të Kosovës, në Gjilan e në Prishtinë, ku u arrestuan katër persona.

Personat e përmendur në këtë artikull janë plotësisht të pafajshëm, derisa Gjykata të vendos me vendim të formës së prerë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës

Të tjera