Lajme

ERE i vë afat OSHEE-se: Pas 30 shtatorit energjia duhet të blihet online

Autori: Gazeta inFokus 10:27 | 17 August 2017

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) duhet të ketë bërë gati një platformë për blerjen e energjisë online brenda datës 30 shtator të këtij viti.

Sipas një vendimi që Enti Rregullator i Energjisë  kishte marrë në qershor të vitit të kaluar OSHEE duhet të aplikonte blerjet online të energjisë me qëllim uljen e kostove qysh vitin e kaluar, por Operatori i Shpërndarjes nuk ka mundur ti respektojë këto afate duke aplikuar ankandet me negocim për blerjen e energjisë.

OSHEE sh.a. ka raportuar në Entin rregullator se grupi i punës është ngritur me qëllim krijimin e platformës online për blerjen online të energjisë elektrike dhe është hapur procedura me objekt “ ndërtimi i platformës elektronike të publikimit të të dhënave të blerësit dhe shitësit në funksion të blerjes/shitjes së energjisë elektrike.

-Advertisement-

Ekonomizimi i blerjes së energjisë bëhet i domosdoshëm në këtë periudhë kur kriza e prodhimit të energjisë ka rritur shpenzimet për import. Sasitë e mëdha të prokurimeve të energjisë jashtë vendit dhe në situatë emergjence kanë bërë që çmimet e importit të energjisë të jenë disa raste më të larta se në bursat rajonale. Rregullorja e ERE e miratuar qysh vitin e kaluar kërkon krijimin e një platformë IT online  që duhet të përdoret nga OSHEE për të gjitha ndërveprimet me tregtarët e Energjisë Elektrike në procesin e blerjes.

Kjo platformë duhet të jetë e aksesueshme për përdoruesit online. OSHEE duhet të drejtojë kalendarin e ofertave dhe regjistrin e tregtarëve të energjisë elektrike. Të gjitha ofertat, koha e paraqitjes dhe detajet e ofertës duhet të ruhen në sistem për një afat 5 vjeçar. Paraqitja e ofertave nga tregtarët e Energjisë Elektrike, bëhet online në sistem sipas një hyrje të paracaktuar në ditën e paraqitjes së ofertave. Koha e hapjes dhe e mbylljes duhet të publikohen në Kalendarin e Ofertave.

Sipas rregullores së tregtimit online shqyrtimi i plotësimit të ofertave dhe vlerësimi i tyre, duhet të bëhet në mënyrë automatike përmes sistemit online të IT. Rezultatet e procedurave të tenderimit duhet të paraqiten në mënyrë automatike në ERE për shqyrtim dhe duhet të përmbajnë tregtarët e Energjisë Elektrike të cilët kanë paraqitur ofertat, të gjithë informacionin në dispozicion të ofertave të marra dhe ofertat e përzgjedhura.

Gjithashtu OSHEE nëpërmjet sistemit online të IT duhet të publikojë rezultatet e blerjes në mënyrë anonime dhe të grumbulluar, me çmime mesatare dhe sasitë e blera për procedurat e blerjes. Importi i energjisë ka kushtuar dy muajt e fundit rreth 54 milionë euro, teksa pritet që shpenzime të larta të kryhen prej thatësirës që po pengon prodhimin vendas./ Monitor

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera