Lajme

Facebook heq 54 llogari të ish-bashkëpunëtorit të presidentit Trump

Autori: Gazeta inFokus 07:29 | 09 July 2020

Platforma e medias dixhitale, Facebook hoqi të mërkurën 50 llogari personale dhe profesionale të Roger Stone, një bashkëpunëtor i vjetër i Presidentit Donald Trump, i cili javën e ardhshme pritet të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin. Facebook tha se zoti Stone dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë një përkrahës të njohur të gripit të djathtë “Proud Boys” në shtetin Florida, kishin përdorur llogari me emra të sajuar për të promovuar librin dhe komentet e Roger Stone.

Platforma dixhitale mori masa kundër zotit Stone në të njëjtën ditë që hoqi nga qarkullimi llogaritë e personave që punojnë për familjen e Presidentit brazilian Jair Bolsonaro dhe dy rrjeteve të tjera që kanë lidhje me makinacione politike në Ekuador dhe Ukrainë. Nathaniel Gleicher, kreu i politikave të Facebook-ut për sigurinë kibernetike, tha se heqja e këtyre llogarive synon të tregojë se duhet të ndalen ekzagjerimet artificiale të famës apo ndikimit në median sociale me qëllim që të sigurosh përfitime politike, edhe në rastet kur personat që përfitojnë janë individë me lidhje të forta.

“Nuk ka rëndësi se çfarë thonë, nuk ka rëndësi se kush janë,” tha zoti Gleicher për agjencinë e lajmeve Reuters para se të bëhej njoftimi në blogun e kompanisë. “Parashikojmë se do të ketë aktorë të tjerë politikë që shkelin rregullat dhe organizojnë fushata të koordinuara me manipulime për të ndikuar tek debati publik”.

-Advertisement-

Hiqen 54 llogari
Zyrtarët e kompanisë Facebook thanë se kishin hequr llogaritë personale të zotit Stone nga Facebook-u dhe Instagram-i si dhe faqen e tij në që kishte 141 pasues. Gjithsej Facebook-u hoqi 54 llogari dhe faqe për sjellje të papërshtatshme dhe për krijimin e llogarive të rreme. Llogaritë kishin shpenzuar më shumë se 300 mijë dollarë për reklama gjatë javëve të fundit, sipas njoftimit të Facebook-ut. Shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg u informua para zbatimit të masave, thanë zyrtarët.

Pritet që këto veprime të revoltojnë më tepër Presidentin Trump dhe konservatorë të tjerë, të cilët e akuzojnë Facebook-un se po u mbyll gojën pasuesve të krahut të djathtë. Muajin e kaluar, Facebook-u hoqi një reklamë të fushatës për rizgjedhje të Presidentit Trump, pasi në të përfshihej një simbol nazist. Kompania u zotua t’u ofronte përdoruesve fakte kur Presidenti Trump apo kushdo tjetër të ngrinte këtë temë për diskutim.

Platforma Facebook është ndeshur me presion nga aktivistë për të drejta civile dhe grupe të tjera, ndërkohë që kompani të shumta po e bojkotojnë Facebook-un duke mos postuar reklama në këtë platformë, deri kur të heqë mesazhet përçarëse apo të urrejtjes që shfaqen në llogari të ndryshme. Roger Stone u shpall fajtor vitin e kaluar për presion ndaj dëshmitarëve dhe dëshmi të rreme para Kongresit gjatë hetimeve për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Zoti Stone nuk i është përgjigjur kërkesës së agjencisë së lajmeve Reuters për komente. Ai tha për faqen elektronike të kahut të djathtë, Gateway Pundit: “Po ekspozojmë lojën e pisët që u luajt për të më dënuar mua, gjëra shumë të thella, shumë të qarta gjatë gjyqit kundër meje, prandaj duan të na mbyllin gojën. Do ta mësojnë shumë shpejt se mua nuk më hesht dot njeri”. Në prill u bënë publike dokumentet e FBI-së për të hetuar zotin Stone. Sipas FBI-së një ndihmës i zotit Stone u kishte thënë hetuesve të FBI-së në 2018 se “ai bleu rreth 200 llogari të rreme në Facabook për këtë punë”. Kompania Facebook tha se kishte analizuar llogaritë e zotit Stone, duke u nisur nga dokumentet e FBI-së. Por platforma dixhitale tha se departamenti i Facebook-ut që merret me kontrolle për llogari të rreme kishte filluar që më parë një analizë të faqeve të zotit Stone, pasi kishte marrë sinjale nga një ekip tjetër i Facebook-ut që ndjek organizata të rrezikshme dhe po ndiqte aktivitetin e organizatës “Proud Boys”.

Ndalohet organizata “Proud Boys”
Kompania Facebook e ka etiketuar organizatën “Proud Boys” si grup të rrezikshëm dhe ndaloi informacionin e saj në 2018. Anëtarët e saj janë akuzuar për akte të dhunshme në shumë raste dhe kohët e fundit janë përfshirë në përleshje me protestuesit kundër racizmit. Një nga llogaritë që kanë lidhje me “Proud Boys” operohej nga Jacob Engels, tha Facebook-u. Zoti Stone deklaroi vjet se Jacob Engels mund të postojë komente në Instagram në emër të tij dhe se ai ka qasje në telefonin e tij celular. Engels, i cili poston në faqe eletronike të ekstremit të djathtë, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk është anëtar i organizatës “Proud Boys” por ka operuar brenda grupit për t’i studiuar.

Analisti i kompanisë Graphika, Ben Nimmo, specialist për dizinformimin, tha se rrjeti i Roger Stone ka qenë aktiv më së shumti gjatë viteve 2016 dhe 2017, kryesisht duke komentuar për emailet e demokratëve të publikuara nga Wikileaks, në kuadër të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Shumë prej këtyre llogarive më pas u hoqën dhe gjatë javëve të fundit ato që mbeten duken të përqëndruara tek përpjekjet e zotit Stone për të siguruar falje të dënimit nga Presidenti Trump, sipas zotit Nimmo.

“Llogaritë e sajuara u bënin jehonë ose reklamë librave, faqes elektronike apo komenteve të ndryshme të Roger Stone,” thotë Ben Nimmo. Roger Stone ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar falje nga presidenti para se të paraqitet në burg, ku sipas familjes, ai shqetësohet se do të infektohet me COVID-19. Presidenti Trump ka thënë se zoti Stone nuk u trajtua drejt gjatë gjykimit. Prokurori i Përgjithshëm amerikan ka ndërhyrë për të kërkuarnjë denim më të lehtë, gjë që rezultoi në dorëheqjen nga çështja të katër prokurorëve karriere në Departamentin e Drejtësisë./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera