Lajme

Elshani: Hetimet në Banjskë do të zgjasin – policia s’pati qëllim ta vrasë askënd, por ta lirojë territorin nga grupi i armatosur

Autori: Gazeta inFokus 14:00 | 27 September 2023

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani ka folur për aksionin e policisë në Banjskë, ku ka thënë se qëllimi i Policisë së Kosovë nuk ka qenë vrasja e grupit sulmues, por lirimi i terrorit nga grupi i armatosur.

Duke folur para mediave nga vendi edhe ku ndodhi sulmi terrorist të dielën, Elshani tha se hetimet për këtë rast do të zgjasin edhe një kohë të gjatë.

“Hetimet nuk kanë me përfundu edhe një kohë të gjatë, sepse edhe për ne është interesante pse ky vend me u zgjedh në këtë formë dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me arrit me këtë vend këtu”, tha Elshani.

-Advertisement-

Elshani shtoi se bastisjet, kontrollet sa i përket zonës së banimit kanë përfundu.

“Kemi bë kontroll goxha të mirë edhe të rrethit, por nuk autorizohet lëvizja në këtë vend sepse ka mundësi të ketë mjete të paeksploduara sepse kemi gjetur shumë në mal. Do të dalin ekipe për kërkime. Autorizimi për ju (mediat) është bë që të mos ketë terr informativ, por konsiderojmë se rreziku s’ka kaluar ende edhe pse konsiderojmë se një numër të madh të pajisjeve dhe gjësendeve i kemi gjetur”, tha zëvendësdrejtori i policisë në veri.

Ai ka treguar se barrikadat kanë qenë në një urë dhe se aty është vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Barrikadat kanë qenë në urë, në rrugë kryesore është vrarë polici jonë dhe aty ka nis shkëmbimi i zjarrit kanë ardh njësitet tjera dhe nga aty ka nis gjithçka”, tha Elshani duke mos përjashtuar mundësinë se edhe në të ardhmen mund të ketë raste të ngjashme nga grupet kriminale.

Ai tha se policia është e gatshme të reagoj sërish nëse ka përsëritje të rasteve të tilla.

“Planifikimi nga policët në vendngjarje ka qenë shumë i mirë. S’kemi pas qëllim me i vra 30 vetë. S’kemi pas qëllim asnjë vrasje. Kemi pas qëllim ta lirojmë territorin tonë nga grupet kriminale. Nëse ka pasur të lënduar e viktima ishte pjesë e procesit. Konsiderojmë se e kemi arritur qëllimin tonë që me sa më pak dëme të arrijmë qëllimin”, tha Elshani.

Elshani ka thënë se për çdo veprim policor kanë vepruar në koordinim me EULEX-in. Ai ka shtuar se fshatarët në Banjskë kanë qenë bashkëpunues.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera