Lajme

Emërimet dhe shkarkimet e krerëve të policisë ndër vite

Autori: Gazeta inFokus 17:48 | 20 November 2020

Policia e Kosovës së shpejti do ta ketë drejtorin e ri, i pesti prej që është themeluar ky institucion. Katër drejtorë dhe dy ushtrues detyre, e udhëhoqën policinë që nga koha kur u bë trazicioni i kompetencave nga policia e UNMIK-ut te Policia e Kosovës.

I pari që kishte fatin të jetë drejtor i Policisë së Republikës së Kosovës, ishte Sheremet Ahmeti. Ai u emërua në këtë detyrë me 10 dhjetor 2008 nga kryeministri i asaj kohe Hashim Thaçi. Ahmeti deri në atë kohë ishte komandant i Shërimit Policor të Kosovës dhe zëvendës komisar i policisë së UNMIK-ut. Ai në këtë detyrë qëndroi deri me 6 prill 2010, ku Hashim Thaçi e shkarkoi nga detyra pa dhënë shumë detaje.

Po të njëjtën ditë, Thaçi kishte njoftuar për emërimin e Behar Selimit në krye të policisë, si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm.
Kryeministri kishte inkurajuar Selimin që të kryejë me profesionalizëm dhe përkushtim detyrën me të cilën është ngarkuar dhe t’i thellojë edhe më tutje reformat dhe të avancojë standardet e domosdoshme brenda policisë së Kosovës, për punë edhe më efikase dhe efektive, fuqizim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të betejës së pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Selimi në krye të policisë qëndroi rreth gjashtë muaj, ku me 15 tetor 2010 ai që e emëroi, mori vendimin për shkarkim. Thaçi e kishte marr këtë vendim pas rekomandimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, të asaj kohe, Bajram Rexhepi.

Dy javë pas shkarkimit të Behar Selimit, saktësisht me 30 tetor 2010, shefi i ekzekutivit Hashim Thaçi kishte emëruar Reshat Maliqin, Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Maliqi ishte njëri nga kandidatët e rekomanduar nga ministri i Punëve të Brendshme për të marr në duar timonin e Policisë së Kosovës. Por ndonëse ishte emëruar në këtë detyrë për një periudhë tre vjeçare, Reshat Maliqi është shkarkuar me 26 korrik 2011, një ditë pas operacionit të famshëm të Policisë së Kosovës në veri, në të cilin u vra polici Enver Zymberi.

Maliqi për shkarkimin nga detyra ishte njoftuar përmes mediave ndërsa në shenjë revole ndaj këtij vendimi të paqartë të Thaçit, kishte ngritur padi pranë gjykatës kompetente. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e padisë kundër Thaçit ende nuk është marrë një aktgjykim i formës së prerë përkitazi me ketë lëndë.

Nga pozita e zëvendësdrejtorit të policisë në atë kohë, Shpend Maxhuni me automatizëm u emërua fillimisht u.d e më pas edhe drejtor i Policisë së Kosovës. Maxhuni, prej të gjithë drejtorëve, qëndroi më se gjati në këtë pozitë, deri në vitin 2018. Ai dha dorëheqje nga pozita e drejtorit pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Maxhuni nga karriga e të parit të policisë u bë drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI).

Pa humbur shumë kohë, kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj e solli Rashit Qalajn në vend të Shpend Maxhunit. Qalaj ishte votuar në mbledhje të qeverisë me 28 gusht 2018. Ai e drejtori policinë për më shumë se dy vjet ndërsa pasditen e 16 tetorit të këtij viti, kryeministri Avdullah Hoti mori vendim për shkarkim të tij. Ky vendim i Hotit erdhi pak ditë pas arrestimit të kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Hoti në vend të Qalajt, si ushtrues detyre ka emëruar Samedin Mehmetin. Ai edhe tani vazhdon ta drejtoi policinë ndërsa këtë javë është njoftuar për shpalljen e konkursit për drejtor të Policisë së Kosovës.

Në konkursin e fundit janë specifikuar të gjitha detajet se kush ka të drejtë t’i futet garës për ta udhëhequr njërin nga institucionet me të besuara në vend.

Sipas nenit 38 të Ligjit për policinë që flet për zgjedhjen e drejtorit thuhet se kandidati duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe të mos ketë qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, të mos jetë i ndëshkuar për shkelje të rëndë disiplinore sipas rregullores disiplinore të policisë apo rregullores së institucioneve të tjera shtetërore brenda 10 vjetëve të fundit që është ekuivalente me shkeljet që përcaktohen në rregulloren e disiplinë së Policisë së Kosovës.

Po ashtu sipas ligjit kandidati duhet të ketë gradën kolonel, nënkolonel ose major së paku pesë vjet dhe të mos ketë konflikt interesi me detyrën si parashihen në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike.

Secili kandidat për këtë post duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.

Të tjera