Lajme

Fadil Nura hedh poshtë pretendimet se komuna e Skenderajt udhëhiqet nga Sami Lushtaku

Autori: Gazeta inFokus 11:22 | 13 January 2024

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura e ka quajtur logjikë përjashtuese ndarjen buxhetore të qeverisë nëpër komuna.

Ai tha se ndarja e mjeteve i ka penalizuar qytetarët e Skenderajt, derisa shtoi se shpërndarja për investime dhe përkrahje kapitale duhet të jetë e barabartë.

Nura në një intervistë tha se falja e tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove, komunës do t’i kushtojë rreth 400 mijë euro më pak. Ai foli edhe për dëmet milionëshe të shkaktuara nga vërshimet, për çka tha se përkrahja e qeverisë do duhej të ishte më e madhe.

-Advertisement-

Ndërkaq, lidhur me pretendimet se Komuna e Skenderajt, udhëhiqet nga Sami Lushtaku, Nura tha se nuk qëndron diçka e tillë, derisa theksoi se vendimet i merr vetë në mënyrë autonome.

Përveç këtyre, Nura potencoi se angazhimi i mjekëve pensionist përmes procedurës së kontratës në vepër, ani pse ishte shkelje e procedurave, ishte bërë me qëllim të mirë.

“E kemi parë një logjikë përjashtuese që ka aplikuar Qeveria në rastin, jo vetëm të Skenderajt por edhe të Ferizajt dhe disa komunave të tjera, që vlerësoj që është gabim sepse buxheti publik i Republikës së Kosovës, ose pjesë e këtij buxheti publik janë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjithë participojnë në mbushjen e këtij buxheti, dhe shpërndarja për investime dhe përkrahje kapitale, do të duhej të ishte relativisht e barabartë.

Komuna e Skenderajt, patëm edhe dëmet nga vërshimet që patëm në janar dhe nevoja ka qenë jashtëzakonisht e madhe, sepse është shkatërruar një pjesë e infrastrukturës publike dhe si e tillë, ne patëm marrë premtime, por që kjo rezultoi me premtime boshe. Ndarja buxhetore në këtë rast e kanë penalizuar qytetarët e këtij vendi që janë pjesë e këtij buxheti publik”, tha Nura.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura theksoi se dëmet e vërshimeve në total janë 12 milionë e 200 mijë euro, për çka tha se komuna ka ndarë rreth 2 milionë euro nga buxheti vetanak për kompensim. Ai shtoi se bizneset, bujqësia dhe infrastruktura publike, ende nuk janë kompensuar nga niveli qendror.

“Dëmet total janë 12 milionë e 200 mijë. Infrastrukturë publike i kemi diku rreth 6 milionë. Ekonomi familjare biznese, bujqësi të gjitha në total e arrijë këtë shifër, por që ajo që kemi pritë është përkrahja në projekte publike, kemi shumë ura të shkatërruara, kemi rrugë dhe kanalizime që sot janë jashtë funksioneve. Ne tani kemi planifikuar në kuadër të mundësive që kemi pas në projekte tona t’i trajtojmë disa nga urat që janë më prioritare dhe pse kemi marrë premtime nga niveli qendror dhe trajtimi i infrastrukturës publike kap shifrën rreth 2 milionë. Sa mjete ka ndarë niveli qendror për dëmet e vërshimeve? Kohët e fundit ekonomitë familjare janë kompensuar në masën 80-90 për qind, shtëpitë e banimit. Ndërkohë që bizneset dhe bujqësia dhe infrastruktura publike nuk është kompensuar ende”, potencoi Nura.

Përveç këtyre, Nura tha se është zgjidhur çështja e vërejtjes së raportit të auditorit për shkelje të procedurave në angazhimin e mjekëve pensionist përmes procedurës së kontratës në vepër. Ai theksoi se qëllimi ka qenë i mirë, derisa shtoi se tashmë janë punësuar afro 10 doktorë të rinj në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

“E kemi marrë opinionin e pa kualifikuar të auditorit me disa vërejtje që kjo na ka dhënë të drejtë, sot jemi në konkurrencë për vendin e parë ose të dytin. Kemi pasur një ndër kualifikimet e auditorit gjeneral ndër më të mirat. Vërejtja tek punësimi i doktorëve në rastin konkret ka qenë vërejtje edhe pse në takimin e ekipin e auditorëve edhe ata janë pajtuar. Sepse ju e dini gjendjen në shëndetësi, mungesën e mjekëve dhe emigrimin e tyre. Dhe ne i kemi angazhuar mjekët që kanë qenë në pension përmes procedurës së kontratës në vepër, procedurës e cila do të duhej të udhëhiqej nga zyra e prokurimit, por që ajo është bazuar nga njësia e personelit, një shkelje e procedurave, por që qëllimi ka qenë pozitiv”, potencoi Nura për KosovaPress.

Ndër të tjera, Nura tregoi se kanë marrë vendim pro faljes së tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove, derisa potencoi se dëmet nga ky vendim mund të arrijnë shifrën afro 400 mijë euro.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet se Komuna e Skenderajt, udhëhiqet nga Sami Lushtaku, Nura tha se nuk qëndron diçka e tillë, derisa theksoi se vendimet i merr vetë në mënyrë autonome.

Për raportin e tyre, Nura tha se janë bashkëpunëtorë të mirë dhe se vendimet i marrin 90 për qind bashkërisht, por që shtoi se tek ligji është konsekuent dhe i prerë.

“Kemi miratuar në Kuvendin e Komunës faljen e tatimit në pronë ashtu siç është paraparë me ligj edhe pse kjo në një formë godet të hyrat vetanake dhe buxhetin komunal, ne kemi vlerësuar se është e domosdoshme falja e kësaj pjese që qytetarët të jenë me më pak barrë. Ka një pesë të humbjes, nëse nuk gaboj diku rreth 390 mijë euro humbja që mund të ketë dhe që për komunën tonë janë bukur shumë. Kam dëgjuar këso. Kush merr vesh pak nga legjislacioni në fuqi, e din që ZKA-ja, është ajo që ka përgjegjësinë dhe autorizimin e nënshkrimit, të çdo vendimi që derivon nga baza ligjore dhe te ligji jam konsekuencë dhe i prerë.

Zotri Lushtaku është kryetar i nëndegës, është nënkryetar, jemi bashkëpunëtorë të mirë dhe vendimet në masën 90 për qind i marrim bashkërisht. Por, që zotëri Lushtaku ka qenë mandat të kaluar kryetar, ndërsa në këtë mandat unë jam kryetar, vendimet i marrë në mënyrë autonome dhe herë-herë edhe me konsensus, e kemi një ekip, masën më të madhe funksionojmë si ekip profesionale”, theksoi Nura.

Gjatë intervistës, Nura foli edhe rreth ndërtimit të “Parkut të Biznesit”, për çka tha se pritet që procesi të shkojë përpara, por që po pengohet nga banorët e asaj zone. Për këtë, ai potencoi se janë mbajtur disa dëgjime publike me qytetarët për t’u informuar më detajisht për procesin e punës.

Ndërkaq, sa i përket punës, Nura tha se mbi 65 për qind të premtimeve dhe projekteve që janë premtuar, veçse janë realizuar.

Ndër projektet më të rëndësishme, Nura përmendi fasadimin e objekteve banesore në sheshin “Adem Jashari”, punimet në objektet e banimit për familjet e dëshmorëve, ndërtimin e ujësjellësit në Qirez, e të tjera.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera