Lajme

Elizabeth Gowing, gruaja e mishëruar me aktivizmin për komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian

Autori: Gazeta inFokus 10:37 | 26 August 2020

Xhemile Hysenaj dhe Arbër Selmani

Është grua e cila rrezaton energji të mahnitshme dhe një nur të rrallë. Për aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ata që veprojnë në Kosovë e në rajon, emri i Elizabeth Gowing është i njohur.

Që nga viti 2006 kur ka ardhur në Kosovë, Elizabeth Gowing është pasionuar pas shumë kauzave e angazhimeve, deri sot kur edhe e mbizotëron fuqishëm gjuhën shqipe, dhe kjo për faktin se një kohë të mirë ajo e kalon me njerëzit, duke kuvenduar, duke folur, duke dëgjuar halle e duke menduar zgjidhje për problemet e shqiptarëve të Kosovës.

-Advertisement-

Më afër zemrës, Gowing – e shkolluar në Oksford dhe më pas edhe në Londër, e ka gjithmonë komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë. Me këtë komunitet ajo punon tash e disa vite, më shumë se një dekadë të tërë, duke u shndërruar kështu në njërin prej zërave më të artikuluar e racional për mbrojtjen e këtyre komuniteteve të neglizhuara e të tmerruara shpesh nga shoqëria kosovare.

Në vitin 2016-të, ajo e pranoi medaljen ‘Nënë Tereza’ për punën e saj humanitare, e cila përthekohet me organizatën joqeveritare ‘The Ideas Partnership’, aty ku bëhet punë për barazinë, për mirëqenien, për mjedisin, për filantropinë, për trashëgiminë kulturore, për fragjilen, që të bëhet më e fortë.

Elizabeth është libër po aq i mirë e i hapur sa edhe librat të cilët ajo i ka shkruar e i ka përkthyer, gjithmonë me kryefjalë Kosovën. Para se ta zbulojmë sidomos aktivizmin e Gowing për komunitetet Rom, Ashkalinj e Egjiptian, ia vlen ta njohim më mirë Elizabeth në të gjitha frekuencat e jetës së saj. Ajo tanimë edhe me letra është njëra nga ne, një kosovare e mrekullueshme.

*

“Kam ardhur në Kosovë me punën e burrit tim para 14 viteve. Atij i është dhënë pozita e Këshilltarit në Qeverinë e Agim Çekut dhe kemi ardhur për 6 muaj këtu. Deri atëherë nuk kam pasë kontakt me Kosovën, përveç me disa fëmijë në shkollën ku isha zëvendësdrejtoreshë në Londër në vitin 1999. Mandej, kontrata e tij u zgjat dhe pas përfundimit ne vendosëm me jetu këtu dhe kemi kriju shoqëri dhe OJQ këtu, prandaj na ka pëlqy jetesa këtu” tregon për KultPlus, Elizabeth Gowing.

Elizabeth thotë se ‘në Kosovë njerëzit gjithmonë ta bëjnë një vend’.

“Mundet me pasë monumente të bukura por nëse njerëzit nuk të përshendesin, nuk kujdesen për njëri-tjetrin, atëherë nuk është përvojë e këndshme për me jetu në një vend” tregon ajo.

*

Futemi më mirë në temën kryesore. Elizabeth, bashkë me ekipin e saj dhe marrë parasysh përvojën e saj sidomos në punën me tri komunitetet e margjinalizuara, së shpejti do ta hapë një qendër të komunitetit. Qendra “Azure” do të ndërtohet dhe funksionojë në mënyrë ekologjike dhe do të zëvendësoj qendrën aktuale të TIP. Kjo qendër do të ofrojë aktivitete të mësimit dhe edukimit për të rinjtë dhe fëmijët e Fushë Kosovës, gjithashtu edhe shërbime për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Nuk është shkollë klasike. Është një qendër komunitare ku mbahet edhe çerdhja, edhe orët për fëmijët që janë jashtë shkollës, edhe mësim shtesë për fëmijët që vijojnë shkollë, por edhe aktivitete për gratë shtatzëna ose fizioterapi për fëmijët me nevoja të veçanta”.

“Për gati 10 vite kemi pasë një qendër me qira në një shtëpi private në lagjen 29 të Fushë Kosovës. Kuptohet, nëse e kishim ditë që do të kemi aktivitete për kaq shumë vite, kishim kursye ato para dhe kishim ble një vend. Tash ka ardhë koha për këtë vendim dhe kemi pasë fat me pasë përkrahje nga Komuna për blerjen e tokës, gjithashtu prej në donatori britanik, dhe donacion prej UEFA Children’s Fund dhe prej AECOM Foundation për ndërtim. Projekti është me ndërtue diçka ekologjike që do të jetë shembull për Kosovën, por edhe do të jetë ma e përshtatshme për përfituesit tanë, dhe që do të ofrojë punësim për njerëz të lagjes gjatë procesit të ndërtimit” tregon Elizabeth.

Arsimimi, Elizabeth thotë, është me rëndësi për të gjithë – edhe në nivel individual sepse është e vetmja mënyrë me të cilën personi mundet me i tejkalu pengesat e varfërisë per vete si dhe për familjen. Arsimimi i fëmijëve pakicë është në dobi të tyre por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, vazhdon Elizabeth.

Me organizatën e saj, Elizabeth ka punuar në Fushë Kosovë e Janjevë, e në vendet tjera ku komunitetet Rom, Ashkalinj e Egjiptian janë më të lokalizuara. Plot projekte organizohen me grupmosha të ndryshme.

Në Mitrovicë, së fundmi, organizata ka ndihmuar 45 vajza nga këto tri komunitete që ta vazhdojnë shkollën, ta përqafojnë orientimin e tyre jetësor dhe të zhvillojnë aftësi për të reflektuar mbi rëndësinë e shkollimit dhe arsimimit.

Gjatë pandemisë, rreth 140 familje nga këto komunitete, në Graçanicë, Janjevë e Fushë Kosovë janë ndihmuar nga ‘The Ideas Partnership’ me paketa ushqimore dhe ndihmë për këta njerëz për të cilët pandemia erdhi si një goditje e radhës.

“Siç e dimë të gjithë, ligjet në Kosovë janë për merak, pra nuk besoj që qasja që mungon është ‘top-down’ – domethënë nga lartë deri poshtë. Çka kërkohet, në shume fusha, është fushata ‘bottom-up’ – prej poshtë deri lartë në sistem. Kjo nënkupton që secili qytetar është personi që mundet me kontribuu në luftimin e racizmit dhe pabarazisë. Organizata jonë, ‘The Ideas Partnership’, ka nje bazë vullnetare dhe shumë prej tyre janë shqiptarë (të tjerë janë nga komunitetet, dhe një përqindje janë të huaj). Kuptohet, kur marrin pjesë vullnetarët në iniciativat e bashkuara, kur njihen me njëri-tjetrin si dhe me realitetin e njëri-tjetrit, atëherë kuptohet që jemi të gjithë njerëz, që ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqinj në çdo komunitet dhe çdo komb, dhe mund të kuptohet si është ndikimi direkt prej margjinalizimit të komuniteteve të caktuara- qofshin tash Romët, Ashkalinjtë ose Egjiptianët qofshin shqiptarët në Jugosllavinë e Millosheviçit” vazhdon tutje Elizabeth.

Nuk ka se si të mendojë ndryshe një grua e cila ende sot mban timonin, bashkë me tjerë, atë të aktivizmit për të qenë në anën e komuniteteve për të cilat kjo shoqëri nuk ka dhënë shumë, dhe nuk jep as sot.

“Sa ma shumë që kemi mundësi që njerëzit të bashkëpunojnë në aktivitete, sa ma shumë angazhohen njerëzit për barazi dhe kundër padrejtësive në shtetin e tyre, aq më mirë do të luftojmë qasjet e vjetra që veç pengojnë në zhvillimin e Kosovës” thotë Elizabeth Gowing.

Duke filluar nga kjo javë, Elizabeth dhe ekipi i saj i mrekullueshëm, e këtu po ashtu edhe vullnetarët dhe bashkëpunëtorët tjerë, po kërkojnë nga qytetarët ndihmë rreth fushatës ‘Back to school with 300 school bags – Të kthehemi në shkollë me 300 çanta”. Ata që shprehin dëshirën, do të ndihmojnë në blerjen e çantave për fëmijët e komuniteteve të margjinalizuara, që ata të jenë gati për shkollë dhe mos të fillojnë procesin e mësimit me qese për librat e tyre, por me çanta simpatike.

Elizabeth nuk ka ndaluar asnjëherë së punuari me komunitetet, në një formë a tjetrën. Shpesh me anë të artit, madje, Elizabeth dhe ekipi i saj kanë dashur t’i vëjnë në funksion komunitetet në mënyrë që qytetarët e këtyre komuniteteve të ndihen të vlefshëm, të dashur, të devotshëm në krijimin e diçkafit kreative.

“Puna në këtë qendër që do të hapet lidhet drejtpërdrejtë me dukurinë e braktisjes së shkollimit nga fëmijët e komuniteteve. Kemi dy mediatore (një grua e re e cila merret pikërisht me martesat e hershme dhe me arsimimin e vajzave) të cilat lidhen me fëmijët, me mësueset, dhe sigurojnë që fëmijët të kenë çantat për vitin e ri shkollor dhe fletoret e nevojshme. Ato identifikojnë rastet kur ka rrezik të braktisjes dhe flasin me prindërit ose ndihmojnë me barna e me veshmbathje aty ku ka nevojë” rrëfen Elizabeth.

Të nisësh e ta shpalosësh çdo komunitet në Kosovë, në pasluftën e Kosovës, është punë e vështirë dhe e lodhshme. E kur këtu flasim për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, kjo shpalosje bëhet edhe më e vështirë, në faktin se problemi e përcjellë problemin dhe gjithçka shkon zinxhir pas zinxhiri, e nuk dihet me cilin problem të merresh e angazhohesh më herët. E mira e Elizabeth dhe ekipit të saj është se katalizatorët janë ndezur në disa drejtime, dhe disa drita po rrijnë gjithmonë hapur në dhomën e errët të mbrojtjes e përparimit të këtyre komuniteteve në përditshmërinë në Kosovë.

“Kuptohet, është kundër ligjit që fëmijët të detyrohet të punojnë. Është rrezik i madh për shëndetin dhe sigurinë e tyre, unë kam ndihmu në disa raste në ndjekjen penale për prindërit apo të tjerët që i detyrojnë fëmijët për punë”

“Kisha kërku prej të gjithë qytetarëve që duan me ndihmu fëmijët e varfër, që mos t’i inkurajojnë këto dukuri të jashtëligjshme. E di që secili person që ia ofron 20 cent një fëmije në trotuar, e bën prej zemrës së mirë. Mirëpo, e di prej bisedave që kam pasur me prindërit e këtyre fëmijëve, i kam ftuar me i regjistru fëmijët e tyre në shkollë. Ato 20 centët janë arsyeja pse fëmijët nuk lejohen me shku në shkollë. Lëmosha e tyre është tepër e vlefshme për me i leju me e kalu kohën në shkollë, prandaj secili person që jep 20 cent për fëmijët, i parandalon ata të shkollohen” na tregon Elizabeth.

*

“Gjate përvojës që kemi pasë me fëmijët e komuniteteve por gjithashtu me fëmijët shqiptarë, kemi kuptu si sistemi arsimor qaset me nxënësit që janë ndryshe prej të tjerëve. Ky është një problem për fëmijët që janë shumë të shkathët, por gjithashtu për fëmijët të cilëve u nevojitet kohë ma shumë për me mësue diçka. Është problem për fëmijët që kanë ardhë nga jashtë (qofshin të diasporës, qofshin të kthyer) dhe për ata që nuk kanë familjarë që dijnë shkrim-lexim dhe munden m’i ndihmue me detyrat”.

Fotografia nga Jonada Jashari

Elizabeth ka shumë për të treguar, dhe është e mahnitshme të shohës se si organizata ku ajo punon dhe të cilën e ka bashkëthemeluar, po kërkon njerëz që të punojnë në projekte të ndryshme. Vetëm së fundmi po kërkohen asistentë për mësimdhënie, pedagogë, logopedë e psikologë që do të angazhohen në kuadër të projektit “Edukimi për të gjithë – Përmbushja e të Drejtave të Fëmijëve dhe Adoleshentëve me nevoja të veçanta dhe nga komunitetet e cenueshme” i cili financohet nga Bashkimi Evropian / Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut (EU EIDHR) dhe implementohet nga 3 organizata: Organizata ndërkombëtare People in Need Kosovo dhe 2 OJQ lokale The Ideas Partnership dhe AutizmiFlet Kosovë.

Madje, edhe gjatë kësaj kohe të pandemisë, punonjësit e organizatës kanë punuar pa ndalë. Punonjësi social Ramic Saip e vazhdoi punën në qytetin e Graçanicës, duke iu dalë në ndihmë qytetarëve, për të lehtësuar qasjen e tyre në institucionet komunale, ofrimin e ndihmës në rregullimin e dokumenteve të gjendjes civile, asistimin në plotësimin e dokumenteve për të aplikuar për ndihmë sociale, dhe gjithashtu është bërë edhe shpërndarja e maskave mbrojtëse tek qytetarët në nevojë.

Qysh nga viti 2013, ‘The Ideas Partnership’ është aktive në Obiliq me klasa të mësimit shtesë për fëmijë dhe adoleshent, mirëpo në fillimet e saj, pjesëmarrësit kanë qenë edhe të rritur dhe prindër të cilët kanë mësuar shkrim dhe lexim.

Gjatë këtyre viteve gjithsej në klasat e mësimit shtesë kanë qenë rreth 90 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

Këto mësime shtesë mbahen 3 herë në jave, me fokus të veçantë në lëndët e gjuhës shqipe dhe matematik, mirëpo diskutohen edhe tema të tjera të përditshme apo varësisht nga kërkesa e nxënësve. Përveç mësimeve shtesë të ofruara në Obiliq, punonjësit tonë organizojnë edhe takime të ndryshme me drejtorin komunale dhe OJQ të tjera që janë në interes të mirëqenies së fëmijëve. Gjithashtu , edhe gjatë kohës së pandemisë COVID19, aktivitetet kanë vazhduar që të mbahen në mënyrë të rregullt përmes formave virtuale.

Duke e falenderuar Elizabeth për këtë rrëfim, mbesim me shpresë që ajo dhe ekipi i saj do të kenë vullnet, përkrahje e motivim që të punojnë me çdo grup të neglizhuar në Kosovë, e sidomos me komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

TEKSTI NË GJUHËN ROME

TEKSTI NË GJUHËN ANGLEZE

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e KultPlus/YIHR dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera