Lajme

Ekspertët thonë se Brazili do të kapë SHBA për nga ritmet e vdekjeve nga COVID

Autori: Gazeta inFokus 07:43 | 29 March 2021

Brazili regjistron mesatarisht 2,400 vdekje në ditë nga COVID-19, ose afro 1/4 e numrit të përgjithshëm të viktimave të përditshme në shkallë globale, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

Ky vend pritet të arrijë 4,000 vdekje në ditë, thonë ekspertë për agjencinë e lajmeve Associated Press, një nivel që do të rivalizonte Shtetet e Bashkuara në periudhën e tyre më të rëndë. Shtetet e Bashkuara arritën nivel rekord më 12 janar 2021 me 4,477 vdekje brenda ditës, sipas Universitetit Johns Hopkins.

“Niveli 4000 vdekje në ditë duket se po afron,” tha për agjencinë e lajmeve Associated Press Dr. José Antônio Curiati, menaxher në Spitalin “Hospital das Clinicas” në San Paolo, kompleksi më i madh spitalor në Amerikën Latine.

-Advertisement-

Presidenti Jair Bolsonaro vazhdon të ngulë këmbë se kufizimi i aktivitetit nuk është i nevojshëm. Në këtë moment, mund të jetë tepër vonë edhe për shtrëngimin e masave.

Miguel Nicolelis, profesor i neurobiologjisë në Universitetin Duke, i cili ka shërbyer si konsulent për disa kryebashkiakë e guvernatorë brazilianë për masa kontrolli ndaj pandemisë, tha se parashikon që numri i përgjithshëm i vdekjeve mund të arrijë në 500,000 vetë në korrik dhe brenda vitit 2021 t’ia kalojë shifrave të viktimave në Shtetet e Bashkuara.

“I kemi tejkaluar shifrat e imagjinuara ndonjëherë për një vend me një sistem funksional të kujdesit shëndetësor dhe fushata efektive vaksinimesh dhe me një personel mjekësor të pakrahasueshëm në botë,” tha Nicolelis. “Faza tjetër që e pret sistemin tonë mjekësor është kolapsi,” tha ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera