Lajme

Emërimi i 79 noterëve të rinj, në dorë të qeverisë së re

Autori: Gazeta inFokus 08:17 | 13 December 2019

Pas kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe të shoqërisë civile, procesi i emërimit të 79 noterëve, që kishte nisur më 23 korrik të këtij viti, ka stagnuar.

Edhe pse ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri, ishte zotuar se këtë proces nuk do t’ia lërë në dorë kreut të LVV-së Albin Kurtit, njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se vendimi për emërimin ose jo të noterëve të rinj i takon qeverisë së ardhshme, shkruan gazeta “Zëri”.

Bashkimi Evropian, ambasadat e shteteve mike të Kosovës, Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe i Odës Federale Gjermane të Noterisë, si dhe shoqëria civile në Kosovë janë bërë bashkë për ta kundërshtuar hapjen e konkursit për 79 pozita të lira për noterë në 35 komuna të Kosovës nga ana e ministrit në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri.

-Advertisement-

Ata kanë kundërshtuar njëzëri kriteret e dyshimta të vëna në këtë konkurs, si dhe nepotizmin e theksuar, që sipas tyre e ka shoqëruar tërë këtë proces. Për të mos lejuar shkelje të tilla ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka njoftuar se Unioni Ndërkombëtar i Noterëve do të marrë pjesë në procesin e rivendosjes së noterëve në Kosovë, shkruan tutje “Zëri”.

“Lajm i mirë nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve: Pas bisedimeve me të gjitha palët UNN-i konfirmon se do të marrin pjesë në procesin e rivendosjes së noterëve në Kosovë dhe do të japin mbështetje të mëtejshme, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare. Pra nuk ka nevojë të nxitoheni me nominimet tani”, ka shkruar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera