Europol identifikon bandat më të rrezikshme në Evropë – tregon me çka merren dhe ku janë aktive ato
Autori: Gazeta inFokus 12:21 | 08 April 2024
Europol ka analizuar për herë të parë bandat më të rrezikshme të Evropës, me se merren dhe ku janë aktive. 821 rrjete kriminale brenda BE organizojnë biznesin e drogës, kontrabandës e të tjera.
Kush janë bandat më të rrezikshme kriminale në Evropë? Si operojnë ato? Si janë të organizuara? Me cilat struktura bashkëpunojnë?
Europol ka analizuar për herë të parë bandat “më të rrezikshme” të kontitentit evropian duke treguar kështu përmasat mjaft shqetësuese të kriminalitetit të organizuar në Evropë.
Bandat janë mjaft profesioniste dhe operojnë si organizata ndërkombëtare, fleksibël, kontrolluese, shkatërruese, ngre shqetësimin Europol.
Raporti u bë i mundur pasi të gjitha vendet anëtare të BE dhe 17 vende partnere të Europol vunë në dispozicion të dhënat e tyre.
Sipas raportit, 821 banda me 25.000 anëtarë aktivë funksionojnë si rrjete të rrezikshme brenda BE-së, shumica e këtyre bandave përqendrohet në tregtinë e drogës.
Sipas analizës së Europolit çdo e dyta bandë është aktive në tregtinë e drogës, por aktivitetet ilegale janë të shumta, nga droga deri tek trafikimi i qenieve njerëzore e të tjera.
Bandat shqiptare kryesojnë me drogën
Rrjetet kriminale të përbëra nga shtetas jo anëtarë të BE më së shumti vijnë nga Shqipëria, Bosnja, Kina, Gjeorgjia, Islanda, Nigeria, Serbia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina, thekson Europol.
Rrjetet shqiptare të përbërë kryesisht nga anëtarë shqiptarë të bandave janë kryesisht të përqendruar në tregun e kokainës, heroinës e kanabisit kryesisht në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë.
Jashtë BE-së ata operojnë në Brazil, Kolumbi, Ekuador dhe në vendin origjinë, Shqipëri.
Europol përmend si sukses në raport shkatërrimin e një bande të madhe shqiptare të drogës në 25 maj 2023, që sillte drogë me kontejnerë në Belgjikë.
Droga sillej në Gjermani me makina me sisteme të rafinuara të fshehjes dhe shpërndahej në Evropë.
Bandat shqiptare janë të organizuara si familje me hierarki, të përbëra kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe shqiptarë me nënshtetësi të dyfishtë.
Tregu ilegal i drogës është një nga shkaqet kryesore për dhunën dhe të ardhurat e bandave”, ka thënë ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden, pas prezantimit të raportit.
Aktivitetet kriminale të bandave po shfaqen gjithnjë e më shpesh në publik dhe rrezikojnë sigurinë e popullsisë, është shprehur ministrja e Brendshme belge.
Në shumë qytete të BE janë shtuar deliktet e drogës dhe luftërat për pushtet mes bandave. Për t’i ikur përndjekjes ligjore shumë banda përdorin adoleshentët për tregtinë e drogës dhe aktivitete të tjera kriminale.
Korrupsioni dhe dhuna në rend të ditës
Bandat nga Ballkani Perëndimor, ka theksuar Europol, janë tejet brutale.
“Disa prej këtyre bandave janë të specializuara ose kanë pjesëmarrje të lartë tek dhuna ekstreme, rrëmbime dhe ekzekutime profesioniste, korrupsion, larje parash, tregti armësh dhe lëndësh shpërthyese, falsifikim dokumentesh”, thuhet në raportin e autoritetit policor të BE.
Korrupsioni është element kryesor i bandave për të depërtuar në portet dhe zinxhirët e logjistikës.
Duke u bazuar në koordinatorët lokalë dhe bashkëpunëtorët e tyre, rrjetet kriminale depërtojnë portet duke korruptuar personelin.
Europol merr si shembull, Anversin belg. Aty është aktiv një klan familjar belgo-shqiptar, i specializuar për sjelljen e hashashit nga Spanja, dhe furnizime kokaine nga porti i qytetit. Klani mbështetet nga punonjës të korruptuar të portit, thekson Europol.
Banda si organizata me struktura të qarta
Bandat më të mëdha janë të organizuara me struktura të qarta të hierarkisë dhe bazohen në familje apo klane.
Për të mos u zbuluar 86% e bandave përdorin “struktura legale të tregtisë”, sipas raportit të Europol.
Shpesh fitimet nga tregtia me drogën investohen në ndërtimtari, ekonominë e imobiljeve si edhe logjistikë dhe hoteleri.
Si shembull të një organizimi profesionist kriminal dhe të investimit të fitimeve, raporti i Europolit përmend familjet e Ndraghetas në Itali.
Europol ka të dhëna, se përfitimet nga tregtia me drogën dhe armët, kjo organizatë kriminale i investon kudo në Europë, si në imobilje, gastronomi, supermarkete dhe hotele. Kurse Serbia duket si një vend qendror për modifikimin e makinave të vjedhura. Vendet më të prekura janë Gjermania, Polonia dhe Serbia.
Bandat që merren me tregtinë e kokainës janë shumë më aktive në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë.
Rrjetet kriminale që merren me trafikimin dhe shfrytëzimin e fuqisë punëtore veprojnë kryesisht në Gjermani, Holandë, Poloni dhe Ukrainë, njerëzit që shfrytëzohen më shpesh vijnë nga Gjeorgjia, Rumania, Rusia, Ukraina dhe Uzbekistani.
“Ne e dimë kush janë ata”
Drejtoresha e Interpolit, Catherine de Bolle tha gjatë prezantimit të raportit në Bruksel (05.04.).
“Ne e dimë kush janë ata, si janë të organizuar, me kë bashkëpunojnë dhe si përpiqen t’i dredhojnë policisë”.
Kurse komisionerja e BE për çështjet e brendshme, Ylva Johansson tha në Bruksel se “krimi i organizuar është një nga rreziqet aktuale më të mëdha për sigurinë e qytetarëve, fëmijëve dhe tanë dhe rinisë, demokracisë përmes korrupsionit dhe dhunës ekstreme”.
Shqetësim për autoritetet policore në BE, është jo vetëm tregtia e kokainës ku fokusohen shumë banda, por edhe vërshimi në treg i drogave sintetike gjithnjë e më të rrezikshme.
E ashtuquajtura droga “zombi” po shfaqet në Belgjikë dhe vende të tjera gjithnjë e më shpesh- Këtu bëhet fjalë për ksylacin, një substancë që përdoret në veterinari për të qetësuar kafshët.
Rrjetet kriminale shtrihen nga dy deri në shtatë vende. Europol ka kërkuar një bashkëpunim më të madh mes autoriteteve të policisë në Evropë dhe Europolit. /DW/
Të tjera
-
Vuçiq: U mbajt një tubim jashtëzakonisht i madh në Beograd
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, këtë herë ka pranuar se në Beograd është m...
-
Pritjet për të hyrë në Kosovë deri në 40 minuta
Pritjet për të hyrë në Kosova nga pika kufitare e Muçibabës po vijojnë deri n...
-
Deklarohen të pafajshëm 22 të akuzuarit për mashtrim me “Call Center”
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklar...
-
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Pogradec
Një person i moshës 61-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ...
-
Protestë masive në Beograd kundër presidentit serb
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duk...
-
Hill thotë se s’ka paralajmërime për sanksione ndaj NIS’it në Serbi, a i gënjeu Vuçiq serbët për të krijuar panik?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka...
-
Tajani për vizitë në Kosovë, viziton kontigjentin italian të KFOR-it
Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka ardhur për vizitë në Kosovë për të ...
-
Kremlini hedh poshtë raportimet e mediave turke se gruaja e Assadit kërkoi divorc dhe largim nga Moska
Kremlini hodhi poshtë të hënën raportet e mediave turke që sugjeronin se Asma...
-
Kundërligjshëm e pa përvojë pune, Rozeta Hajdari e bën zv. kryeinspektore ish asistenten e Albulena Haxhiut vetëm 8 muaj pasi u punësua në MINT
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish asist...
-
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje politike e Rugovës ia dha vendit demokracinë në të cilën fitojnë edhe rivalët tanë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri shkroi për përvjet...
-
Komuniteti i Ambasadës nderon Hovenierin për vizionin e tij për Kosovën
Komuniteti i Ambasadës Amerikane ka nderuar ambasadorin Jeffrey M. Hovenier m...
-
Hill: Nuk ka prova që lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë k...