Fokus

Ethet e Speciales para zgjedhjeve

Autori: Sylejman Sylejmani, Halil Berisha 17:07 | 12 September 2019

Pikërisht kur u mendua se Gjykata Speciale i kishte harruar “komandantët”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me shokë u ftuan të paraqiten në Hagë.

Dikush si i dyshuar e dikush si dëshmitarë, filluan të intervistohen një vit më parë nga prokurorët e Speciales.

Por që atëherë ende nuk ka asnjë lajm nëse do të ketë aktakuza apo do të lihen të lirë.

-Advertisement-

Kjo i ka rritur zërat se tani në prag të zgjedhjeve nacionale, të cilat do të mbahen me 6 tetor në Kosovë mund të ngritën aktakuzat e para.

Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar as nuk e mohojnë e as nuk pohojnë nëse diçka e tillë mund të ndodhë.

Chris Bennett nga kjo zyrë ka thënë për gazetën inFokus se legjislacioni nuk parasheh afate në lidhje me të intervistuarit dhe akuzat.

“Legjislacioni nuk parasheh afate në lidhje me të intervistuarit dhe akuzat. Për më shumë, nuk mund të japim informacion për kohën e mundshme të aktakuzave. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep informacione për intervistat përtej mandatit tonë, siç përcaktohet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, ka theksuar Bennett.

Se kur do të nisin të ngritën aktakuzat e para, nuk e dinë as avokatët e akredituar të cilët përfaqësojnë disa ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me drejtësinë.

Avokati Arianit Koci, që në Speciale po mbron ish-komandantët Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa – Remi, thotë se ai nuk ka asnjë shenjë se së shpejti do të ketë ngritje të aktakuzave.

“Unë nuk kam asnjë shenjë, asnjë indikacion sepse në këtë fazë është në disrecion të prokurorit dhe unë nuk kam asnjë indikacion njëherë. Edhe pse pas marrjes në pyetje të të dyshuarve zakonisht ajo është faza e fundit. Në pajtim me ligjin ata duhet të veprojnë”, ka thënë Koci për Gazetën inFokus.

Informacione nuk ka as avokati tjetër i certifikuar për të mbrojtur raste në Gjykatën Speciale, Artan Çerkini.

Mirëpo, ai tregon se me disa standarde të Gjykatës Evropiane, një person duhet të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm.

“Atë kurrkush nuk mund ta dijë me siguri, janë disa standarde të Gjykatës Evropiane që një person duhet të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm, rrjedhja e këtij afati të arsyeshëm nuk fillon nga aktakuza, por nga momenti që është i dyshuar. Prej atij momenti rrjet afati i arsyeshëm, janë disa kritere ku merret parasysh kompleksiteti i rastit, a ka kontribu vet personi i dyshuar në zvarritje të procedurës dhe thjeshtë shteti sa ka qenë efikas në ndekje penale”, ka theksuar Çerkini.

Se informacionet për këtë çështje mungojnë, e thotë edhe avokati Kadri Osaj, i cili gjithashtu ka marrë dritën e gjelbër për të mbrojtur raste në Speciale.

“Nuk jemi të informuar me rrjedhën e procedurës. Në aspektin ligjor mund të jetë informacioni qysh shkojnë procedurat, në rend të parë administrohen provat, dëgjohen dëshmitarët, faza e fundit është dëgjohen të dyshuarit, në qoftëse ka paqartësi ftohen edhe njëherë dhe kësisoj mblidhen provat dhe ngritet aktakuza. Tash në cilën fazë janë këta nuk kem informacione dhe nuk mund të japim detaje”, ka theksuar Osaj.

Deri tash për dhjetëra persona kanë mbërritur ftesat nga Gjykata Speciale.

Mes tyre, edhe për ish-komandantin e zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj., të cilit pasi i erdhi ftesa, vendosi të jap dorëheqje nga pozita e kryeministrit, për të mos u përballur me drejtësinë si kryeministër. Ndërkaq, para prokurorit, ai vendosi të mbrohej në heshtje. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera