Lajme

Ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse FSK-ja bëhet ushtri pa e ndryshuar emrin

Autori: Gazeta inFokus 12:58 | 21 October 2018

Në mungesë të përkrahjes së Listës Serbe për ndryshime kushtetuese, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri po bëhet me ndryshime ligjore.

E kjo sipas ekspertëve të fushës do të thotë se FSK nuk mund të quhet ushtri derisa nuk i ndërrohet emri.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thoë se mund të bëhet vetëm avancime dhe në asnjë mënyrë ndërhyrje në emërtim.

-Advertisement-

“Avancime mund të bëjmë në kuptimin që tham më parë ne këtu, të ri-përshkrimit të kompetencave dhe ingirencave, por në asnjë mënyrë të emërtimit dhe funksionit primar që duhet ta ketë një ushtri nuk mund ta bëjnë me ligj sepse do të binte menjëherë ndesh me Kushtetutën dhe nuk mund të shkojnë ligje të tilla do të jenë detyruar patjetër të prishen nga Gjykata Kushtetuese”, thotë ai.

Sipas Baraliut, pa ndryshimin e emrit të FSK-së, nuk mund të ketë transformim.

Profesori Baraliu thotë se çështja kryesore është emërtimi, andaj sipas tij, do të duhej të kishte ndryshime kushtetuese.

“Në radhë të parë, pa ndryshimin e emrit të Forcës së Sigurisë nuk ka transformim, sepse emërtimi dhe emri janë çështja e parë kryesore e një formacioni të caktuar të mbrojtjes apo sigurisë, në këtë rast për ushtrinë do të duhej që për të pas transformim, do të duhej që në Kushtetutë, më tepër se në ligj, ligjet që po plotësohen dhe ndryshohen, do të duhej të ketë ndryshim dhe plotësim të Kushtetutës dhe aty ku shkruan FSK, të rregullohet edhe kompetenca edhe ingirenca edhe emërtimi, dhe veprimtaria e ushtrisë, do të duhej të rregullohej me Kushtetutë”, thekson Baraliu.

Por, kështu nuk mendon edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Emri sipas tij nuk e bën ushtrinë, por misioni dhe detyrat.

“Emri nuk e bënë ushtri, e bën misioni, nga misionit dalin detyrat, nga detyrat del armatimi. Pajisjet dhe të gjitha nevojat e tjera që i nevojiten një ushtrie. Ushtria e Kosovës bëhet edhe me këtë emr që i mbetet emri i Forcës së Sigurisë dhe me këto tre draft ligje që kanë shkuar në Parlament”, thotë Kastrati.

Procesin e tranzicionit të FSK-së e kanë përkrahur edhe SHBA-të.

Ky tranzicion sipas tyre duhet të jetë i disiplinuar dhe transparent, në mënyrë që ai ta bëjë FSK-në një ushtri profesionale, shumë etnike dhe e cila është e ndërveprueshme me NATO-në. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera