Lajme

Eksperti për Ballkanin: Qëllimi i fazës së re të dialogut Kosovë – Serbi “diçka” më pak se njohja

Autori: Gazeta inFokus 20:05 | 24 November 2022

Mbrëmjen e 23 nëntorit, kryenegociatorët e dialogut Kosovë – Serbi, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq arritën marrëveshje për çështjen e targave.

Të njëjtën e konfirmoi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell përmes një cicërime të orëve të vona të së mërkurës që lamë pas.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t’i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, kishte shkruar ndër të tjerash spanjolli.

Të dyja palët e konsideruan këtë fitore për vete, duke thënë se morën maksimumin dhe se gjithçka u shkon në favor të tyre.

Përderisa kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti falënderoi ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe mbështetjen e parezervë në këtë dialog, Petkoviq shtoi se Kurti pranoi gjithçka që kishte refuzuar më parë.

Gjithsesi, koha pritet ta dëshmojë më së miri këtë çështje, teksa muaji Mars po afrohet.

Eksponentët e VV-së arsyetohen me faktin se ky “lëshim” në çështjen e targave i ka hapur rrugë bisedimeve intensive për normalizim të plotë.

Lidhur me marrëveshjen e arritur ka folur edhe Eksperti për Ballkanin, Toby Vogel.

Vogel, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se faza e re e dialogut është për “diçka” më pak se njohje.

Zëra të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, me ato që thonin se planin franko-gjerman është një dokument që zgjidh çështjen mes dy vendeve për një periudhë 10-15 vjeçare, me të dyja vendet përfituese, por me të dyjat që duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e mëparshme.

Eksperti për Ballkanin shtoi se kjo është një marrëveshje e përkohshme që ndihmon në shmangien e përshkallëzimit, por nuk është zgjidhje.

“Kjo është një marrëveshje e përkohshme. Kjo, thjesht, ndihmon tani në shmangien e një përshkallëzimi, por padyshim nuk është zgjidhje, sepse Kosova në fakt duhet të pezullojë zbatimin e të drejtave të saj sovrane në veri të Kosovës, që natyrisht në një kohë afatgjatë dhe afatmesëm është i papranueshëm për Prishtinën”, thotë ai.

Veç kësaj, ai beson se Beogradi po synon t’i shtyjë sa më shumë negociatat, kurse sa i përket fazës së re thotë se mungon njohja dhe kjo për të është pak e çuditshme.

“Sepse propozimi i Francës dhe Gjermanisë […] është diçka që i mungon njohja e plotë dhe më duket e çuditshme që në fillim të një faze që supozohet të fokusohet në një marrëveshje përfundimtare, tashmë të vendoset standard më i ulët se sa mund të ishte”, vlerëson Vogel.

Takimi i radhës

Në marrëveshjen e arritur mbrëmë është bërë e ditur se do të ketë edhe takime të tjera ditëve në vijim për të diskutuar hapat e radhës.

Këtu nuk është specifikuar nëse ka të bëjë ende me çështjen e targave apo bisedime rreth normalizimit të plotë.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë se momentalisht nuk ka asgjë të re dhe se do të publikohet çdo informacion të ri.

Në anën tjetër, kryediplomati Josep Borrell, në vendlindjen e tij, në Spanjë ka thënë se në marrëveshjen e lartëcekur palët kanë pranuar t”i zbatojnë marrëveshjet e mëparshme.

Të tjera