Lajme

Eset Berisha akuzon Haki Abazin për raport të rrejshëm për shkarkimin e tij, paralajmëron padi

Autori: Gazeta inFokus 21:43 | 19 May 2020

Qeveria e Kosovës një javë më parë shkarkoi drejtorin e Aviacionit Civil, Eset Berisha, zyrtar ky që nënshkroi marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Berlin, të ndërmjetësuar nga emisari i SHBA-ve për Kosovën, Richard Grenell.

Qeveria tha se Berisha u shkarkua për “shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale”. Por ky i fundit mohoi këtë, duke thënë se u shkarkua për arsye politike.

Një javë pas shkarkimit, gjatë një interviste për Reporteri.net, Berisha ka folur për prapaskenën e shkarkimit të tij, ku akuzon zv.kryeministrin Haki Abazi për përgatitjen e një raporti të rrejshëm që përmban fshehje të dokumenteve.

Berisha tregon se ka pasur dy takime me Abazin, ku në njërën prej tyre i ka ofruar dorëheqjen, por që sipas tij zëvendësi i Kurtit nuk ja pranoi.

Ndërsa për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, drejtori i shkarkuar thotë se nuk e ka takuar, edhe pse ka synuar ta bëjë këtë, ndërsa e paralajmëron se do të shihen në gjykatë.

Z.Berisha ju u shkarkuat ditë më parë nga Qeveria për siç tha kjo e fundit për “shkak të shkeljeve të detyrave profesionale”. Teksa keni vënë nënshkrimin për linjën ajrore Kosovë-Serbi, a ju ka shkuar ndërmend se mund të shkarkoheni?

Berisha: Shkeljet janë vetëm pretekst për të arsyetuar vendimin, dhe qëllimin politik me atë vendim. Një vendim që përmban arsyetimin, në formë të propozimit për shkarkim, i hartuar nga zv.kryeministri Haki Abazi, në 14 faqe me pretendime të pavërtetuara, deklarime të rrejshme, fshehje të dokumenteve dhe në fund konstatime të njëanshme dhe të gabuara.

Nënshkrimin e letrës së interesit për linjën ajrore Kosovë-Serbi, e kam bërë në emër të AAC-së dhe të ministrit të Infrastrukturës sipas autorizimit, për shkak të kompetencave të ndara në mes AAC-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës në aviacion, dhe me pëlqim të Kryeministrit dhe Presidentit. Nuk kam besuar se dikujt do të mund t’i mbetet hatri për këtë marrëveshje dhe në mungesë të guximit për ta anuluar këtë marrëveshje, ose për ta tërhequr nënshkrimin, do të gjej pretekste tjera për të më shkarkuar, vetëm për të arritur qëllimin politik.

Si e shihni arsyetimin e Qeverisë për shkarkimin tuaj? Çka mendoni, cila është arsyeja e vërtetë që u shkarkuat?

Berisha: Arsyetimi i vendimit është në formë të propozimit, pra nuk përmban fakte të vërtetuara nga ndonjë organ apo gjykatë, por vetëm nga zv.kryeministri Abazi. Dhe në mungesë të një arsyetimi ligjor, vjen në shprehje arsyetimi politik, që është goditja e zyrtarit shtetëror për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes, për shkak të mosguximit për ta anuluar ose tërhequr nënshkrimin nga ajo marrëveshje.

Ju së fundmi përmes një postimi keni deklaruar se Kurtit i ka mbetur hatri për nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë. Pse është dashur t’i mbetet hatri?

Berisha: Kurtin e kam njoftuar që në ditën e parë të punës së tij si kryeministër, pra me 4 shkurt 2020, bashkë me ministrin Abdixhiku. Të dyve u kam dërguar një raport te shkruar me të gjitha informacionet rreth takimit në Berlin, procesit të negociatave, dhe rezultatit të arritur. Prandaj, vonesa për njoftimin e tij nuk qëndron. Por, une nuk mund të mbajë përgjegjësi pse nuk e kam informuar Kurtin kur është nënshkruar marrëveshja me 20 janar, sepse në atë kohë ai nuk ka qenë kryeminister, dhe unë nuk mund të paragjykoja rezultatin e negociatave për formimin e qeverisë së tij.

Qeveria thotë se ju keni “rrezikuar ta dërgoni në arbitrazh”. Na sqaroni pak për lexuesit për çfarë ka aluduar sipas jush?

Berisha: Bëhet fjalë për pretendimet e kompanisë Limak, që e ka në menaxhim aeroportin “Adem Jashari” sipas kontratës koncesionare, e cila është ankuar për shkak të mosdhënies së aprovimit si ofrues i shërbimeve në tokë për një kohë afatgjate. Ndërsa, këtë aprovim AAC e kishte kushtëzuar me ndërmarrjen e veprimeve për hapjen e tregut të shërbimeve në tokë, pra për kompani që ofrojnë shërbime për pasagjerë (bagazh dhe check-in), për mallra, poste dhe shërbime të aeroplanëve (pastrimi, furnizimi me karburant, vajra etj), që njihen si shërbimet më fitimprurëse për çdo aeroport.

Kontrata koncesionare e ka obliguar kompaninë Limak t’i ofroj këto shërbime vet, ose përmes dikujt tjetër, por nuk i ka dhënë ekskluzivitetin. Sepse me rregullat e BE-së, të zbatueshme në Kosovë përmes ligjit të aviacionit civil kërkohet hapja e tregut për këto shërbime, në momentin kur arrihet pragu prej 2 milion udhëtarë në vit, kjo shifër është kaluar në vitin 2018.

Pas këtij momenti, dhe sipas këtyre rregullave kërkohet angazhimi i të paktën dy kompanive për secilën kategori të shërbimeve në tokë. Kompania Limak është dashur vetëm të ofroj infrastrukturën, pra ambiente pune, kyçje në rrjetin e shërbimeve komunale dhe përcaktimin e çmimores për shfrytëzimin e infrastrukturës. Ndarja e infrastrukturës së centralizuar ishte edhe obligim sipas marrëveshjes koncesionare.

Prandaj, pretendimet e Limak për proces arbitrazhi janë joserioze, sepse atyre nuk iu ishte tërhequr aprovimi, por vetëm ishte kushtëzuar me ndërmarrjen e veprimeve në zbatim të ligjit dhe kontratës koncesionare.

Prej që ka marrë Kurti pozitën e kryeministrit a keni pasur ndonjë takim me të?

Berisha: Jo, nuk kam pasur asnjë takim, edhe pse në raportet e mia kam shprehur gatishmëri që ta njoftoj personalisht, por asnjëherë nuk më ka ftuar.

Nëse jo me Kurtin, a jeni takuar me ndonjë vartës të tij, apo keni pasur të paktën telefonatë me ndonjë nga zyrtarët në pushtet pas nënshkrimit të marrëveshjes?

Berisha: Jam takuar dy herë me zv.kryeministrin Abazi në muajin shkurt. Atij jam përpjekur t’ia shpjegoj kontekstin juridik të funksionimit të aviacionit civil në Kosovë nga viti 1999, problemet në menaxhimin e hapësirës ajrore, por kisha përshtypjen se nuk më kuptonte.
Kështu u binda, pasi e informova se kodi i aeroportit ‘Adem Jashari’ është kod i përkohshëm i UNMIK-ut, të cilin e kishte siguruar Islanda në vitin 2004, ndërsa zv.kryeministri Abazi kërkonte që Kosova të kishte kodin e saj të aeroportit, duke mos e ditur se këto kode i lëshon ICAO (organizata ndërkombëtare e aviacionit civil), ndërsa anëtarësimi në të është pothuajse i pamundur pa flamurin e shtetit në OKB.

Në takimin tjetër, të kërkuar nga unë, e njoftova për ristrukturimin e AAC-së si pasojë e zbatimit të ligjit, e njoftova për procesin e aprovimit të kompanive të shërbimit në tokë në Aeroport, çështjet diskutabile, veprimet për normalizimin e hapësirës ajrore dhe në fund i ofrova edhe dorëheqjen time për dy arsye; sepse konsiderova se qeveria e re mund të ketë nevojë për njerëz të tyre të besueshëm për ta zbatuar programin e qeverisë së re dhe për shkak të procesit të normalizimit të hapësirës ajrore, të udhëhequr nga AAC, i cili është i pamundur pa përkrahjen e qeverisë. Por zv.kryeministri Abazi, më tha se nuk janë të interesuar për ndryshime në fusha ku ekspertiza është deficitare sikurse është aviacioni civil dhe më siguroi se do t’i shqyrtonte me kujdes të gjitha çështjet e ngritura në funksion të luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe zbatimit të ligjeve në fuqi.

A do ankoheni për shkarkimin tuaj?

Berisha: Sigurisht, do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike për të luftuar shkarkimin e jashtëligjshëm, me shkelje të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligje në fuqi, shkelja e të cilave sanksionohet edhe me Kodin Penal.

Për fund, ç’mesazh keni për kryeministrin në detyrë Kurti?

Berisha: Dy mesazhe, Kryeministër, nëse jeni kundër marrëveshjes së Berlinit, pse nuk po e anuloni atë? Dhe tjetra, kryeministër askush nuk është mbi ligjin, as edhe figurat më të larta shtetërore. Shihemi në gjyq!

Të tjera