Lajme

Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 16 June 2023

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

Ai e ka ritheksuar se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në lokacione alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të mbahen përgjegjës para autoriteteve.

Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.

-Advertisement-

“Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”.

Ai ka thënë se të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

Shtensionimin e situatës atje
Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka po ndodh me DITËLINDJEN e Viva Fresh Store?!
-Advertisement-

Të tjera