Lajme

Ekspertët e medias për kritikat e Raportit të Progresit: Përgjegjësit kryesorë Prindon Sadriu dhe njerëzit e VV-së

Autori: Gazeta inFokus 12:17 | 13 October 2022

Kryeministri Kurti dhe presidentja e vendit Vjosa Osmani kanë pranuar dje Raportin e Progresit nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,Tomas Szunyog.

Megjithëse ky raport u cilësua si pozitiv nga Qeveria, nga KE pati kritika sa i përket sistemit gjyqësor, Asociacionit të komunave me shumicë serbe, menaxhimit të agjendës legjislative, korruspionit, lirisë së media etj.
Sa i përket lirisë së mediave, nga Komisioni Evropian u tha se nuk janë zbatuar rekomandimet që janë dhënë vitin e kaluar.

Në raport përmenden sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve, duke cituar AGK-në .

-Advertisement-

Anëtarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Pranvera Behluli, duke komentuar ‘Raportin e Progresit për Kosovën’ tha se me të drejtë ka patur kritika pasi ka patur shumë raste të fyerjeve dhe linçimeve ndaj gazetarëve dhe disa raste të tilla janë ende të pazgjidhura.

Behluli tha se ka patur një fushatë në rritje kundër gazetarëve nga figura të pushtetit duke përfshirë edhe bashkëshortin e presidentes, Vjosa Osmani.

“Janë shumë shqetësuese denigrimet, fyerjet e linçimet e njerëzve të politikës që vijnë në drejtim të gazetarëve dhe medieve. Konsideroj se me të drejtë të gjitha këto sulme, linçime e denigrime janë përmendur edhe në Raportin e Komisionit Evropian, ngase disa të tilla kanë mbetur ende ta pazgjidhura”

“Gjatë këtij viti, AGK-ja ka reaguar kundër një fushate në rritje kundër medieve të figurave të pushtetit aktual duke përfshirë bashkëshortin e Presidentes Osmani, Prindon Sadriu, këshilltarët e kryeministrit Kurti, Luan Dalipi e Hysamedin Feraj, si dhe deputetët e VV-së, Sali Zyba e Fitore Pacolli.

Ne se AGK ripërsërisim nevojën e bashkëpunimit institucional dhe presim reagim të institucioneve kyçe ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe forma të tjera të presionit që pengojnë punën e tyre” deklaroi Behluli për “Gazeta Blic”

Pas këtij Raporti ka reaguar edhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari.

Kusari përmes një reagimi në Facebook thotë se sa i përket kritikave të Komisionit Evropian në lidhje me denigrimet e gazetarëve përgjgjësinë kryesore e ka Lëvizja Vetëvendosje dhe Prindon Sadriu.

“Raporti citon, me të drejtë, vlerësimin e AGK-së, sipas së cilës ka pasur rritje të deklaratave poshtëruese/nënçmuese dhe denigruese nga politikanët (dhe biznismenët) drejtuar mediave, të cilat minojnë besimin në gazetari dhe sigurinë e gazetarëve.Për këtë kritikë kaq serioze, përgjegjësinë e mban Lëvizja Vetëvendosje dhe sigurisht Prindon Sadriu.Që kur se kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me VV-në dhe Guxo, shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet”, shkruan Kusari në reagimin e saj.

Në raportin e Komisionit Evropian, duke cituar AGK-në, bëhet e ditur se në vitin 2021 janë regjistruar 29 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa në vitin 2022 deri me 17 qershor janë regjistruar pesë raste të denigrimit publik të gazetarëve kryesisht nga zyrtarë të lartë publik.

“Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë vitit 2021 janë regjistruar 29 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe fjalorit publik denigrues ndaj gazetarëve (në vitin 2020, ka pasur 11 raste të kërcënimeve dhe ngacmimeve jo-fizike dhe 4 raste të sulmeve fizike kundër gazetarëve). Në vitin 2022, deri në 27 qershor janë shënuar 5 raste të denigrimit publik kundër gazetarëve, më së shumti nga zyrtarë të lartë publikë. Kërcënimet dhe sulmet variojnë nga të tilla që vijnë nga biznesmenë kundër gazetarëve e punëtorëve të tjerë medialë, e deri tek kërcënimet nga zyrtarë shtetëror dhe partiak. Rasti i sulmit kundër gazetarit Visar Duriqi mbetet i pazgjidhur. Zgjidhja e rasteve mbetet shumë e ngadalshme. Sipas AGK-së ka pasur shtim të deklaratave denigruese të bëra nga politikanë kundër medieve, duke rrezikuar sigurinë e gazetarëve dhe duke provuar të ulin besimin në raportimet gazetareske. Gjatë kësaj periudhe, AGK-ja ka regjistruar së paku dy padi SLAPP të figurave publike kundër gazetarëve”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera