Lajme

Ekzaminimi psikiatrik tregon se a ishte i vetëdijshëm Dardan Krivaqa kur dyshohet se vrau Marigona Osmanin

Autori: Gazeta inFokus 20:16 | 10 May 2023

Dardan Krivaqa ishte plotësisht i vetëdijshëm kur dyshohet se kreu vrasjen mizore të Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021.

Kështu konstatohet në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka siguruar ATV-ja.

“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, aftësia e tij mendore që të kuptojë rëndësinë e veprës, si dhe aftësinë e kontrollit të veprimeve të tij, ka qenë e ruajtur. Kjo është e bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën e ngjarjes para, gjatë dhe pas veprës”, thuhet në raport.

-Advertisement-

Por raporti evidenton se Krivaqa vuante nga një çrregullim i personalitetit antisocial, i cili, sipas raportit, vjen si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.

“Personat e tillë karakterizohen me sfera të shthurura të funksionimit jetësor, me rrahje, kërcënime, gënjeshtra, ikje nga shtëpia, probleme në raportet ndërnjerëzore, me familjen, abuzim me substanca, aktivitete ilegale, të cilat kanë filluar që në fëmijëri. Janë manipulues dhe u pëlqejnë aktivitetet të cilat lehtë sjellin të holla dhe famë. Nuk pendohen për veprimet e tyre dhe çdoherë ua hedhin fajin të tjerëve për veprimet e tyre”, thuhet në raport.

Për ta bërë këtë ekzaminim psikiatrik, i cili ishte kërkesë e avokatit mbrojtës të Dardan Krivaqës, Institutit të Forenzikës iu deshën pothuajse katër muaj, duke bërë kështu që të mos mbahet asnjë seancë që nga 23 janari i këtij viti.

Megjithatë, rezultatet kanë qenë të pritshme për avokatin e familjes së Marigona Osmanit.

“Kam kundërshtuar këtë raport për arsye që kam qenë në dijeni, që i pandehuri ka pasur edhe shqyrtime të tjera gjyqësore. Pas arrestimit të tij për këtë çështje që është duke u gjykuar, nuk ka pasur kërkesa të tjera për ekzaminim dhe ka qenë plotësisht i vetëdijshëm i orientuar për këtë çështje”, tha avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi.

Seanca e radhës pritet të bahet më 1 qershor.

Ndërkaq, nga 14 korriku kur ka filluar ky proces gjyqësor janë mbajtur 5 seanca, në të cilat dy të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm si dhe janë dëgjuar disa dëshmitarë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera