Lajme

EPIK: Zgjedhjet për PE do të ndikojnë në politikën e BE-së karshi Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 23 May 2019

Prej sot deri të dielën rreth 400 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian do t’ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 751 deputetë të cilët do t’i përfaqësojnë ata në Parlamentin Evropian.

Instituti EPIK në muajt e fundit ka punuar në hulumtimin për këto zgjedhje, pasi sipas tyre, Parlamenti i ardhshëm Evropian përbënë fushëbetejën e ardhshme strategjike të forcave populiste dhe progresive. Sipas tyre, zgjedhjet nuk do të përcaktojnë vetëm fatin e BE-së, por balancin e forcave globale.

Po ashtu, për shkak të rëndësisë së tyre, EPIK thotë se zgjedhjet do të kenë ndikim të madh në politikën e Bashkimit Evropian karshi Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

-Advertisement-

Ky institut ka publikuar projeksionet duke krahasuar sondazhet nacionale të gjeneruara nga Politico me katër sondazhe të tjera si ai i Financial Times, Europelects, Kantar Public i kontraktuar nga Parlamenti Evropian dhe parashikimet e ECFR-së.

Në konkluzionet e këtij studimi thuhet se përkundër humbjes prej afro 6.5%, fronti pro-BE ku janë EPP, S&D, ALDE+En Marche, GREENS-EFA, do të mbesin forca më e madhe politike e BE-së, me 63.2% të votës së përgjithshme.

Sidoqoftë, për herë të parë që nga viti 1979, dy të mëdhenjtë, EPP dhe S&D, do të humbasin shumicën. Parashikojmë që ata do të fitojnë 42% të votës së përgjithshme, gjë që do shënon rënie nga 54% në 2014.

Pasi që “koalicioni i madh” EPP dhe S&D nuk do të ketë shumicën e eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, këto familje politike do të duhet të punojnë me grupet e tjera në Parlamentin e ardhshëm Evropian për të çuar përpara projektin evropian.

EPIK thotë se euroskeptikët si Aleanca Evropiane e Popujve dhe Kombeve (ish-ENF), ECR, GUE / NGL, 5STAR + BREXIT (ish-EFDD), do të shënojnë rritje prej 2.7%, duke fituar 30.2% të votës së përgjithshme.

Pasi që do të shënojnë rritje të madhe, ALDE+En Marche do të jenë “king-maker” i koalicionit EPP dhe S&D.

Partitë e reja dhe të pa-rreshtuara do të shënojnë rritje prej 3.7%, me 6.5% të votës së përgjithshme.

“Në mandatin e institucioneve të reja të BE-së, 2019-2024, nuk duhet shpresuar për zgjerim të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Mund të pritet progres në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. E njëjta mund të ndodh në rastin e Serbisë, nën supozimin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në rast të marrëveshjes, Kosova nga ana tjetër do të fitojë liberalizimin e vizave dhe, në një skenar optimist, do të fitojë statusin e kandidatit. Statusin e kandidatit mund të fitoj edhe Bosnja dhe Hercegovina”, thuhet në studimin e Institutit EPIK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera