Lajme

Evropa ia ndali Rusisë eksportet e naftës, a do të rriten çmimet pas vendimit

Autori: Gazeta inFokus 22:20 | 30 January 2023

Evropa po bën një hap tjetër të madh drejt ndërprerjes së lidhjeve të saj energjetike me Rusinë, duke ndaluar importet e naftës si karburant dhe produkteve të tjera të prodhuara nga nafta bruto në rafineritë ruse. Ndalimi i Bashkimit Evropian hyn në fuqi më 5 shkurt dhe vjen pas embargos ndaj qymyrit dhe shumicës së prodhimeve të naftës nga Rusia. Blloku evropian prej 27-vendesh po përpiqet të ndërpresë çdo përdorim të energjisë ruse dhe kështu të mos i krijojë Rusisë asnjë mundësi të financojë agresionin e saj në Ukrainë.

Ndalimi më i ri ka rreziqe: Çmimet e naftës janë rritur që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt dhe ato mund të rriten sërish për karburantin që luan rol kyç për ekonominë globale.

“Ne po shpenzuar shumë para për të qenë në gjendje të ofrojmë shërbimet tona,”- tha Hans-Dieter Sedelmeier nga kompania gjermane e autobusëve dhe udhëtimeve “Rast Reisen”.

-Advertisement-

Shumica e gjërave që njerëzit blejnë ose hanë transportohen në një moment me kamionë, të cilët kryesisht punojnë me naftë. Ajo gjithashtu mundëson funksionimin e pajisjeve të fermave, autobusët e qytetit dhe pajisjeve industriale. Shtrenjtimi i naftës ndikon në pothuajse çdo gjë, duke ndikuar në rritjen e inflacionit që e ka bërë jetën më të vështirë për njerëzit në mbarë botën.

A DO TË RRISË EMBARGOJA ÇMIMET E NAFTËS PËR KARBURANT?

Nafta shitet globalisht dhe Evropa mund të kërkojë burime të reja, si në SHBA, Indi ose vende në Lindjen e Mesme. Nëse kjo shkon pa probleme, ndikimi në çmime mund të jetë i përkohshëm dhe modest. Evropa tashmë pothuajse ka përgjysmuar importet ruse të naftës, nga 50% e importeve totale para luftës në 27%. Furnizuesit amerikanë kanë rritur dërgesat në nivele rekord, nga 34,000 fuçi në ditë në fillim të vitit 2022 në 237,000 fuçi në ditë deri më tani, sipas “S&P Global”.

Zyrtari më i lartë i energjisë i BE-së, Kadri Simson, thotë se tregjet kanë pasur kohë të përshtaten pasi ndalimi u njoftua në qershor. Evropianët gjithashtu duket se kanë rezervuar naftën ruse përpara afatit, me importet që janë rritur muajin e kaluar.

Ekziston një faktor ndërlikues: Grupi i Shtatë vendeve të mëdha demokratike po e diskutojnë vendosjen e një çmimi tavan për naftën ruse (dizel) që shkon në vende të treta, ashtu siç bënë për naftën e papërpunuar ruse. Ashtu si me naftën e papërpunuar, ideja është që të krijohet mundësia që edhe dizeli rus të vazhdojë tregtimin në tregjet botërore, por të reduktojë të ardhurat që përfiton Moska.

Nëse çmimi tavan funksionon siç pretendohet, flukset globale të naftës duhet të riorganizohen, me Evropën që duhet të gjejë furnizues të rinj dhe me naftën ruse të gjejë klientë të rinj, pa një humbje të madhe të furnizimit. Por është e vështirë të thuhet se si do të funksionojë çmimi tavan pa e ditur se ku do të vendoset çmimi dhe nëse Rusia do të hakmerret duke ndaluar dërgesat.

“Kur eksportet ruse janë të kufizuara, për çfarëdo arsye, kjo sigurisht që do të shkaktonte disa telashe në të gjithë këtë proces riorganizimi,”-tha Hedi Grati, kreu i kërkimeve të karburanteve dhe rafinimit për Evropën në “S&P Global Commodity Insights”.

“Evropa do të konkurronte me importues të tjerë të mëdhenj dhe kjo do të shkaktonte presion në rritje mbi çmimet”.

Nëse çmimi tavan nuk bllokon sasi të mëdha të naftës ruse, mund të ketë “një rritje jetëshkurtër të çmimeve” ndërsa tregu përshtatet. Së pari, cisternat do të kishin një udhëtim më të gjatë në Evropë nga SHBA-ja, Lindja e Mesme ose India sesa nga portet ruse të Detit Baltik, duke theksuar kapacitetin e transportit.

Por kapacitetet e reja masive të rafinimit do të fillojnë punë në Kuvajt dhe Arabinë Saudite gjatë këtë viti ndërsa një tjetër në Oman fillon punë më 2024. Kjo “mund të lehtësojë më tej çdo pikë presioni nga ky divorc nga Rusia”, tha Grati.

ÇFARË NDIKIMI DO KISHTE NJË ÇMIM TAVAN?

Shpresa është të ripërsëritet efekti që u arrit përmes vendosjes së çmimit tavan të naftës së papërpunuar, i cili u ndaloi kompanive perëndimore që kontrollojnë kryesisht shërbimet e transportit detar të trajtojnë naftën e papërpunuar ruse me çmim mbi 60 dollarë për fuçi.

Rusia thotë se nuk do t’u shesë naftë vendeve që respektojnë çmimin tavan, por ky çmim tavan dhe rënia e kërkesës nga një ngadalësim i ekonomisë globale ka bërë që klientët në Kinë, Indi dhe gjetkë të mund të blejnë naftën ruse me zbritje të mëdha, duke ulur të ardhurat e Kremlinit.

Të nxitura nga nafta e papërpunuar që shitet më shtrenjtë, çmimet e naftës u rritën në mbi 1000 dollarë për ton javën e kaluar nga 800 dollarë për ton sa ishte në fillim të dhjetorit. Një arsye tjetër për rritjen e çmimit ishte një stuhi në fund të dhjetorit në SHBA që ndërpreu rafineritë, tha Barbara Lambrecht, një analiste në “Commerzbank”.

ÇFARË NDODH NËSE BENZINA BËHET MË E SHTRENJTË?

Çmimet e karburantit kanë qenë një faktor kryesor i inflacionit të dhimbshëm në Evropë, i cili u ka rrëmbyer konsumatorëve fuqinë blerëse dhe ka ngadalësuar ekonominë. Çmimet e naftës në treg janë luhatur nga 1.66 euro për litër (6.43 dollarë për gallon) në 2.14 euro për litër (8.29 dollarë për gallon) gjatë një viti.

“Kjo është një rritje gjigante,”-thotë Christopher Schuldes, gjenerata e tretë e familjes që drejton kompaninë gjermane të kamionëve Schuldes Spedition.

Kompania ka 27 kamionë me naftë dhe 50 punonjës në qytetin e vogël të Alsbach-Haehnlein midis Frankfurtit dhe Heidelberg në Gjermaninë jugperëndimore. Ajo tashmë ka ulur kostot e karburantit duke pajisur kamionët me motorë efikasë, duke siguruar që kamionët të largohen plotësisht të ngarkuar dhe duke trajnuar punonjësit në drejtimin me efikasitet të karburantit.

“Ne e bëmë të gjithë këtë shumë kohë më parë, shumë kohë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën,”- tha Schuldes.

“Nuk ka më vend për optimizim.”

Për të lehtësuar kostot shtesë të naftës, kompania u përpoq të negocionte çmime më të larta me klientët që kanë kontrata afatgjata. Disa ranë dakord, disa jo. Edhe nëse një kontratë lejon që çmimet të rriten me kostot e naftës, ka një vonesë prej dy muajsh për të ndryshuar çmimin.

Lidhur me embargon, “jam me mëdyshje” tha Schuldes.

“Duhet të shoh që kompania është në gjendje të mirë dhe që blerjet tona të jenë sa më ekonomike. Nga ana tjetër – në nivel personal – them se Rusia nuk duhet mbështetur”.

Ndërkohë, Rast Reisen, kompania e autobusëve dhe udhëtimeve pranë Freiburg im Breisgaut në Gjermaninë jugperëndimore, ka parë rritje të karburantit dizel nga 12%-15% të kostove në 20%-25%. Për shkak se 15 nga 25 autobusët e saj janë pjesë e rrjetit rajonal të transportit publik, kompania nuk mund të rrisë automatikisht tarifat dhe rritjet e qeverisë deri tani janë “një pikëz mbi një gur të nxehtë”, tha Sedelmeier, drejtor menaxhues për transportin publik.

Kompanisë Rast Reisen iu desh të bënte një shtesë prej 10 deri në 15 euro (11 deri në 16 dollarë) për udhëtimet në destinacionet e njohura si ishulli Sylt i Gjermanisë veriore ose në bregdetin e Kroacisë, sepse çmimet u rritën pas shtypjes së katalogëve. Vitin e ardhshëm, çmimet për udhëtime të tilla thjesht do të jenë më të larta.

Tregjet e energjisë po shikojnë nga Kina për të parë se kur do të rimëkëmbet ekonomia e dytë më e madhe në botë pas përfundimit të kufizimeve drastike të COVID-19. Me kërkesën e ulët për karburant në vend, qeveria kineze i lejoi rafineritë të rrisin eksportet e tyre. Por nëse udhëtimet fillojnë në Kinë, ai naftë mund të zhduket nga tregu botëror, duke rritur çmimet ndërsa konkurrenca për karburant rritet./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera