Lajme

Ekspertizë mendore për vrasësin e prindërve

Autori: Gazeta inFokus 11:49 | 01 July 2017

Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize mjekësore për të verifikuar gjendjen e shëndetit mendor të 29-vjeçari Leo Nika, autori i vrasjes së dy prindërve të tij.

Gjykata ka caktuar gjithashtu edhe masën e sigurisë arrest me burg për 60 ditë për 29-vjeçarin që tronditi publikun me krimin e kryer dy ditë më parë në Xhafzotaj të Shijakut.

I ati, Ali Nika (70 vjeç) dhe e ëma Jenije (66 vjeç) u gjetën të vrarë me çifte në derën e shtëpisë.

-Advertisement-

Që prej kthimit nga Italia, Leo Nika mjekohej për probleme të shëndetit mendor. Gruaja dhe fëmija e tij nuk kanë qenë në shtëpi kur ndodhi krimi, pasi kishin shkuar një ditë më parë te prindërit e së shoqes.

29-vjeçari ka rrëfyer motivet e grindjes që përfundoi në tragjedi. Në gjendje të rënduar psikologjike, Leo Nika tha se debati me prindërit nisi për para.

I papunë dhe i pashpresë, Nika tregoi se donte te kthehej në Itali dhe për këtë paratë ua kërkonte prindërve.

Por i ati, Aliu dhe e ëma ia kanë refuzuar ndihmën, pasi ai kishte provuar më parë, por pa sukses emigracionin. Nika ka deklaruar para hetuesve se nuk mban mend se si e ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar mbi prindërit.

Hetimet treguan se debatet në familjen Nika kanë qenë të vazhdueshme për shkak të pamundësisë së djalit për të siguruar të ardhura dhe mbajtur familjen.

22 vjet më parë, familja me origjinë nga Dibra ishte zhvendosur në Xhafzotaj të Durrësit për një jetë më të mirë. Nga fqinjët ata njiheshin si njerëz të qetë dhe punëtorë.

Fëmijët e tjerë të çiftit Nika jetojnë jashtë vendit./TCH

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera