Kulturë

Ermal Meta me koncert në Tiranë (Foto)

Autori: Gazeta inFokus 15:07 | 04 March 2019

Pas suksesit të një viti më parë, këngëtari Ermal Meta rikthehet me një tjetër koncert në Tiranë.

Para koncertit të sotëm, kantautori u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mbolli edhe një pemë.

“Jam shumë i lumtur që vëllai im, Ermali, është kthyer sërish në Tiranë për të lënë gjurmë, për të hedhur rrënjë këtu.  Bëmë edhe një mbjellje për të hedhur ca rrënjë fizike. Jam shumë i lumtur që i gjithë koncerti është “sold out”, një nga më të mëdhatë në Pallatin e Kongreseve të turit të Ermalit me GnuQuartet, një grup fantastik nga Xhenova. Kanë bërë një tur në të gjithë Italinë dhe jam shumë i lumtur që me këmbënguljen e  Ermalit, edhe Shqipëria u bë pjesë e këtij turi”, tha Veliaj.

-Advertisement-

Artisti Ermal Meta vlerësoi ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti.

“Kjo është shtëpia ime, është Shqipëria, edhe kthehem gjithmonë me shumë emocione. Faleminderit shumë! Qyteti më duket jashtë mase i bukur, më pëlqen ndjenja që gjej rreth e rrotull, e kjo është mbi të gjitha për punën e mrekullueshme që ka bërë Erioni në këtë qytet”, deklaroi Meta.

Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një super-shfaqje te Pallati i Kongreseve.

Në koncertin e sotëm para publikut shqiptar, do të bëhen bashkë një sërë instrumentesh muzikore si violë, violinë, violinçel dhe flaut. Ritmi dhe muzikaliteti i këtyre instrumentistëve, do ta bëjnë edhe më të gjallë muzikën e kantautorit shqiptar.

Të gjithë adhuruesit e zërit të kantautorit të mirënjohur shqiptar kanë mundësi ta ndjekin sot në mbrëmje nga afër në Pallatin e Kongreseve, ku Ermal Meta do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, si vijim i turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera