Lajme

Erdogan pritet të takohet me Putinin në Astana

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 11 October 2022

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën, më 12 tetor.

Takimi do të zhvillohet në margjinat e një samiti rajonal që do të mbahet në Astana të Kazakistanit, tha një zyrtar i Turqisë për AFP-në.

Turqia, që ka qëndruar neutrale përgjatë konfliktit në Ukrainë, ka raporte të mira me Rusinë dhe Ukrainën.

-Advertisement-

Erdogan ende nuk ka dënuar sulmet masive ajrore që goditën qytetet në mbarë Ukrainën më 10 tetor. Nga këto sulme u vranë të paktën 19 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

Por, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, pas sulmeve, por nuk ka detaje nga kjo bisedë.

Erdogan u takua me Putinin në margjinat e një samiti rajonal që u mbajt në Uzbekistan muajin e kaluar. Ai ende shpreson që mund të bëjë bashkë Putinin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në bisedime të paqes. Turqia insiston se bisedimet e paqes janë thelbësore dhe gjasat që ato të mbahen janë reale.

Turqia, që është anëtare e NATO-s, nuk u është bashkuar sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt.

Erdogan po ashtu është i përkushtuar që të rrisë tregtinë me Moskën, teksa po tenton që të stabilizojë ekonominë e Turqisë para se të kandidojë edhe për një mandat të ri në zgjedhjet e qershorit.

Muajin e kaluar, Ankaraja u përball me presion nga Shtetet e Bashkuara dhe konfirmoi se tri bankat e fundit që ende kryenin shërbime bankare për rusët, do të ndalonin këtë praktikë./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera