Opinione

Eurofilët dhe euroskeptikët e Ballkanit

Autori: Gazeta inFokus 16:08 | 18 May 2023

Muhamer Pajaziti

Ëndrra dhe realiteti europian janë dilema që vazhdojnë të mbajnë peng ballkanasit. Ëndrra europiane u akceptua me të madhe që pas luftërave dhe tranzicioneve të fillim viteve ‘90, dhe pothuajse në mënyrë plebishitare të gjithë e dëshironin demokracinë, vlerat europiane dhe braktisjen e sistemit traumatik monist. Beteja midis eurofilëve të post- tranzicionit që shohin ëndrrën e yjëzimeve europiane dhe e euroskeptikëve, vazhdon edhe më tej, derisa Bashkimi Europian akoma nuk ka ndërtuar një strategji të mirëfilltë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, një rajon që gjithnjë e më shumë në kartën europiane shihet si një pikë e zezë dhe vatër e krizave të herëpashershme.

Pavendosmëria e BE-së për Ballkanin Perëndimor apo taktizimet diplomatike dhe më shumë deklarative impresionuese përbëjnë një lojë me një kosto të lartë dhe sprovë, të cilën gjithmonë e ka humbur BE, duke mos u treguar si një organizim serioz. Roli dhe sfidat e BE-së në historinë më të re të Ballkanit gjithmonë kanë rezultuar me dështime, se sa me suksese.

-Advertisement-

Në samitin e Royaumont, në vitin 1996, Bashkimi Europian, nën presidencën  franceze të BE-së, mori iniciativën e parë e cila kishte për qëllim të sillte paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Europës, respektivisht të mbështeste implementimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Pas një viti, Këshilli i Përgjithshëm i Çështjeve miratoi një Qasje Rajonale (Regional Approach) me qëllim krijimin e kushteve politike dhe ekonomike për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet e këtij rajoni.

Por edhe përskaj këtyre nismave, marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor ishin shumë të varfra. Për ta eliminuar këtë ankth në vitin 1999, Komisioni Europian projektoi Procesin e Stabilizim-Asocimit, si një kornizë e re për të garantuar dhe mbrojtur reformat në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi dhe në Kosovë.

Pas gjithë këtyre viteve, dora e Bashkimit Europian është dukur kudo në Ballkan, duke investuar për demokratizimin e këtij rajoni për të krijuar një stabilitet ekonomik, institucional si dhe për të zhvilluar tregun e lirë dhe bashkëpunimin ekonomik.

Kanë kaluar aq vite, janë bërë se e sa investime nga bashkësia ndërkombëtare dhe sikur ky rajon ka ecur prapa me kohën. Në këto vende ende nuk kemi një lidership të përgjegjshëm, ndërsa mungojnë reformat në jurisprudencë, administratë publike, luftimin e korrupsionit etj. Ndërkaq, procesi i stërzgjatur, rruga e gjatë për në BE ka bërë që pak a shumë të shtohet numri i euroskeptikëve, të cilët mendojnë se vendet e tyre do jenë gati për në BE, atëherë kur nuk do të kenë nevojë për BE-në. Ata nuk dëshirojnë të bartin pjesë të sovranitetit shtetëror në politikat e përbashkëta të Unionit, të cilat i konsiderojnë si të dështuara.

 Shqiptarët e duan BE-në më shumë se maqedonasit

Sipas anketave të fundit, mbi 90 për qind e shqiptarëve në Maqedoni janë pro integrimit në Bashkimin Europian. Ndërsa numri i eurofilëve maqedonas është shumë më i vogël.  Përderisa shqiptarët mendojnë se të anëtarësuar në BE-së do t’i realizojnë të drejtat e tyre, maqedonasit frikësohen se do humbin dominimin absolut ndaj komuniteteve jo maqedonase në këtë shtet etnocentrik. Ndërkaq, një faktor tjetër është edhe procesi i stërzgjatur i anëtarësimit të vendit në BE.

Liderët shqiptarë bëjnë politikë duke u paraqitur si pro-europianë, ndërsa liderët maqedonas, sidomos ata të opozitës shprehen si filorus të hapur, duke u deklaruar kundër ndryshimeve kushtetuese që do hapnin rrugën drejtë hyrjes në BE.

Liderët opozitar me fjalimet e tyre nacionaliste, sidomos kundër shqiptarëve, acarojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe rrezikojnë të ardhmen  e vendit, duke shkelur vlerat dhe parimet evropiane.

Kosovarët dhe pro-amerikanizmi

Shtetasit kosovarë identifikohen si pro-amerikanë, për faktin se amerikanët kanë qenë faktorët kryesorë në krijimin e shtetit të Kosovës. Sipas sondazheve të fundit, popull më pro-amerikanë se shqiptarët vështirë se mund të gjendet diku në botë, ndërsa për europianët ekziston një lloj dyshimi, kjo për faktin se Brukseli vazhdon të shprehë rezerva ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe kjo më së miri dëshmohet nga mosnjohja e pesë shteteve anëtare të BE-së, si dhe sjellja e fundit e përfaqësuesve të evropian, të cilët kërkojnë një Asociacion për serbët, pa llogaritur shkeljen e dispozitave kushtetuese të shtetit të Kosovës  dhe krijimin e standardeve të dyfishta në rajon. Bashkimi Evropian vazhdon ta përkëdhelë Serbinë, ndonëse se ajo po i shërben hapur politikave të Moskës.

Përderisa Bashkimi Europian nuk e njeh Kosovën, kosovarët do të vazhdojnë të mendojnë se Europa nuk ofron përkrahje maksimale për ta, ndërsa vazhdon ta përkëdhel Beogradin zyrat.

 Serbia me sy e veshë nga Moska

Qyetetarët e Serbisë por edhe përfaqësuesit e tyre janë të orientuar drejtë Moskës dhe Pekinin. Sipas statistikave zyrtare vetëm 1/3 e popullsinë janë shprehur pro anëtarësimit në BE. Politikanët serb janë të vetmit në rajon dhe Evropë që nuk e kanë dënuar agresion rus në Ukrainë si dhe mbajnë lidhje të forta me oligarkët dhe pushtetin monarkistë në Rusi. Megjithatë, përfaqësuesit e BE-së, i besojnë gënjeshtrave të presidentit Serb, Alekasandar Vucic, duke shpresuar se do ta vendosin në binarët e integrimit. E keqja është se thyejnë parime evropiane, duke u bazuar në vendime politike, me qëllimin për ta mbajtuar akoma një status quo në rajonin e Ballkanin. Nga frika e potencialit serbe për destabilizimin e rajonit, ata mbyllin sytë dhe favorizojnë Serbinë në raport me Kosovën dhe vende tjera të rajonit. Ndonëse në Serbi kemi një politikë të kriminalizuar që si njihen si pasardhës të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviq, ky vend është i vetmi në rajon që ka një përspektivë më të qartë evropiane dhe që po zhvillon bisedimet për hyrje në BE.

Ndërkaq, edhe një Mal të Zi dhe Bosnjë Heregovinë janë faktuar forca të errëta të cilët mbajnë lidhje me Moskës dhe duan ta frenojnë procesin e integrimit evropian.

 Europianizimi – Pro et Contra

Nëse analizojmë 12 shtetet e reja të cilat u anëtarësuan në periudhën kohore 2004-2007, duket qartë se të gjitha këto vende kanë përfituar maksimalisht dhe nuk janë ankuar pse u bënë pjesë e kësaj familjeje. Shtetet e reja anëtare menjëherë kanë shënuar rritje ekonomike dhe atë më shpejt se sa shtetet e vjetra anëtare. Standardi i tyre është përmirësuar, ndërsa në të shumtën është shënuar edhe ulje e papunësisë.

Disa shtete si Sllovenia dhe Qipro i kanë tejkaluar disa shtete të vjetra anëtare sipas GDP-së. Megjithatë, jo të gjithë njësoj i kanë shfrytëzuar të mirat e BE-së për t’u zhvilluar ekonomikisht. Por, nuk janë vetëm treguesit ekonomikë si faktor që imponojnë mendimin e qytetarëve të shteteve të reja anëtare se është mirë për të qenë pjesë e BE-së. Liria e lëvizjes së personave, e shërbimeve, kapitalit, investimet e huaja direkte, demokratizimi i shoqërisë, luftimi i kriminalitetit janë disa gjëra që ndihmojnë dhe zhvillojnë shtetet e reja. Sot një pjesë e madhe e të rinjve bullgarë, rumunë, hungarez etj., studiojnë dhe punojnë në vendet e Bashkimit Europian. Biznesmenët e shteteve të reja mund të eksportojnë mallrat e tyre në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorësh, ndërsa gjithashtu qytetarët e rëndomtë mund të marrin dhe ofrojnë shërbime në secilin vend anëtar të BE-së, beneficione ka pothuajse në të gjitha sferat e jetës.

Nga ana tjetër, derisa kriza në eurozone vazhdon dhe besueshmëria te monedha euro është në rënie, euroskeptikët qëndrojnë fuqishëm, ndërsa demantimi i tyre mund të bëhet vetëm nëse ndryshohen traktatet e BE-së dhe sigurohet një disiplinë fiskale. Për momentin liderët e vendeve europiane po përballen me euroskeptikët, të cilët vazhdojnë të spekulojnë për solidaritetin dhe aftësinë e tyre për të mbajtur në këmbë këtë sistem.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera