Lajme

Enver Hoxhaj tregon se a do të ketë marrëveshje Kosovë – Serbi në Berlin

Autori: Gazeta inFokus 15:44 | 19 April 2019

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se nga takimi i Berlinit mund të ketë vetëm mesazhe, afate kohore apo propozime për lëvizjen e dialogut Kosovë-Serbi, por jo marrëveshje.

Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, takimi që do të mbahet në Berlin në fund të muajit, ku marrim pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, është më shumë rikthim i procesit të Berlinit.

“Në takime të tilla multilaterale mos pritni që ketë marrëveshje, nuk janë të gjitha palët dhe nuk është qëllimi i negocimit të temave të dialogut Kosovë-Serbi, nuk ndodh asnjëherë, ky është formati i takimit. Së dyti, fokusi kryesor do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, por nuk do të ketë qëllim dhe përpjekje që të arrihet marrëveshje apo që të flitet për modalitetet e marrëveshjes apo që të flitet për epilogun e marrëveshjes”, tha ai.

-Advertisement-

Hoxhaj tha se nga ai takim mund të ketë vetëm afate kohore, apo propozime për lëvizje të dialogut Kosovë-Serbi.

“Mund të ketë mesazhe, afate kohore, mund të ketë propozime se si të lëvizet dialogu Kosovë-Serbi, por takime multilaterale nuk ka mundësi të arrihet marrëveshje dhe nuk janë takime të cilat mund të thirren për një marrëveshje të tillë”, tha ai.

Ai tha se takimi është më shumë rikthim i procesit të Berlinit, ku Parisi mendon që Bashkimi Evropian duhet të thellohet e të konsolidohet dhe gjermanët mendojnë që Bashkimi Evropian duhet edhe të zgjerohet në Ballkan.

Hoxhaj tha se në verë pritet të shihet si do ta trajtojë Bashkimi Evropian Ballkanin Perëndimor, në hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe për Shqipërinë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këto përgjigje, Hoxhaj i dha në një konferencë për gazetarë, ku foli për hartimin e ligjit që ndalon mohimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera