Lajme

Express gjykimi i “Prontos”

Autori: Gazeta inFokus 08:11 | 02 December 2019

Një nga aferat më të përfolura në publik, afera “Pronto” do të marrë epilog së shpejti. Trajtimi i qindra përgjimeve, ku janë të përfshirë zyrtarë të rëndësishëm të PDK-së, të cilët dëgjoheshin duke biseduar për emërime në borde publike e institucione të tjera shtetërore, në gjykatë është në fazën përfundimtare.

Përplasjet mes Prokurorisë dhe gjykatës në këtë rast kanë qenë të shpeshta. Përfaqësuesja e hetuesisë e kryetari i trupit gjykues më shumë janë marrë me njëri-tjetrin. Diskutimet mes tyre shpesh kanë qenë me tone të larta zëri, shkruan sot “Koha Ditore”.

Të gjithë akterët që kanë marrë pjesë në këtë gjykim kanë “shpejtuar” për të përfunduar më herët këtë rast në shkallën e parë të gjyqësorit. Trupi gjykues pati “ekonomizuar kohën”, duke i konsideruar provat si të lexuara, por që publiku është privuar nga përmbajtja e provave. Prokurorja e rastit, Drita Hajdari, nuk ka propozuar dëshmitarë – në një nga seancat pati thënë se si “dëshmi” e ka bashkangjitur ligjin. Shumica e të akuzuarve po ashtu nuk patën propozuar dëshmitarë. Kjo ka bërë që gjykimi që parashikohej si maratonik të përfundojë me disa seanca.

Për rastin “Pronto” të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB, Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë, Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë, Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Të tjera