Lajme

Ekzekutohet dhe hidhet në përrua i sapoliruari nga burgu

Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 02 May 2017

Një 35-vjeçar nga fshati Kuç i Vlorës, u gjet i vrarë paraditen e djeshme, ndërkohë që për momentin mbeten të paqarta motivet. Por, pavarësisht kësaj, policia ka hedhur pistat e para, njëra prej të cilave lidhet me një hakmarrje të mundshme. Trupi pa jetë i Dashamir Zenelit, banor i fshatit Kuç, rreth 65 km në juglindje të Vlorës, u gjet dje në orën 10.30 në një përrua. Mungesa e tij, kishte shqetësuar familjarët, të cilët kishin kërkuar ndihmën e bashkëfshatarëve.

Por, enigma e mungesës së tij u zgjidh paraditen e djeshme, me zbulimin e kufomës. Nga këqyrja e trupit pa jetë, ekspertiza konstatoi se, ai ishte vrarë me armë zjarri, çka shtoi mjegullën rreth motiveve të ekzekutimit. Një hakmarrje e mundshme, një konflikt i çastit, apo diçka tjetër? Grupi hetimor që mbërriti në vendin e ngjarjes, mori në pyetje bashkëfshatarë të viktimës, për të mësuar rreth rrethanave të zhdukjes së tij, por edhe të shkuarës, çka do të mund të hidhte dritë mbi atë që kishte ndodhur.

Hetimi

-Advertisement-

Burime konfidenciale të policisë thanë për “Shekulli”, se, hetimi u shtri në disa pista, ku përfshihet edhe ajo e hakmarrjes. Ekzekutimi me armë zjarri, sipas policisë, është një arsye për të menduar se kjo pistë mbetet evidente. Autori nuk është kujdesur shumë për të fshehur gjurmët, teksa trupi pa jetë është lënë në përrua ku është gjetur lehtësisht. Nuk përjashtohet mundësia që, 35-vjeçari të jetë qëlluar me armë diku tjetër dhe të jetë lënë në vendin ku u gjet, në një përpjekje amatoreske për të zhdukur një pjesë të provave, që mund të çojnë drejt saktësimit të skemës së ngjarjes dhe identifikimit të autorit, apo autorëve. Kjo ka bërë që ekspertët të zgjerojnë zonën e këqyrjes, për të grumbulluar sa më shumë elementë që do të ndihmon në procesin hetimor. Për policinë, emri i viktimës nuk është krejt i panjohur.

Pothuajse 7 muaj më parë, në 17 tetor të vitit 2016, Zeneli u arrestua në kushtet e flagrancës nga policia, për shkak se kishte kanosur me armë zjarri një bashkëfshatarin e vet. Sipas policisë lokale, një ditë më parë, në 16 tetor, ai ishte grindur me një bashkëfshatarin e vet, 44-vjeçarin V. L, të cilin e kishte kanosur më pas me armë zjarri. Ngjarja kishte ndodhur në një lokal të fshatit Kuç, ndërkohë që Zeneli ishte nën efektin e alkoolit. Pas konfliktit të çastit, ai i kishte drejtuar 44-vjeçarit një armë automatike model 56, por pa e çuar deri në fund veprimin. Pavarësisht kësaj, policia ndërhyri duke bërë arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. Gjatë kontrollit të banesës së Zenelit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri e llojit “Automatik model 56″, 1 armë zjarri të llojit “Shars model 54”, 2 krehra, 32 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat ai i mbante pa leje.

Lirimi i Zenelit

Ende mbetet e paqartë se në çfarë rrethanash u lirua 35-vjeçari, ndaj të cilit rëndonin dy akuza, ajo e kanosjes dhe e mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Pavarësisht se, kjo ngjarje ishte fashitur policia e ka sjellë në vëmendje këtë fakt, duke marrë në pyetje edhe persona konkretë që lidheshin me atë çka ndodhi 7 muaj më parë. Burime konfidenciale të policisë, thanë se, nuk përjashtohet mundësia që, kjo ngjarje të jetë shfrytëzuar nga persona të tjerë, për të ekzekutuar 35- vjeçarin, për motive të cilat mbeten të paqarta për momentin, por që mund të zbardhen gjatë procesit hetimor. Për këtë arsye, grupi hetimor, është shtyrë në kohë në të kaluarën e viktimës, për të mësuar detaje të tjera të jetës së tij, të cilat mund të shërbejnë për të çuar në saktësimin e identitetit të autorit të ngjarjes që ndodhi dje në Kuç të Vlorës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera