Lajme

Et’hem Çeku, Kurtit dhe Opozitës: Ndaluni, energjia është çështje e sigurisë kombëtare, nuk është play-station

Autori: Gazeta inFokus 23:24 | 27 January 2022

Ish-Ministri i Energjisë dhe Minierave dhe ministër në disa Qeveri të Kosovës Prof. Dr, Et’hem Çeku ka folur për krizën energjetike që ka kapluar Kosovën dhe rajonin.

rel="nofollow"

Et’hem Çeku, që njihet edhe si themelues i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave me të cilën ka menaxhuar në kohërat më të rënda të mungesës së furnizimit në Kosovë, (vitet 2003 – 2006), thotë se opozita aktuale e as Qeveria Kurti duhet ndarë deklaratat politike nga çështjet me energjinë.

Deklaratat Çeku i bëri në ‘RADIO 1’.

“Çështja e energjisë është çështje e sigurisë shtetërore-kombëtare, nuk është play-station. Pra shteti që ka probleme me energjinë elektrike, ka telashe me sigurinë e vet. Kryeministri Kurti, si intelektual i kohës, duhet ikur nga deklaratat politike, njejt edhe opozita duhet vepruar. Pra deklaratat politike duhet të ikin nga fusha e energjisë, kjo sepse ti nuk e din kur të bjen blloku i Kosoves A. Thjesht nuk e din, është bllok i viteve të 60-ta, njejt sikur një veturë e vitit 1960 me të cilën ti po don me një shpejtësi të madhe me u nis nga Peja në Prishtinë dhe në çdo moment ajo të lenë, kur ? ti nuk mund ta dijshë. Andaj po them nuk duhet të kemi këtu balona politik sepse nuk i duron realiteti, kur je në pushtet këto balona të çojnë në out. Edhe opozita, veç pak të ndalemi, mos ta teprojnë, i lus, mos ta teprojnë, kjo që e thash vlen edhe për ta. Njerëz sot e keni kilovatin në rajon 500 euro, blloqet ju thash i keni sikur veturat e viteve të 60-ta. Mos harroni në kohën time, kur e bëmë projekti për ‘Kosova C’ pastaj u quajtë ‘Kosova e Re’, nuk ka dert emri, por e keqja që politika se vazhdoj, ne flisnim për 56 euro kilovati dhe frikësoheshim mos po del shtrenjtë. Sot njeri e ke 500 euro dhe këtë nuk e cakton Kurti, as Memli, as Haradinaj, as Lumiri.”-thotë ish-ministri Çeku në ‘RADIO 1’.

Tutje Ish-Ministri i Energjisë dhe Minierave Et’hem Çeku ka folur për kohën e qeverisjes së tij ministrore dhe përpjekjet që do i bënte realitet.

“Nëse do vazhdonte projekti jonë për Kosovën C, sot nuk do bëhej fjalë për krizë. Ja pse? 11 Miliard ton linjit i ka Kosova. Kjo është arma jote. Në vitet që po flasim BE e lejonte përdorimin e linjitit, ishim në rrethana krejt tjera nga sot dhe ti si Kosovë kishe siguruar investitorët më serioz global. Sot me Kosovn C edhe do kishe energji për vete, edhe për ta shitur në shtetet tjera e edhe kur do të uleshe në tryezë me Serbinë sot, kryeminstri Kurti energjinë do ta kishte bankomat për negociata. Thjesht njeri, përballë Vuçiqit dhe Brukselit ti do ishe fuqi. E shihni sot Rusia çka luan me gazin. Andaj këtu i them opozitës së sotme, edhe ju ndaluni! Pse? Sepse të gjitha qeveritë pas meje e Haradinajt, e mbajtën energjinë me subvencione për ta ruajtur stabilitetin politik dhe ikën nga Kosova C.”-thotë tutje Çeku.

Duke folur për periudhën shpresëdhënëse për energjinë, vitet 2003-2006, ish-ministri i Qeverisë Haradinaj 1, Et’hem Çeku, thotë se insistimi i tij për Kosovën C, që sot po shihet se dështimi i saj ka qenë politik dhe varësia për të mbetet imediate, atëkohë ka gëzuar mbështetje të fuqishme nga Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu.

“Në atë periudhë, unë isha ministër i AAK-së, në koalicion me LDK-në ishim, por unë shkova edhe të PDK. Ata ishin opozitë, unë mora mbështetjen e tyre për Kosoven C. Nuk dua të harrojë mbështetjen e parezervë të Presidentit Sejdiu. E falënderoi përjetësisht atë njeri. I pakursyer ishte me krejt qenien e vet presidenti. Edhe kryeparlamentari Daci ishte i informuar por kishte rezerva ndaj ndotjes. Në këtë mes, jam mbështetur fuqishëm nga kryeadministratori i kohës Johakim Riker i UNMIK-ut. Mirëpo ndodhi ajo që ndodhi, në kohën tonë qeveritë binin e ngriteshin dhe me to bashkë ra edhe Kosova C.”-tha tutje Et’hem Çeku raporton njeshi.com.

Në këtë realitet kohor të krizës energjetike ish-ministri Et’hem Çeku, për kryeministrin Albin Kurti ka propozim konkret të daljes nga situata.

“E them prap, kryeministri Kurti, si intelektual i kohës, mendoj se duhet të ofrohet me të gjitha palët, opozita të ndalet dhe paralelisht e me urgjencë në angazhoj ekspertizë ndërkombëtare të gjendjes së blloqeve. Me këtë, ne kuptojmë se cilat blloqe duhet mbyllur, cilat ja vlejnë remont dhe eventualisht ndonjë të ndërtojmë nga fillimi. Kjo e zgjidhë problemin, jo subvencionimi. Matematikat tjera, janë ëndrra pa kripë. Mos harroni tani duke ardhur nga Prishtina në Pejë, e pashë Goleshin. nuk ka erë, frymë, pra ti nuk mund të prodhosh e as të mendosh të investosh diçka ashtu si Kosovë. Hajde flasim për Hidrocentralet, po lëreni, miq, njerëz, Kosova sikur krejt bota po shkon nga periudhat e vuajtjes për ujë të pijes. Pra, hiqe nga rendi i ditës edhe këtë gjë. Kthehu nga ajo çfarë ke dhe ik nga politika. shiqoni, me siguri kombëtare nuk bëhet politikë.”-tha Çeku në RADIO 1′.

Ndryshe, Et’hem Çeku njihet ndër ministrat më të fuqishëm në Qeveritë e kohës që ka shërbyer si dhe një prej kokave themeluese të AAK-së së Haradinajt. Në periudhat e qeverisjeve të BAjram Kosumit dhe Agim Çekut, Et’hem Çeku madje njihej si kryeministër në hije i kohës.

Të tjera

rel="nofollow"