Lajme

Eksperti i sigurisë: Sulmet kibernetike më lehtë u realizuan në Kosovë sesa në Shqipëri

Autori: Gazeta inFokus 13:56 | 19 September 2022

Eksperti i sigurisë kibernetike, Tanzer Abazi ka deklaruar se Kosova është e rrezikuar nga sulmet online nga Serbia, Irani, Rusia dhe Kina andaj institucionet duhet me pas një koordinim të përbashkët, por edhe t’i ngritin shumë shpejt kapacitetet, duke trajnuar sa më shumë staf dhe duke investuar në teknologjitë e fundit për mbrojtjen e sulmeve të tilla.

Abazi tha se institucionet shtetërore duhet të merren me seriozisht me çështjen e sulmeve kibernetike, pasi sipas tij, këto sulme mund të këtë çdoherë kur ka zhvillime në vend. Ndërsa sa i përket të dhënave personale, ai tha se mund të jenë shumë të rrezikshme nëse ka lëshime dhe nëse institucionet nuk i marrin masat e nevojshme të sigurisë.

Ai thotë se në këto sulme, ndikim ka lufta në mes Ukrainës dhe Rusi. Sipas tij, sulmet në Kosovë, mund të realizohen më lehtë se ato që kanë ndodhur në Shqipëri.

“Bota është duke shkuar drejtë një kaosi kibernetikë dhe kjo ka filluar në tendencë të shtuar prej luftës që ka filluar në Ukrainë, ku janë ndërtuar aleatë të ndryshëm dhe ka përkrahë shtetet, varësisht prej politikave të brendshme dhe jashtme të shteteve të ndryshme. Ajo që ka ndodhur në Kosovë diferencohet në atë se çfarë ndodhë në Shqipëri për shkak se në Shqipëri ka qenë një sulm i targetuar, i sponsorizuar prej shtetit dhe qëllimi i saj ka qenë për me hy në sisteme dhe me marrë informacione, të dhëna. Sulmet që kanë ndodhur në Kosovë i bie që janë për ndaljen e shërbimeve, i cili ka të bëjë me në lloj sulmi që mundet të ekzekutohet vetëm nga disa akterë në Kosovë dhe jashtë Kosovës, por nuk është diçka e planifikuar në detaje, nuk është një sulm shumë i sponsorizuar nga shtete tjera, nuk mundem me aluduar që është një gjë e tillë, përderisa sulmet janë teknikisht që realizohen pak më lehtë sesa sulmet që kanë ndodhur në Shqipëri”, tha Abazi.

Ndërsa ka shtuar se institucionet janë përgjegjëse nëse ka lëshime të të dhënave personale, pasi ato i përpunojnë ato të dhëna dhe kanë informacione për çdo qytetar të Kosovës.

“Të dhënat personale mund të jenë shumë të rrezikshme nëse ka lëshime, nëse institucionet nuk i marrin masat e sigurisë siç duhet të merren, atëherë nuk kanë kundër masa që ato të dhëna të cilat mund të publikohen një herë dhe cilat mund të shiten… Institucionet përpunojnë të dhënat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kjo doemos e bënë përgjegjës për këto të dhëna nëse ato publikohen, vidhet identiteti i gjithë qytetarëve sepse shteti ka informacione për çdo qytetarë të vetëm. Jeta digjitale na lidh me ato informacione, ne kur hymë në rrjete sociale identifikohemi me këto informacione, në të njëjtën kohë kur duam të mbrojmë vetën dhe me verifikuar identitetin e verifikojmë me të njëjtat informacione”, ka shtuar ai.

Ndërkaq ka përmendur disa masa për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike. Njëra nga këto është edhe koordinimi i përbashkët i institucioneve. Ai tha se institucionet duhet ngritur shumë shpejt kapacitetet dhe të marrin teknologjitë e fundit për mbrojtjen e sulmeve kibernetike.

“Institucionet duhet me pas një koordinim të përbashkët që të mund t’i shpërndajnë eksperiencat, regjistrat dhe gjitha këto shënime për të bërë një analizë çka ka ndodhë, cilat janë masat parandaluese. E mira e kësaj fatkeqësie është se institucionet pak a shumë vetëdijesohen, vetëdijesohen në aspektin se duhet investuar më shumë, qoftë bizneset private duhet investuar më shumë në këto tema, me marrë më seriozisht këtë punë sepse mund të jetë një lloj sulmi i cili ndoshta nuk ka pas ndonjë efekt të madh por mund të vjen i ardhshmi që mundet me pas efektin dhe impaktin më të madh. Për këtë arsye institucionet duhet me ngrit shumë shpejt kapacitetet, duhet trajnuar sa më shumë staf, të ndërtojnë parametrat e zhvillimit të resurseve njerëzore, duhet me marrë teknologjitë e fundit për mbrojtjen e sulmeve kibernetike”, theksoi ai.

Abazi shtoi se sulmet kibernetike mund të vinë në çdo kohë, e sidomos kur ka zhvillime në vend.

“Këto sulme mund të vinë në çdo kohë për shkak se këto nuk kanë kufij fizik, por duhet analizuar situatat gjeopolitike që ndodhin në vend dhe besoj se do të ketë sulme kibernetike sa herë që do të ketë zhvillime edhe me Kosovën…6:09 Kështu shteti duhet me marrë masa sa herë që ka vendime të ndryshme që kanë të bëjnë në lidhje me shtetet e tjera, gjithmonë me qenë të gatshëm dhe vigjilent për t’u mbrojtur në sulmet kibernetike.. Institucionet me marrë me seriozisht, të ndërtojnë agjencinë ku koordinojnë të dhënat, të këtë gjëra më praktike për institucionet, jo vetëm të jenë të shkruara në letër..përndryshe parimi dhe letra nuk na mbrojnë nga sulmet kibernetike, por janë masat teknike ato të cilat na mbrojnë”, tha Abazi.

Sipas tij, sulmet kibernetike mund të vinë nga Serbia, Irani, Rusia e po ashtu dhe Kina, por thekson se mund të ketë edhe njerëz brenda Kosovës të cilët kanë një politikë.

“Neve historia na tregon që ne me shtetin serb nuk kemi marrëdhënie të mira, kështu duhet të mbrohemi prej tyre, por jo vetëm. Mund të jetë edhe Irani, Rusia, mund të jetë aleat Kina, që është një grup i aleatëve të cilët munden me bashkëpunu për këto qëllime. Mund të kemi edhe nga njerëz brenda shtetit të Kosovës, të cilët kanë një politikë, të cilët protestojnë me anë të haktivizimit, si ka qenë rasti fundit ku është deklaruar, se për shkak të një rregullore apo qëndrimi që është marrë i qeverisë, ata protestojnë për gjëra të tilla, kështu mund të jetë edhe nga brenda por edhe nga shtet tjera jashtë”, përfundoi ai.

Cak i sulmeve kibernetike që po ndodhin kohëve të fundit në Kosovë, kryesisht kanë qenë institucionet shtetërore, mediet dhe biznese të ndryshme. /KP/

Të tjera