Lajme

Erdhi në Shqipëri kur talebanët morën pushtetin, ekonomisti afgan: Po punoj në shezlongët

Autori: Gazeta inFokus 23:02 | 17 July 2022

Në Shëngjin e njohin të gjithë, i edukuar dhe i qeshur Fiorua Ahman e gjen çdo ditë në plazh, jo për pushime, por për punë.

I akomoduar në zonën turistike të Lezhës prej shtatorit të vitit 2021, refugjati afgan me profesion ekonomist, po punon në një stacion plazhi privat.

Për mikrofonin e Report Tv ka treguar jetesën në vendin tonë dhe planin e afërt për tu larguar drejt SHBA-ve me bashkëshorten dhe dy fëmijët.

-Advertisement-

“Ne jemi vendosur në Shëngjin që prej shtatorit të vitit 2021, kohe kur Kabuli u pushtua nga Tabanët. Këtu në Shqipëri ndjehemi shumë mire dhe jemi socializuar shumë shpejt, kjo dhe fale mikpritjes shqiptare. Kishim shprese qe do iknim ne SHBA në muajin prill, por kjo nuk ndodhi pasi ende nuk na ka dale viza dhe nuk e dimë sa do zgjasin procedurat. Në këto kushte vendosa që këtë sezon veror të punësohem ne Shëngjin. Pashë që bizneset kishin vendosur njoftime për punëtor dhe erdha u interesova. Ramë dakord me pronarin e një resorti dhe prej 2 muajsh jam punësuar këtu, duke menaxhuar shezlonget”, thotë ai.

Fiorua Ahman na tregon se paga është e mjaftueshme, pasi shpenzimet për fjetje dhe ushqim i ka të mbuluara. Ka hasur në vështirësi për komunikimin, por përpiqet të mësojë disa fjalë shqip.

“Paguhem 400 euro në muaj, ndërsa në Afganistan kam qenë paguar 800 euro se isha në profesionin tim normalisht, por dhe këtu nuk është keq. Problem mbetet vetëm gjuha sepse unë ende nuk e kam mësuar shqipen”, shton Ahman.

Rreth 800 refugjatë afganë ndodhen aktualisht në Shëngjin. Shumë prej tyre kanë në plan të qëndrojnë për aq kohë sa të përgatiten dokumentet e tyre për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera