Lajme

Fadil Syleviqi iu përgjigjet akuzave të Shkumbin Mehmetit për vrasje

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 12 January 2018

Emri i hetuesit të shumëpërfolur të Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqit, u përmend edhe mbrëmë në një intervistë nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili foli për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar. Hetuesi policor ka folur për rreth këtyre akuzave.

Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burg për vrasje, ka rrëfyer mbrëmë për veprimtarinë e grupit kriminal, pjesë e të cilit ishte vetë ai, duke treguar vrasjet më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë edhe vrasjet politike.

Në intervistën e dhënë, Mehmeti derisa përmendi emra të cilët, sipas tij, kanë urdhëruar vrasjet e pasluftës politike, përmendi kalimthi edhe emrin e policit Fadil Syleviqi.

-Advertisement-

“Polici Fadil Syleviqi është i përfshirë në shumë vrasje”, ka thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat.

Express-i ka biseduar të premten me hetuesin e Policisë së Kosovës, Syleviqin, i cili tha se nuk ka pritur ndonjë urim nga Mehmeti. Syleviqi thotë se ishte pikërisht ai që e ndërpreu veprimtarinë e grupit kriminal, duke e arrestuar Shkumbin Mehmetin.

“U dasht Baton Haxhiu me pyet atë kush të ka arrestu. Maspari, unë e kam arrestuar atë grup. Mandej, janë ndërru shumë prokurorë, shumë gjykatës, ky është dënu si kriminel, është vërtetu fajësia e tij dhe në fakt, nuk di as për çka bisedojke ai. Është shumë normale që ka folë qasi far gjanash palidhje”, ka thënë Fadil Syleviqi, në një bisedë ekskluzive për Gazetën Express.

Syleviqi tha se Mehmeti dha ato deklarata për të sulmuar policinë e cila e arrestoi.

“Bashkë me disa kolegë të mi edhe e kam dërgu në burg, normal, nuk pres që ai me më dërgu urime të përzemërta”, tha Syleviqi.

“Mirëpo, Batoni është dashur t’i bëjë atij më shumë pyetje, e jo të lihet me aq. Unë e kam arrestuar atë më 7 prill, e kam paraqitë në prokurori, e cila më pas e ka proceduar dhe është dënuar, është tregu fajësia e tij dhe për këtë, nuk pres që ai mua të më urojë me ndonjë gjë, pos të flasë gjëra të tilla për mua”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Shkumbin Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasjen e policëve të UNMIK-ut në vitin 2004.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera